Adil Fetahu

ADIL FETAHU: MANASTIRET E KISHËS ORTODOKSE SERBE, DEPO ARMËSH DHE FORTIFIKATA TERRORISTËSH

Kisha Ortodokse Serbe (KOS) nuk është organizatë fetare e krishterë. Ajo është organizatë legale apo sektë fetare parashtetërore, paramilitare, klerofashiste, me të gjitha tiparet mesjetare. Tërë veprimtarinë e vet e mbështetë në mite e gënjeshtra të asaj kohe, duke ua përshtatur kushteve dhe rrethanave të reja. Ajo është shmangur nga krishterimi burimor dhe ka marrë një drejtim tjetër, të cilin e quan – svetosavle. Sintagma e svetosavles është: ‘Jedan narod, jedna religija, jedna drzava’ (një popull, një religjion, një shtet). Në këtë frymë edhe sot po punohet në projektin ‘Srpski svet’ (bota serbe) dhe për këtë projekt bashkëpunojnë ngushtë Shteti, Kisha, ASHA, Lidhja e Shkrimtarëve dhe mediat.  

 Svetosavle është një rrymë e nacionalizmit fetar (etnofiletizmi), e cila nuk duron në mesin e vet askënd të përkatësisë tjetër fetare. Dhe ky etnofiletizëm ka qenë dhe është në simfoni të plotë mes kishës dhe shtetit të Serbisë, prej Mesjetës deri në ditët e sotme, me një ndërprerje të shkurtër gjatë ekzistimit të Jugosllavisë së AVNOJ-it (1945-1989). Një nga ideologët më të çmuar të KOS, Nikollaje Velimiroviq, ishte bartës i shtafetës së nacionalizmit dhe antisemitizmit serb brenda asaj kishe. Ai e admironte Hitlerin si shembull tipik të nacionalizmit, shembullin e të cilit duhet ta ndjekin serbët, dhe mësimet e Hitlerit i krahasonte me mësimet e sv.Savës! Në KOS sot janë të njohur emrat e të ashtuquajturve ‘’justinovci’’, si eksponentët më ekstrem të entonacionalizmit serb. Ata janë peshkopë, në hierarkinë më të lartë të kishës serbe  dhe përbëjnë sinodin ideologjik të KOS (Amfillohije Radoviq, Atanasije Jevtiq, Aretmije Radosvleviq (ka vdekë), Irinej Bulloviq, etj.). Aspak më i mirë nuk ishte patriarku Pavle as nuk është patriarku aktual, Porfirije.

Roli i KOS në luftërat e përgjakshme në Jugosllavi

Pas periudhës së shekulLarizmit (ndarjes së kishës nga shteti) që ishte në Jugosllavinë komuniste të Titos, me fillimet e krizës politike në Jugosllavi, Kisha Ortodokse Serbe u kthye dhe fitoi hapësirë të gjërë në skenën politike të Serbisë. Ajo e përkrahu S.Millosheviqin të ngritët në majat e pushtetit. Krahas ndryshimeve kushtetuese që u bënë në vitin 1989, me suprimimin e autonomisë së Kosovës e të Vojvodinës, KOS po atë vit hartoi programin e saj të aktivitetit kishtar-nacionalist. Mediat kishtare: ‘’Glas crkve’’, ‘’Pravoslavle’ etj, dhe botime të veçanta të kishës e intensifikuan dhe ashpërsuan retorikën e tyre, gjoja për viktimat dhe gjenocidin kundër serbëve që kanë pësuar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë. Nisën të hapin varrezat, të nxjerrin kafkat dhe eshtrat tjera, i radhitnin nëpër shtroje në tokë, lamentonin mbi to në transmetime televizive dhe me përcjellje të mediave tjera. I ‘nxoren’ dhe shëtitën nëpër tërë Jugosllavinë eshtrat e Car Llazarit. Kështu manipulonin me ndjenjat e popullit, për të ngritur tensione dhe urrejtje ndaj Kroatëve, Shqiptarëve e Boshnjakëve. Nga terreni dërgoheshin informata të rrejshme për vrasjet, dhunimet, përdhosjen e varrezave e të kishave,  detyrimin e serbëve për t’u shpërngulur nga Kosova. Në saje të asaj propagande të rrejshme që plasonte kisha serbe nga Kosova, peshkopi Pavle në dhjetor u zgjodh në pozitën e patriarkut të KOS, edhepse patriarku German ishte gjallë dhe shëndosh e mirë!

KOS e arsyetonte dhe përkrahte luftën që po zhvillohej në Kroaci e Bosnje, zhvillonin ideologjinë për krijimin e Serbisë së Madhe, i bekonte udhëheqësit e formacioneve ushtarake e paramilitare, Karaxhiqin, Mlladiqin,   Sheshelin, Arkanin e të gjithë të tjerët, të cilët bënin masakra në popullsinë civile. Në Manastirin e Cetinjes (korrik 1991) Arkani me paramilitarët e tij (‘Tigrovi’) qëndroi disa ditë, duke u përgatitur për të shkuar në Dubrovnik. Ai thoshte: ‘Komandanti suprem yni është patriarku Pavle’, ndërsa Pavle nuk distancohej nga kjo as nga krimet që kryenin me emrin e tij. Po kishte edhe prelat të lartë kishtar të cilët shkonin në luftë bashkë me forcat paramilitre; fotografitë e tyre me mitralez në krah, ose të hipur në tanke pranë mitralezit, i patën vërshuar mediat botërore. Ndonjë prelat i lartë (peshkopi Kaçavenda) akuzohej edhe për dhunimin e femrave boshnjake, sikur akuzohej më vonë për pedofili në ambientet kishtare. 

KOS i ka kundërshtuar të gjitha marrëveshjet paqësore që ofronte faktori ndërkombëtar, duke filluar nga Plani Vens-Owen, Planin e Grupit të Kontaktit, Marrëveshjen e Dejtonit etj. Prelatë të lartë të KOS luftën në Bosnje e quanin ‘luftë e shejtë’, e drejtë, pravosllave, edhepse aty kryheshin mizoritë të më të mëdha, deri në gjenocid.

Kështu veproi KOS edhe në luftën e zhvilluar në Kosovë (1998/99). Kisha dhe shteti i Serbisë paraprakisht, me gënjeshtrat dhe propagandën për rrezikimin e serbëve të Kosovës, kishin krijuar klimën e urrejtjes patologjike, e cila shprehej e zbatohej në praktikë më krimet monstruoze që kryenin forcat serbe në terren, me vrasje, dhunime, masakra, djegëje e shkatërrime. Kisha asnjëherë zyrtarisht nuk i dënoi ato krime, veçse apelonte te popullsia serbe të mos e braktisin Kosovën: ‘Mos i braktisni shtëpitë tuaja për asnjë shkak, sepse vetëm ashtu mund ta ruajmë Kosovën tonë të shenjtë në kuadër të Serbisë. Braktisja e shtëpive është tradhti e idealeve më të larta, për të cilat janë sakrifikuar knjaz Llazari dhe të parët tanë’, apelonte Sinodi i shenjtë i KOS (1998). Vet patriku Pavle për luftën në Kosovë thoshte: ‘Kjo luftë (në Kosovë) është luftë mbrojtëse, prandaj është e bekuar nga vetë Zoti. Nuk kemi pasur rrugë tjetër; nuk është luftë sulmuese as pushtuese. Jezusi ka thënë: Nuk ka virtyt më i lartë se sa kur dikush e flijon jetën për të afërmit e vet. Ai që shkon në luftë mbrojtëse e ka bekimin e Zotit’, – nxiste për luftë kreu i kishës serbe. 

