Pas fillimit të protestave paqësore të studentëve, më 11 mars në Prishtinë dhe shtypjes së tyre brutale nga policia jugosllave më 26 mars, ditën kur kishte parakaluar Stafeta e kultit të Titos, më 1 prill të vitit 1981 studentë, nxënës e punëtorë mbajtën një protestë masive në qendër të Prishtinës, duke kërkuar lirimin e protestuesve nga burgu dhe duke paralajmëruar revoltën popullore kundër shtypjes shfrytëzimit që i bëhej Kosovës, por duke paraqitur edhe kërkesa për avancimin e pozitës kushtetuese të Krahinës së Kosovës në Republikë të barabartë në federatën jugosllave. 1 prilli i vitit 1981 në Prishtinë shënoi fillimin pa kthim të rrugës për ndarjen e Kosovës nga Jugosllavia. Në ditët pasuese më 2 dhe 3 prill protestat përfshinë tërë vendin ku pati 10 të vrarë, qindra të plagosur dhe mijëra shqiptarë të arrestuar.
