leoni

Hajredin Kuçi

Dr. Hajredin Kuçi: Adem Demaçi simbol i lirisë, qëndresës dhe patriotizmit shqiptar

Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi sot ka marrë pjesë ne hapjen e punimeve të Konferencës Shkencore për jetën dhe veprën e Adem Demaçit me rastin e 80 vjetorit të lindjes se tij.

Fjala e plotë e Ministrit Kuçi gjatë kësaj Konference Shkencore:

“I nderuar Heroi Ynë, Baca Adem

Jam shumë i nderuar t’iu drejtohem në hapjen e punimeve të Konferencës Shkencore për jetën dhe veprën e Adem Demaçit, në një jubile shumë të rëndësishëm që lidhet me 80-vjetorin e lindjes së tij.

Me këtë rast, dëshiroj të uroj nga zemra ditëlindjen e 80 – të bacës Adem, edhe si mik i tij por edhe si përfaqësues i Qeverisë së Kosovës.

Dëshiroj të përgëzoj Shoqatën e të Burgosurve Politik për organizimin e kësaj konference, e cila besoj do të jetë një kontribut në evidentimin e veprës shumë dimensionale të bacës Adem.

Ne, Qeveria e Kosovës, shprehim admirim për këtë përvjetor dhe punën e shoqatës. Do të mbështesim këtë konferencë dhe të gjitha aktivitetet tjera që do të zhvillohen gjatë tërë vitit për nder të këtij jubileu.

Me të drejtë këtë vit e keni pagëzuar Viti i Adem Demaçit! Por nuk është vetëm ky viti i Demaçit! Edhe gjysma e dytë e shekullit njëzet (XX) edhe fillimi i shekullit njëzetenjë (XXI), të cilat identifikohen me përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe pavarësi, identifikohen edhe me emrin e Adem Demaçit!

Prandaj kjo është koha, këto janë vitet e Adem Demaçit!

Adem Demaçi është quajtur simbol i lirisë, i pavarësisë, simbol i sakrificës, simbol i rezistencës. Ne shqiptarët Bac në kuptimin e plotë të fjalës, po Baca mbi të gjitha është simbol i drejtësisë si vlerë universale, qoftë drejtësive individuale apo kolektive.

Për Adem Demaçin kemi folur dhe shkruar por edhe e kemi dëgjuar emrin dhe përjetuar veprën e tij secili në këtë sallë dhe jashtë saj, ne kemi emrin e tij në mendjen dhe jetën tonë dhe ka qenë lehtë, se ai vetë bëri emër, vetë foli të dëgjohej, vetë shëndriti që të shihej nga të gjithë ne.

Ai u motivua nga njerëz dhe vepra madhore të kombit dhe njerëzimit dhe emri i tij zë vend krahas atyre njerëzve të mëdhenj të njerëzimit, si Mandela, Saharov dhe rri fortë krahas emrit të Skënderbeut e Nënë Terezës të njohur në botë.

Adem Demaçi është edhe frymëzues i brezave dhe bashkëpunëtorëve e bashkëvuajtësve të tij, ashtu si ishin të burgosurit politik frymëzues të shumë lëvizjeve politike për liri e pavarësi.

Baca Adem ishte frymëzues edhe  i shumë heronjëve, si Adem Jasharit, Fehmiut e Xhevës, Luanit, Shkelzenit, Zahirit, Agimit, Metush Krasniqit, Zija Shemsiut, Rexhep Malës e Nuhi Berishës, Afrim Zhitisë, Isa Kastratit,  e plotë heronjëve e patriotëve tjerë të rënë e të gjallë.

Çdo lëvizje politike apo ushtarake e kohës, përfshirë edhe UÇK-në kishte frymëzim apo protagonist Adem Demaçin.

Sot qëndron emri i Adem Demaçit, herë si i frymëzuar, e miliona herë si frymëzues.

Adem Demaci, për dallim prej shumë liderëve më shumë ishte frymëzues, se sa i frymёzuar nga të tjerët, ai ishte i frymёzuar nga ikonat kombëtare që me veprën e tij u bë idhull frymëzimi për breza dhe gjenerata të tëra.

Baca Adem, eci para kohës, ai fillonte qëndresën për t`u bërë motiv për formësim të vetëdijes kombëtare. Nuk ka emër të përveçëm dhe të gjallë në historinë tonë të re si komb që ishte dhe është më frymëzues se baca Adem.

Kur frymëzimi i tij dhe bashkëmendimtarëve të tij u ngrit si vetëdije kombëtare dhe  triumfoj vizionin e tij  politik, Baca Adem e pranoi rolin e jetës si të tjerët, modest, pajtues i urtë, kritik, falës, guximtar, i dashur  dhe gjithmonë frymëzues edhe për kohët e reja të lirisë dhe pavarësisë.

Zonja dhe zotrinjë,

Duke qenë simbol i tillë, Baca Adem është simbol dhe frymёzim jo vetëm i yni, por i gjithë popujve që aspirojnë liri dhe drejtësi.