Ajo kishë kurrë nuk i gjykoi krimet që bënë forcat serbe ndaj popullsisë civile në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë e Kosovë, madje nuk e ngriti zërin as kundër rrënimit të xhamive myslimane e të kishave katolike. Përkundrazi, përkrahu, shërbeu si logjistikë dhe i bekoi, lavdëroi e nxiti udhëheqësit dhe pjesëtarët formacioneve kriminale të cilët bënin krime. Nuk ishte i rastësishëm refereni i këngës që kondonte Gjorgje Ballasheviqit, e cila u bë hit gjatë kohës së luftës: ‘Prvo dolaze popovi, pa topovi, pa lopovi’ (shq. së pari vijnë popat, pastaj topat, pastaj banditët).

Karakterin kriminal të Kishës Ortodokse Serbe e ka vërtetuar edhe gjykata franceze e Parisit, në procesin gjyqësor të zhvilluar në qershor të vitit 1995. Atëherë KOS e kishte paditur gazetën Liberation, për shkak të botimit të një shkrimi, në të cilin tregoheshin lidhjet midis shtetit dhe kishës ortodokse në spastrimin etnik në BH. Në një mënyrë gazeta e implikonte edhe patriarkun Pavle në ato krime. Pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe ekspertëve, Gjykata (më 26 qershor 1995), në dispozitivin dhe në arsyetimin e aktgjykimit kishte vërtetuar se shkrimi i botuar në gazetë nuk ishte shpifje, por vetëm e ka treguar të vërtetën për përkrahjen dhe involvimin e kishës në pastrimet etnike dhe krimet tjera në BH. Gjykata e kishte liruar  nga përgjegjësia kryeredaktorin e gazetës dhe autoren e shkrimit. Kështu, në mënyrë indirekte e kishte gjykuar Kishën Ortodokse Serbe për rolin e saj në krimet e kryera, gjë që është gjykimi i parë dhe i vetëm i një kishe në Europë për krime të luftës.

Kishat e manastiret si kazerma ushtarake e depo armësh

Kryetarja e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik, Alisha Kerns, në fjalimin e mbajtur në Parlamentin britanik, më 4 korrik 2023, e akuzoi Kishën Ortodokse serbe, se po bënë kontrabandë me armë, të cilat po i sjell nga Serbia në Kosovë. Ajo tha se ushtarët (britanikë) të cilët janë kthyer nga shërbimi në kuadër  të KFOR-it, kanë treguar se KOS po kontrabandonte armë me automjete të ndihmës së shpejtë dhe po i fuste në manastire. Derisa trupat tona merrnin lejen për të vizituar objektet, ‘ndihma e shpejtë i nxirrte armët nga kisha’. Çfarë ironie: organet kompetente (madje edhe KFOR-i) duhet të merr leje për t’i ndjekur kontrabandistët e armëve dhe kriminelët që fshehën në ambientet e KOS.

Deklarata e zonjës Kerns ishte vetëm një konfirmim në arenën ndërkombëtare, për atë që dihej prej kohësh, se kishat dhe manastiret e KOS janë fortitifikata, në të cilat deponohen armë, sikur depotë e Mbrojtjes së dikurshme territoriale. Ato e shfrytëzojnë statusin e eksterritorialitetit, mosçasjes së organeve të pushtetit në objektet kishtare, për të grumbulluar armë e kriminelë brenda ‘fortifikatave të tyre’. Këtë e kanë praktikuar në kohën e luftërave në ish-Jugosllavi, dhe vazhdojnë  ta praktikojnë edhe tash, në kohë të paqes relative, sepse gjithnjë kanë në mendje luftën dhe pushtimet. Gjatë luftës në Kroaci, janë gjetur armë në varrezat e kishës serbe dhe në Manastirin Gominje, të Gorski Kotarit. Këtë e ka vërtetuar vet Gjenerali Klark.

