Ahmet Qeriqi: Edhe disa veprime të tjera të papërgjegjshme të individëve të caktuar. E diel 2 maj, 1999

Ahmet Qeriqi: Edhe disa veprime të tjera të papërgjegjshme të individëve të caktuar. (E diel 2 maj, 1999)

Vazhdojnë sulmet e Aleancës ushtarake Veriatlantike kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me rastin e goditjes së një ure në jugun e Serbisë, aeroplanët e NATO-s kanë goditur një autobus me paramilitarë serbë.

Sot në tendën tonë në Rreze të Baliqit ka ardhur për të na vizituar, Avdyl Krasniqi, vëllai i Jakup Krasniqit me një mik të tij. Avdyli qysh prej fillimit të luftës është angazhuar në radhët e saj. Ai erdhi  meqë së bashku me familjen e ka depërtuar në Rrafshnaltë.

Në kohën derisa po bisedonin me Avdylin dhe Nezirin u dëgjua shpërthimi i fuqishëm i një rakete tokë-tokë e cila goditi diku krejt afër. Nga rrëmuja që u krijua në mesin e popullatës së zhvendosur mësojmë se ajo ka goditur në mesin e popullatës te Livadhi në Zabelin e madh të Fshatit të Ri ku ndodhet një koncentrim të madh të të zhvendosurve. Disa çaste më vonë mësojmë se nga shpërthimi i raketës ka mbetur e vdekur një grua e fshatit Arllat, ndërsa janë plagosur rëndë dy fëmijë njëri katër tjetri pesë vjeçar. Edhe pse eksplodimi ka qenë jashtëzakonisht i fuqishëm të tjerët kanë shpëtuar me ndonjë gërvishtje dhe përplasje për tokë nga fuqia e lëndës shpërthyese.

Pasi  e kemi transmetuar emisionin së bashku me Fatmir Dugollin jamë nisur për në Krojmir. Rrugës kemi ecur me hap ushtarak. Nga rrugëtimi i përditshëm kam fituar dhe kondicion, ndërsa sot kemi thyer edhe rekordin e rrugëtimit. Rrugën prej Pallanikut deri në Grykë të Krojmirit e kemi kaluar për 2 orë e 50 minuta.

Sapo kam hyrë në tendë u dëgjua një zë që e kërkonte Epirin. Ishte një ushtar i panjohur i cili kërkon nga Epiri që t`i bashkohet vullnetarëve për të hapur bunkerë në një vend për të cilin unë nuk kam informacion. Epiri po mundohej t`i tregonte se ka qenë roje gjatë natës dhe tani për pak kohë duhet të shkojë sërish në rojë por ai këmbëngul dhe insiston me çdo kusht. Një tjetër ushtar nga larg kërcënon duke i thënë –çka po e lut kape me zor. Dal nga tenda me qëllim që të mësoj se ç po bëhet. Personi që po fjalosej me Epirin ishte një polic ushtarak. Kërkoj të di se kush është duke i treguar edhe vet se cili jam, por atij nuk i bën përshtypje. Vetëm kur i them se nesër në Kleçkë i drejtojmë punët te Çeliku, atëherë ai pa bërë zë ulë kokën dhe largohet përpjetë. Epiri më bën me dije se para dy tri ditëve kanë ardhur dhjetëra  të tillë me uniforma të policisë ushtarake, të cilët vetëm shëtisin në mesin e popullatës dhe ndërhyjnë nëpër tenda duke u sjellë në mënyrë shumë arrogante.

E marr me mend se mu për këtë edhe është bërë ndalimi  i Sylës dhe i tre luftëtarëve të tjerë. Tani kur duhet luftuar në vijat e fronit, vjen dikush të cilin nuk e njeh as e di kush është dhe kërkon ta bëjë ligjin.

Në mbrëmje vjen edhe Elez Durmishi dhe më shpjegon për rastin e ndalimit  të Sylës dhe të tjerëve. Syla është liruar ndërkohë, ndërsa Dalipi dhe Ajvazi janë sistemuar në njësitin e Tërpezës në vijen e frontit. Në arrest ka mbetur vetëm Azem Olluri. Elezi më tregon se ka biseduar me Rexhep Selimin, ndërsa Sylën e ka liruar vetë Sylejman Selimi. Rexha nuk ka e ka bërë të njohur shkakun e arrestimit, por ka premtuar se do të bëjë çmos për ta sqaruar problemin deri në fund.

Elezi ka dyshime shumë të thella. Ai tregon se ka qenë në presion të shumicës së luftëtarëve dhe për pak ka arritur ta ndalë ultimatumin e tyre për të depërtuar në Shtab dhe për të kërkuar lirim e tyre.( 5 rreshta të koduar)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një informatë e Radios Kosova e Lirë, drejtuar Shon Bërnsit në Shkup (E enjte 13 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një informatë e Radios Kosova e Lirë, drejtuar Shon Bërnsit në Shkup (E enjte 13 maj, 1999)

Në mëngjes në tendën tonë erdhi eprori, Muharrem Sylejmani. Ai tregon se ka një defekt …