Vepra e tij është aq e madhe, saqë e kanë të pamundur ta mbajnë brenda kufijtë e shqiptarëve.

Baca Adem është shembull e motiv jo vetëm për shqiptarët, por edhe për botën demokratike dhe popujt e robëruar.

Çdo popull i robëruar që synon lirinë duhet të motivohet nga Adem Demaci dhe t`a ketë nga një Adem Demaç të vetin.

Ne jemi me fat që e kishim dhe e kemi Bacen Adem.

Historia e re e Kosovës nuk mund të shkruhet dhe as të mësohet pa Adem Demacin.

Të gjitha Lëvizjet historike të shqiptarëve në gjysmëshekullin e njëzetë janë të lidhura me emrin dhe veprën e tij simbol.

Me Adem Demaçin janë të lidhura edhe vlimet e mëdha kombëtare të gjysmës se dytë të shekullit 20-të – Demonstratat e vitit ‘64 e ‘68, demonstratat  e vitit ‘81 dhe të gjitha lëvizjet tjera që quan në krijimin e UÇK-së.

Me emrin e Adem Demacit është e lidhur liria dhe pavarësia e Kosovës.

Zonja dhe zotërinj,

Ju të nderuar prezantues të kumtesave dhe shumë të tjerë keni, detyrë të lehtë të shkruani dhe folni për Bacën Adem, ngase ai  është i rrallë në historinë botërore, nuk ka nevojë t`i retushohet as glorifikohet asnjë ditë e veprimit politik dhe komëbtar.

Por, secili prej nesh duhet të këtë parasysh se përmes Bacës Adem, zbërthehet filozofia e veprimit dhe qëllimit politik të shqiptarëve dhe jeta e Demaçit  është jeta e shqiptarëve si komb, por më e rëndë se e secilit prej nesh dhe politikisht e menduar dhe jetuar para secilit prej nesh, në atë kohë dhe sot si pjekuri dhe veprim politik.

Edhe Baca Adem ka shkruar, jetëshkrimi i tij patriotik është shumë më i fuqishmë se sa shkrimet e tij, të cilat nuk kanë arritur t`a tejkalojnë kurrë autorin.

Poashtu, jemi të vetëdijshëm sikur edhe unë në këtë fjalim, se jetëshkrimi i tij patriotik është shumë më domethënës dhe shembull sesa shkrimet dhe veprat që do të shkruhen për të.

Andaj, sot duhet të shkruhen libra edhe më shumë për vizionin, qëndresën, vuajtjen, sakrificën dhe qëllimin politik të Bacës Adem dhe në çdo faqe të historisë së re kombëtare pa dyshim që gjindet emri i Adem Demaçit, por edhe në çdo ditë të veprimit politik të Adem Demaçit do të gjeni nga një faqe të shkruar të historisë krenare të shqiptarëve.

Ata që i hyjnë kësaj pune të rëndësishme, duhet t`a paraqesin jetën dhe veprën e Adem Demaçit ashtu si është dhe si e tillё është tepër madhështore.

Zonja dhe zotrinjë,

Nga kjo Konferencë do tё propozoja që Parlamenti i Kosovës, Presidenca apo ndonjë institucion tjetër i Kosovës, të themelojë Çmimin Ndërkombetar “Adem Demaçi”, për të nderuar personalitetet apo organizatat që i kushtojnë jetën e tyre të drejtave dhe lirive të njeriut.

Meqenëse Kosova e ka Saharovin dhe Mendelën e vet- Adem Demaçin, pse të mos ketë edhe çmimin me emrin e tij.

Ky çmim do ta nderonte Bacën Adem, mbi të gjitha do të nderonte Kosovën, por më shumë do t`i nderonte ato personalitete dhe organizata që do ta meritonin atë. Sot ftoj shkrimtarë, gazetarë, jurist, filozof, politolog e kronist, skenarist, regjisorë  e aktorё, të vendit dhe të huaj, të shkruajnë e bëjnë filma për Bacën Adem dhe ftoj secilin prej nesh ta emitojmë Adem Demaçin në punën dhe angazhimin kudo që e bëjmë për vendin dhe kombin.

Zonja dhe zotërinj,

Ta ruajmë dhe nderojmë figurën e Bacës Adem, të krenohemi me atë dhe veprën e tij, ashtu si na ruajti, nderoi, e na bëri krenar secilin prej nesh dhe popullin tonë.

Qoftë e bekuar dita kur lindi Adem Demaçi, qoftë i lumtur e i bekuar ai dhe  familja e tij dhe kombi shqiptar që ka një personalitet të tillë. Në fund duke i uruar punë të mbarë fillimit të kësaj Konference, dëshiroj që edhe një herë t`i uroj Bacës Adem 80 vjetorin e lindjes. Na bashkoftë Adem Demaçi edhe në ditëlindje tjera dhe në aktivitete për të mirën e vendit dhe kombit tonë.

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …