Kanë kaluar të gjitha këto vite dhe zëri i Radios-Kosova e Lirë ende flet për lirinë e Kosovës, për dëshmorët, për jetën dhe gjakun e tyre të derdhur për liri, flet për invalidët, veteranët, për plagët e shumta, që iu kishte shkaktuar shqiptarëve liridashës, Serbia sodomiste e Milosheviqit. Flet edhe sot e kësaj dite dhe as është pajtuar, as kurrë nuk do të pajtohet me pazaret e liga që janë bërë dhe po bëhen në kurriz të Kosovës, në radhë të parë nga presioni i disa qarqeve antishqiptare dhe nga lehtësia e disa krerëve politikë e institucionalë të vendit për të pranuar dhe për t’ iu bindur “partnerëve” tanë strategjikë, të cilët na paskan ndihmuar aq shumë për çlirimin dhe pavarësimin e vendit, pa derdhur asnjë pikë gjaku dhe asnjë pikë djerse dhe si rezultat i ndihmesës së tyre, ne u dashka të lëshojmë pe në të gjitha kërkesat hegjemoniste dhe kolonialiste të Serbisë. Me rastin e bombardimit të Selisë së Radios nga dy aeroplanë të Serbisë, më 27 mars të vitit 1999, kur serbët kishin hedhur tetë arka me bomba të tipit kasetë, kriminelët shtetërorë të Beogradit, Sheshel dhe Ojdaniq paraprakisht ishin zotuar se do ta shkatërronin dhe do ta shuanin zërin e “terroristëve” dhe në vendin, ku ata kanë transmetuar, do të pinin kafe dhe do të ndërtonin në stadium futbolli. Po atë ditë një Hajrie spikerica e Radio-Televizionit të Serbisë kishte njoftuar dëgjuesit se ishte bombarduar dhe asgjësuar e ashtuquajtura, “Radio-Kosova e Lirë”. Po atë ditë, më 27 mars ne kemi transmetuar programin dhe i kemi bërë me dije opinionit se bombardimi nuk na kishte gjetur në gjumë, por në detyrë dhe në istikame të luftës dhe pavarësisht të gjitha sulmeve kurrë nuk do të ngulfatet, as do të ndërpritet zëri i lirisë, jehona e krismave të legjendarit, Adem Jashari dhe të luftëtarëve të lirisë anë e kënd Kosovës.