Ministria e Infrastrukturës financon projektet lokale në Komunën e Prizrenit

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, të martën priti në një takim pune kryetarin e Prizrenit Mytaher Haskuka, më të cilin nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e projekteve  të reja infrastrukturore lokale në këtë komunë. Komuna e Prizrenit me anë të kësaj marrëveshje me MIT-në, përfiton 400 mijë euro për vitin 2019. Lekaj dhe Haskuka nënshkruan edhe aneksin e memorandumit paraprak për financim të projekteve që veçse janë duke u zhvilluar në Prizren.  MIT-ja merr përsipër financimin e asfaltimit të rrugës Lubizhdë – Skrobizhdë, ku për këtë vit janë ndarë mjetet prej 50 mijë euro dhe asfaltimin e rrugës Prizren – Velezhë, në vlerë gjithashtu prej 50 mijë euro. Ministri Lekaj kërkoi nga kryetari Haskuka që realizimi i projekteve të financuara nga dikasteri që ai drejton, të bëhet me cilësi dhe sipas afateve kohore të parapara. Ai i premtoi kryetarit se mbështetja nga niveli qendror i qeverisjes, pa dallim bindjesh, nuk do të mungojë edhe në të ardhmen. I pari i MIT-së e njoftoi kryetarin e Prizrenit se për këto projekte janë të parapara edhe mjetet buxhetore për vitet që pasojnë deri në realizimin final të tyre. Ndërkaq e informoi atë se shumë shpejt do të fillojnë investimet edhe në hyrjen e Prizrenit nga ana e Gjakovës, projekt ky që financohet nga kredia e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka e falënderoi ministrin për këtë mbështetje, duke u zotuar se projektet e financuara nga MIT-ja do të realizohen në afatet e parapara. Ai shtoi se mbështetja për komunën që ai drejton, nënkupton mbështetje direkte për qytetarët, të cilëve po u kthehen taksat nëpërmjet investimeve në infrastrukturë.

Kontrolloni gjithashtu

Finalizohet draft-ligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama ka njoftuar përmes faqes së tij në …