Ahmet Qeriqi: Transmetimit të programit në maje të Pallanikut po i vjen fundi (E diel 20 qershor, 1999)

Ahmet Qeriqi: Transmetimit të programit në maje të Pallanikut po i vjen fundi (E diel 20 qershor, 1999)

Duke qenë se tani për tani kam mbetur vetëm, gjatë orëve të para ditës i kam përcjellë me vëmendje lajmet, në përpjekje për të sajuar sa më shumë informata për zhvillimet aktuale.

Kam hartuar edhe një shënim tematik për luftën dhe heroizmin e luftëtarëve tanë në mbrojtje të pozicioneve të UÇK-së në Rrafshnaltë.

Rreth mesditës nga Prishtina kanë ardhur Nezir Myrtaj, Nusret Pllana, Valdet Hoti dhe Rizah Berisha. Martini ka mbetur në Prishtinë.

Programin ditor e kemi përgatitur dhe e kemi transmetuar me kohë. Rrugën prej shtëpisë së Rizah Berishës e deri afër Pallanikut e bëjmë me veturë dhe pa droje nga raketat armike, të cilat ende shihen kudo të ngulura në tokë.

Pas transmetimit jemi tubuar në odën e Rizës dhe kemi biseduar për të ardhmen e radios.

Nezir Myrtaj ka biseduar përmes telefonit me Azem Sylën.

E kemi vështirë të vendosim vetë për statusin dhe të ardhmen e Radios, meqë mjetet dhe teknika janë të Shtabit të Përgjithshëm dhe nuk mund të tjetërsohen as të privatizohen, edhe pse këto mjete teknike janë në mbarim e sipër dhe nuk mund e shtyjmë gjatë me to.

Duke qenë se nesër më 21 qershor edhe zyrtarisht po përmbyllet kapitulli i luftës dhe i tërheqjes definitive të ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova, konsiderojmë se edhe misioni ynë si Radio e luftës ka përfunduar. Kemi vendosur që nesër ta njoftojmë opinionin për ndërprerjen e programit me shpresë se nuk do të vonojmë dhe në kushte e rrethana  të reja të fillojmë punën në Prishtinë.

Deri natën vonë kemi biseduar.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Dita e fundit e transmetimit të programit të Radios Kosova e Lirë në Majën e Pallanikut. Forcat serbe janë dëbuar definitivisht nga vendi ynë. (E hënë 21 qershor 1999)

Ahmet Qeriqi: Dita e fundit e transmetimit të programit të Radios Kosova e Lirë në Majën e Pallanikut. Forcat serbe janë dëbuar definitivisht nga vendi ynë. (E hënë 21 qershor 1999)

Është bërë i njohur lajmi për largimin definitiv të ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova. …