Ahmet Qeriqi: Dita e fundit e transmetimit të programit të Radios Kosova e Lirë në Majën e Pallanikut. Forcat serbe janë dëbuar definitivisht nga vendi ynë. (E hënë 21 qershor 1999)

Ahmet Qeriqi: Dita e fundit e transmetimit të programit të Radios Kosova e Lirë në Majën e Pallanikut. Forcat serbe janë dëbuar definitivisht nga vendi ynë. (E hënë 21 qershor 1999)

Është bërë i njohur lajmi për largimin definitiv të ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova. Së bashku me ushtrinë kriminale po largohen edhe shumë serbë, sidomos ata që kanë përlyer duart me gjakun e shqiptarëve.

Kësaj radhe serbët e kanë realizuar çdo pikë të Marrëveshjes për tërheqje e cila është realizuar dy ditë më parë, por sot është zyrtarizuar. Forcat franceze kanë zënë Mitrovicën ndërsa një pjesë e madhe e serbëve është ndalur në pjesën veriore të qytetit. Edhe forcat ruse janë stacionuar në Fushë Kosovë dhe në Aeroportin e Prishtinës. Po flitet se forcat ruse do të inkuadrohen në radhët e KFOR-it. Në Kosovë tanimë kanë depërtuar forcat amerikane, gjermane, austriake e të tjerë.

Sot morëm një lajm të hidhur. Në përpjekje për të deminuar vendin në oborrin e Shkollës, në Lagjen e Bytyçve, kanë rënë dy luftëtarë të lirisë, dy ushtarë anglezë dhe një rojtar i shkollës. Me rastin e largimit të minave, njërit nga ushtarët e huaj i ka shpëtuar bomba kasetë nga dora dhe nga shpërthimi kanë gjetur vdekjen të gjithë. Barbarët janë larguar por prapa kanë lënë gjurmët e sodomisë së tyre kriminale .Në mesin e ushtarëve të rënë janë Sami Gashi dhe një luftëtar tjetër nga Arllati.

Sot kemi paralajmëruar ditën e fundit të transmetimit të emisionit në majën e Pallanikut. Përmes një shënimi që e kam hartuar i kam bërë të ditur emrat dhe mbiemrat e anëtarëve të stafit dhe punën që kanë kryer gjatë kësaj periudhe  afër gjashtëmujore.

Ndërprerja e programit pikërisht në ditën e largimit zyrtar dhe definitiv të serbëve nga Kosova ka  simbolikën e vet domethënëse. Paralajmërimi i fitores qysh më 4 janar ishte një hap tejet i guximshëm, por tani i bërë realitet.

Radio-Kosova e Lirë ka kryer misionin që ka caktuar vetvetes dhe sot po e përmbyll kapitullin më të rëndë por edhe më të lavdishëm të ekzistencës së vet. Ishte radioja e vetme e luftës në Kosovë që së bashku me agjencinë Kosovapres, u bënë jehonë e vërtetë e luftës çlirimtare.

Me radion tonë kanë bashkëpunuar qindra liridashës nga mbarë trevat e përfshira në luftime. Në fushën e nderit ka rënë Xhavit Bajraktari anëtar i stafit në terren. Në mbrojtje të Rrafshnaltës dhe të pozicioneve tona nga ku kemi transmetuar prej 1 prillit deri më 2 maj 1999 kanë rënë  11 dëshmorë të lirisë.

Në Brigadën 121, të Zonës Operative të Pashtrikut, ku e ka shtrirë aktivitetin transmetues Radioja Kosova e Lirë dhe Agjencia kosovapres kanë rënë 65 dëshmorë, në mesin e tyre edhe Ismet Jashari -Komandant Kumanova.

Në mbrëmje nga Pjetërshtica ka ardhur Ali Mullini dhe Fatmir Dugolli. Mjetet dhe pajisjet teknike i kemi tërhequr nga Pallaniku dhe i kemi vendosur në strehimoren tonë të paharrueshme te Rrezja e Baliqit.

Nezir Myrtaj dhe Nusret Pllana janë nisur për në Prishtinë. Valdet Hoti ka shkuar në Carrallukë. Pasi përshëndetemi me familjen e Rizah Berishës, me xha Asllanin, me nënë Belen dhe me të tjerët, me shpresë se do të takohemi në Prishtinë te Nezir Myrtaj apo Martin Çuni, me Ali Mullinin dhe Fatmir Dugollin nisemi për në Krojmir…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Transmetimit të programit në maje të Pallanikut po i vjen fundi (E diel 20 qershor, 1999)

Ahmet Qeriqi: Transmetimit të programit në maje të Pallanikut po i vjen fundi (E diel 20 qershor, 1999)

Duke qenë se tani për tani kam mbetur vetëm, gjatë orëve të para ditës i …