Në kohën para zgjedhjeve të përgjithshme në Mal të Zi, kohë e protestave që organizonte KOS, të cilat i quante ‘litije’, për ta rrëzuar pushtetin atje, manastiri i Cetinës armatosej për rezistencë të armatosur, në rast se dështonte rrëzuarja e pushtetit me zgjedhje. Është shpallë, dhe i është dorëzuar prokurorisë së shtetit të Malit të Zi, transkripti i bisedës së zhvilluar të personave të Manastirit të Cetinjës me personat e organizatës terroriste ‘Shkalari’, për blerjen e 100 pushkëve kallashnjikovë AK-47. Pas atij zbulimi, u hap barcoleta: ‘’Batina izasla iz raja, a kalasnjikovi iz Cetinjskog manastira’ (‘Dajaku ka dalë nga xheneti, ndërsa kallashnjikovët nga Manastiri i Cetinjes’). Dhe nuk është fjala për ndonjë metaforë, por për një realitet brenda KOS, të përkrahur e ndihmuar nga strukturat e shtetit të Serbisë e të Rusisë. 

Në Novi Sad janë zbuluar personalitete kishtare, të cilët shëtisnin rrugëve me kryq në dorë, e me ‘Hekler’ nën veladon!

Arsenali i llojeve të ndryshme të armëve, edhe aso të rënda, që u gjet në Manastirin e Banjskës, në Kosovë (24 shtator 2023) veçse e vërteton realitetin, se KOS është organizatë paramilitare, terroriste, që në sinkroni me strukturat e pushtetit të Serbisë e të Rusisë, lufton për destabilizimin e shteteve fqinje.  Këtë e ka konstatuar edhe Parlamenti Europian në rezolutën e tij (14.03.2022,  në të cilën është konstatuar se ‘involvimet e jashtme mund të ndikojnë në instrumentalizimin e institucioneve fetare, sikur është ndikimi i Rusisë në kishat ortodokse në Serbi, Mal të Zi dhe BeH, veçmas në entitetin e quajtur Republika Srpska. Me këtë shkaktojnë përçarje midis popullsisë lokale, zhvillojnë shkrimin e njëanshëm të historisë dhe promovojnë programe antieuropiane’’.

Në Rezolutën e Parlamentit Europian (19.X.2023), për rastin e Banjskes është gjykuar sulmi terrorist që është zhvilluar nga Manastiri, me ç’rast u vra oficeri i policisë së Kosovës dhe disa persona tjerë nga radhët e terroristëve.

Po të ishte gjetur, qoftë edhe një pushkë në ndonjë xhami myslimane apo  në kishë katolike të Kosovës, Serbia do të kërkonte urgjentisht mbledhjen e Këshillit të Sigurimit! Ndërkaq, arsenalin e armëve të gjetura në ambientet e Manastirit të Banjskës dhe  aktin terrorist të kryer nga ai ambient, pushteti i Serbisë e arsyeton me ’mbrojtjen e popullsisë nga zullumi që po ushtron Albin Kurti mbi popullsinë serbe’’!

Organet kompetente të pushtetit të Kosovës, duhet të jenë shumë më vigjilente dhe të bashkëpunojnë ngushtë me KFOR-in për të parandaluar dhe kontrolluar ambientet e kishave dhe manastireve të KOS, për të mos lejuar grumbullimin e armëve dhe fortifimin e terroristëve në ambientet e tyre. Organet legjitime të pushtetit nuk duhet të kërkojnë lejen e subjektit të cilin duhet ta kontrollojnë, por lejen-urdhërin e prokurorisë kompetente. A do të kërkonin organet e Serbisë leje për të kontrolluar ndonjë xhami në Luginën e Preshevës,poqese vërejnë se aty po grumbullohen armë?! Eksterritorialiteti nuk do të thotë se kishat e manastiret mund të shndërrohen në depo armësh e fortifikata terroristësh.

 

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …