Radio-Kosova e Lirë sot shënoi 25-vjetorin e përfundimit me sukses të misionit informativ, historik, gjatë luftës së UÇK-së

Radio-Kosova e Lirë, në bashkëpunim me TV-Diellin dhe përkrahës e ndihmës të saj, sot shënoi 25-vjetorin e kryerjes me sukses të misionit informativ,  historik, gjatë luftës së UÇK-së, dhe aktivitetin e shumanshëm të deritanishëm, gjatë këtij çerek-shekulli.  25 vjet më parë,  Radio-Kosova e Lirë  kishte përgatitur dhe kishte  transmetuar emisionin e fundit nga Malet e Berishës, në Rrafshnaltën e Drenicës, pikërisht në ditën kur nga Kosova ishte larguar, përgjithmonë dhe me turp të përjetshëm makineria vrastare e regjimit të Millosheviqit, e cila më 9 qershor kishte nënshkruar kapitullimin pas bombardimit për 78 ditë nga forcat e NATO-s.

Sot para të pranishmëve të shumtë, gjatë ekspozimit të fjalës tematike,  kryeredaktorja e Radios, Arbanë Qeriqi-Gashi  tha;

Gjysmën e jetës sime të deritanishme  e kam të lidhur ngushtë me Radion Kosova e Lirë, andaj kam edhe emocione të veçanta në këtë përvjetor jubilar, për shkaqe dhe arsye të kuptueshme. Është i hidhur fakti se në këtë mes mungon drejtori i Radios, babai im, Ahmet Qeriqi, i cili është i sëmurë, është shqetësues edhe fakti i përpjekjeve të një grupi pre  5 ish pjesëtarëve të Radios  dy nga stafi e tre nga bashkëpunëtorët,  nga 32 sa kemi qene gjatë luftës, të ndahet  duke u vetëquajtur “staf i luftës, i cili ka shprehur qëllim që mjetet e pajisjet e këtij  e këtij muzeu, ku aktualisht transmetojmë programin ditor 24 orë,  të zhvendosen në Muzeun e Kosovës, pa asnjë lajmërim, pa marrëveshje paraprake me Drejtorinë, por në mënyrë arbitrare, duke njohur veten si staf  vetëm deri më 21 qershor 1999 dhe duke injoruar Drejtorinë e Radios dhe punën  e pandërprerë, 25-vjeçare të saj.

Një fjalë rasti e mbajti ish komandanti i Zonës së Pashtrikut, gjeneral Sadik Halitjaha. Ai foli me këtë rast për rolin dhe kontributin qe ka dhënë kjo Radio bashkë me agjencinë Kosovapress në informim sidomos  gjatë luftës së UÇK-së, por edhe kontributin në ruajtjen dhe prezantimin ditor të këtyre vlerave, për më shumë se 25 vite. Gjeneral Sadik Halitjaha i bëri një përshkrim realist punës dhe angazhimit të kësaj radioje   edhe pse pa përkrahje të duhur institucionale, edhe pse me  përpjekje të papërgjegjshme të disa ish ish-gazetarëve  për ta përcarë për përfitime politike e materiale.  Ai kërkoi me këtë rast që të ruhet, të ndihmohet dhe të përkrahet kjo emblemë historike e informimit, kjo Radio e themeluar nga SHP i UÇK-së, për të qenë dhe për të mbetur zëdhënëse besnike e vlerave tona kombëtare.

Pastaj fjalën e mori koloneli në pension i UÇK-TMK-së, Elez Durmishi, i cili foli edhe për vështirësitë dhe pengesat me të cilat padrejtësisht po ballafaqohet, Radio-Kosova e Lirë, nga klane njerëzish të papërgjegjshëm.

Sot në këtë përvjetor jubilar,  në 25-vjetorin e kryerjes së misionit informativ,  historik,  të Radios-Kosova e Lirë, pozita e këtij mediumi vazhdon të mos merret në mbrojtje institucionale, por edhe për më keq, për interesa grupore dhe me qëllime të caktuara, dy anëtarë të stafit gjatë luftës e tre bashkëpunëtorë të tyre, kanë themeluar të ashtuquajturin ‘staf të luftës’, me qëllime që janë bërë publike dhe që kanë shkaktuar  pasoja por edhe indinjatë në   Radios-Kosova e Lirë, dhe të bashkëpunëtoreve, reporterëve dhe gazetarëve të kohës të luftës dhe pa luftës si dhe mijëra dëgjuesve e simpatizuesve  të saj.

Ky objekt këtu, Shtëpia-Muze  u ndërtua nga UÇK-TMK-ja, nga pjesëtarë të Brigadës 313, Ismet Jashari-Kumanova dhe është modest nga pamja por i veçantë nga  vlera dhe përmbajtja e saj. Andaj edhe ndihemi të indinjuar, pak sa edhe të mllefosur kur dikush kërkon të shuhet ky Muze dhe teknika e pajisjet  të dërgohen në Muzeun e Kosovës,  duke injoruar  Drejtorinë  e Radios, madje pa asnjë  lajmërim paraprak, dhe duke e ditur se drejtori,  Ahmet Qeriqi, po ballafaqohet me një sëmundje të rëndë. Por Radio-Kosova e lirë ka qenë, është dhe do të mbetet për jetë e mote, si vlerë e luftës dhe e paqes,  në vendin tonë. Andaj ata që pretendojnë të ndajnë, ta copëtojnë, për interesa politike apo për përfitime grupore, u bëjmë me dije se kjo Shtëpi-Muze këtu, vendi te ‘Rezja e Baliqit, ‘Te Maja e Pallanikut, pastaj selia e parë, në Krojmir, selia qendrore në Prishtinë, janë një tërësi e cila nuk mund të tjetërsohet, të ndahet  as të copëtohet, sipas tekeve të individëve të caktuar, cilët do qofshin ata.

Në shënim të këtij përvjetori gjenerali i luftës Lahi Brahimaj i ndau një mirënjohje Radios dhe drejtorit të saj, profesor Ahmet Qeriqi, duke përgëzuar edhe tërë stafin për punën e palodhshme në ndri]imin dhe prezantimin ditor të dëshmorëve.

Në vazhdim të shënimit të 25-vjetorit të përfundimit me sukses të misionit informativ, historik, gjatë luftës së UÇK-së kanë folur edhe shumë veprimtarë, eprorë dhe luftëtarë të lirisë, invalidë e veteranë, zyrtarë komunash dhe të pranishëm të tjerë:

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari,

Përfaqësuesi i shoqatave të luftës së Malishevës, Metush Kryeziu,

Veprimtari dhe ish i burgosuri politik, Nait Hasani,

Nga Njësia  e Shtabit të Përgjithshëm, Ajvaz Berisha

Kryetari komunës së Decanit, Bashkim Ramosaj,

Eprori i lartë i Zonës Operative të Llapit gjatë luftës, Fatmir Sopi,

Veterani dhe invalidi i luftës, nga Brigada 121,  Fatmir Shurdha,

Nga Zona Operative e Shalës së Bajgorës, Nexhat Dedia,

Një fjalë përmbyllëse e  mbajti edhe gazetari e shefi i marketingut, Jeton Syla, i cili foli për vetëfinancimin e Radios nga firmat reklamuese, për vështirësitë financiare por edhe për mbijetesën e deritanishme e në vazhdim të të gjithë atyre që kanë bashkëpunuar dhe bashkëpunojnë me qëllim që të mos lejojnë të shuhet ky zi i luftës dhe i paqes në vendin tonë.

Në fund në emër të Radio-Kosova e Lirë, kryeredaktorja, Arbanë Qeriqi-Gashi  falënderoi përzemërsisht të pranishmit të cilët përballuan pikun e vapës së mesditës, duke treguar sakrificë, përkushtim e mirëkuptim…

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Roli dhe kontributi i Radios Kosova e Lirë në informim dhe mobilizim ushtarak gjatë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Pas rënies së kryekomandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe Jasharëve, në Prekaz, …