Ahmet Qeriqi: Një lajm i befasishëm dhe shumë i rrezikshëm (E shtunë 1 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një lajm i befasishëm dhe shumë i rrezikshëm (E shtunë 1 maj, 1999)

Sot në tendën tonë në Berishë, kanë ardhur nga Krojmiri Faruk Gashi dhe Nusret Gashi. Nusreti më ka bërë me dije se baba dhe familja e vëllait tim të ndjerë Isufit, është vendosur në Mallapolc, ndërsa nëna po rri te Haki Hysiqi në Shtimje.

Faruk Gashi më tregoi një lajm të hidhur. Ai thotë se Policia Ushtarake e Shtabit ka ndaluar  për të marrë në pyetje  Sylë Qeriqin, Ajvaz Karpuzin, Dalip Rizanin dhe Azem Ollurin. Lajmi më erdhi si rrufe edhe pse Farukut nuk i besoj gjithaq, po jam i sigurt se diçka të tillë ai nuk ka guxuar të trillojë. Ai thotë se fillimisht  përmes Yz Gashit, polic ushtarak nga Pjetërshtica  Sylës dhe të tjerëve iu kanë bërë me dije që me armët e tyre të shkojnë në Shtab, për të kryer një detyrë urgjente.

( 20 rreshta të koduar)

Pa humbur kohë nisem në drejtim të Shtëpisë ku zakonisht rri Rexhep Selimi por roja në hyrje më bën me dije se ai nuk ndodhet aty.

Më vonë kam depërtuar në Shtabin e Brigadës në Kleçkë. Nga ushtari që bën roje kërkoj që të takohem me Haxhi Shalën apo me ndonjë nga komandantët e tjerë. Derisa unë pres në hyrje, pas pak çastesh ushtari kthehet dhe më thotë se nuk është asnjëri prej komandantëve. E marr me mend se është e pamundshme të mos ndodhet askush, mirëpo nuk insistoj të hyj brenda  nga frika se mos po prishen edhe më keq punët.

Kthehem sërish në Berishë i mbushur vrerë dhe helm. Nuk di si të veproj, ndërsa jam i sigurt se Elezi nga çasti në çast do të vijë ose do të më lajmërojë përmes ndokujt. Duhet të jetë ndonjë keqkuptim…

Gjërat kanë filluar të rrokullisën nga e prapa. Pikërisht në këso momente vendimtare dikush ngrit dorë kundër luftëtarëve më të dëshmuar, kundër më militantëve të cilët prej ditës së parë të luftimeve kanë qëndruar në front, ndërsa veprimtaria e tyre ilegale ka filluar prej vitit 1991. Krejt kjo më rikthen në kujtesë vrasjen mizore të Jetë Hasanit dhe sa e sa mbrapshtive të tjera që kanë ndodhur deri tani…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Takim në rrugë me Muhamet Lladrovcin, babanë e dëshmorit të kombit Fehmi Lladrovci (E hënë 10 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Takim në rrugë me Muhamet Lladrovcin, babanë e dëshmorit të kombit Fehmi Lladrovci (E hënë 10 maj, 1999)

Moti ka filluar të përmirësohet. Gjelbërimi është shtrirë në të gjitha poret e natyrës. Dushku …