Sabri Vehbi Krivaqa (11.12.1975 - 19.6.1999)

Sabri Vehbi Krivaqa (11.12.1975 – 19.6.1999)

Sabri Krivaqa ka lindur me 11 dhjetor të vitit 1975 në Gjilan. Shkollimin fillor e kreu në Dardanë në shkollën “16 Nëntori”, tani shkolla fillore “Fan Noli”. Shkollimin e mesëm e filloi në Dardanë, por pas dy viteve kur regjimi serb i Milosheviqit aplikoi masat e dhunshme, mësimet iu dashtë t’i vazhdojë në fshatin Koretin, në shkollën “9 Maji”.
Në vitin 1994 mbaron shkollën e mesme dega e matematikës me sukses shembullor. Dëshira e tij ishte që të studionte në fakultetin e Mjekësisë, por kjo dëshirë nuk iu realizua dot, përkundër që për pesë vite rresht konkurroi në këtë fakultet.
Sabriu ishte mjaft aktiv në të gjitha aktivitetet atdhetare patriotike dhe tubimet popullore që janë organizuar në Dardanë e më gjerë. Kontaktet e para me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, i mori me disa shokë në fshatin Marec, në Zonën Operative të Karadakut në Brigadën 172 “ Isa Kastrati”. Sabri Krivaqa, pas stërvitjeve ushtarake, ka furnizuar disa herë UÇK-në, me armatim. Në një operacion luftarak kur luftëtarët çlirimtarë synonin ta merrnin antenën e radio lidhjeve pas disa orë luftimesh Sabriu, kishte treguar jo vetëm trimëri por edhe shkathtësi e gjeturi. Bashkëluftëtarë të luftës kishte edhe vëllanë e tij, Driton Krivaqa, pastaj luftëtarët e eprorët e tjerë Ahmet Isufi, më vonë Komandant i Zonës Operative të Karadakut, pastaj veprimtarët e njohur si: Emin Krasniqi, Milaim Limoni e shumë të tjerë.
Në ditët e para të pas luftës, në përpjekje për të mos lejuar forcat serbe të kryenin masakra kundër popullatës civile shqiptare gjatë tërheqjes për në Serbi, në qershor të vitit 1999, luftëtarët e lirisë, Sabri e Driton Krivaqa së bashku me luftëtarin, Agush Isufi kishin kapur të gjallë gjeneralin e ushtrisë serbe, Milivoje Simiç dhe inspektorin e lartë të UDB-së, Negovan Arsiq me shërbim në Fushë Kosovë. Pasi i kishin arrestuar i kishin dërguar në Shtabin Lokal të UÇK-së për Dardanë, i vendosur në Koretin. Pas marrjes në pyetje në Shtabin lokal ata i kishin liruar.
Luftëtarët çlirimtarë nuk ishin pajtuar me një vendim të tillë, ngase ata e dinin se çfarë krime kishin kryer kriminelët serbë.
Më 19 qershor të vitit 1999 luftëtarët e lirisë, Sabri Krivaqa, Driton Krivaqa e Agush Isufi, derisa ndodheshim te “Tregu i Gjelbër” në qendër të qytetit të Dardanës, disa ushtarë dhe policë jugosllavë, konkretisht Çedo Dunçiç me të dy djemtë e tij dhe i vëllai Milivoje Dunçiç, befasisht i sulmojnë me armë zjarri tre luftëtarët e lirisë.
Sabriu e Dritoni fillimisht janë varrosur nga familja në varrezat e Dardanës, ish-Kamenicë, ndërkaq në nëntor të vitit 1999, janë rivarrosur në varrezat e dëshmorëve, në Dardanë, ku ndodhet edhe emoriali i dëshmorëve të UÇK-së . Një pllakë përkujtimore iu është ngritur në afërsi të vendit të rënies, në Dardanë dhe një tjetër në Gjyrishec të Dardanës, te fshati i bashkëluftëtarit të tyre Agush Isufi, i cili ishte vrarë në pritë nga serbët në të njëjtën kohë me vëllezërit Sabri e Driton Krivaqa.
Shkrime për Dëshmorin janë botuar në Radion Kosova e Lirë dhe Revistën Kosova e Lirë. Sabriu ka lënë pas vete prindërit: Vehbiun e Zylfijen dhe vëllanë, Durrësanin i cili ka pagëzuar djalin e tij me emrin e xhaxhait, dëshmor, Sabri Krivaqa. (Florim Isufi)

Kontrolloni gjithashtu

Arben Xhemail Januzaj (4.7.1976 - 24.6.1999)

Arben Xhemail Januzaj (4.7.1976 – 24.6.1999)

Më 10 qershor të vitit 1999, pushtuesi serb, pas një viti e gjysmë lufte të …