Ahmet Qeriqi: Ende në Berishë dhe në maje të Pallanikut, jehon zëri i Radios Kosova e Lirë E shtunë 19 qershor, 1999

Ahmet Qeriqi: Ende në Berishë dhe në maje të Pallanikut, jehon zëri i Radios Kosova e Lirë. E shtunë (19 qershor, 1999)

Në mëngjes me Ali Mullinin jemi nisur për në Berishë. Me ne ka ardhur edhe Arbana me Zamirin me qëllim që të bisedojnë me bijën time Antigonën e cila ndodhet në Gjermani. Në rrugë e kemi marrë edhe Dalip Rizanin. Ai ka punë në Shtab.

Rrugën për në Berishë e kemi bërë nëpër Koamaran, Llapushnik, Arllat, Lagja e Bytyçve, Fshat i Ri, Berishë. Për herë të parë kemi rrugëtuar në këto anë. Rrugës kemi vërejtur shtëpi të shkatërruara dhe barbari të tjera që kanë lënë pas barbarët.

Rreth mesditës së bashku me Martin Çunin kemi shkuar te Pallati i Qeverisë me qëllim për të biseduar me Jakup Krasniqin lidhur me vazhdimin apo ndërprerjen e transmetimit të programit të Radios.

Edhe pse kemi biseduar me Jakup Krasniqin, nuk kemi vendosur definitivisht se çfarë do të bëjmë.  Si duket tani Radioja e ka kryer misionin e vet dhe më nuk iu intereson anëtarëve të Shtabit.

Ndërkohë nga Shtimja kanë ardhur Reshat Gashi dhe Faruk Gashi. Ata kanë sjellë edhe xhipin e radios, të cilin ditë më parë e ka lënë Nusreti në Caralevë.

Arbana dhe Zamiri janë kthyer në Krojmir me Reshatin, ndërsa unë e Martini kemi shkuar në Berishë.

Pas transmetimit të programit janë nisur për në Prishtinë Martin Çuni, Nezir Myrtaj, Nusret Pllana, Valdet Hoti dhe Rizah Berisha.

Sonte në Berishë kemi mbetur vetëm unë, Fatmir Dugolli dhe Milaim Berisha, vëllai i Rizahut.

Më vonë e kam marrë në telefon Azem Sylën dhe kam kërkuar mendimin e tij lidhur me Radion dhe anëtarët e stafit. As Azemi nuk ka ndonjë ide konkrete dhe më porosit që mundësisht të mos e ndërpresim transmetimin. Ai premton se do të bëjë çmos për të na ndihmuar në kompletimin e pajisjeve.

E ardhmja e Radios-Kosova e Lirë duket shumë e zymtë. Nuk kam ide se do të veprojmë në kushte dhe rrethana të reja me këto pajisje të dobëta teknike që janë në përfundim e sipër. Nuk kemi siguruar vend ku do të mund të vendosemi në Prishtinë. Të qëndrojmë edhe më tutje në Berishë është e pamundshme. Tani secili po kërkon të kthehet në shtëpi të vet. Në njëfarë mënyre kemi mbetur varur dhe nuk di si do t`ia bëjmë.

Pavarësisht nga të gjitha gëzon fakti se kemi shpëtuar të gjithë dhe kemi kryer një mision informativ të pazëvendësueshëm, edhe pse në kushte tejet të rënda dhe në mungesë të shprehur mbështetjeje e mirëkuptimi. Mirëpo puna, djersa, gjaku po shpaguhen me lirinë e vendit. Për herë të parë në historinë tonë më të re po marrin frymë lirshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Dita e fundit e transmetimit të programit të Radios Kosova e Lirë në Majën e Pallanikut. Forcat serbe janë dëbuar definitivisht nga vendi ynë. (E hënë 21 qershor 1999)

Ahmet Qeriqi: Dita e fundit e transmetimit të programit të Radios Kosova e Lirë në Majën e Pallanikut. Forcat serbe janë dëbuar definitivisht nga vendi ynë. (E hënë 21 qershor 1999)

Është bërë i njohur lajmi për largimin definitiv të ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova. …