15-vjet më parë, në Malësinë e Gostivarit kanë rënë në krye të detyrës, komandanti i tri luftërave çlirimtare të Kosovës, heroi i kombit, Tahir Sinani, Naser Ademi pjesëmarrës i katër luftërave çlirimtare, Hyrë Emini, Brahim Ademi dhe Hisa Fazliu, eprorë dhe luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Zonës së Gostivarit.
Tahir Sinani, asokohe kishte filluar ta përgatiste terrenin për krijimin e Zonës Operative të Gostivarit dhe kishte inkuadruar në komandë disa nga bashkëluftëtarët, që nuk iu kishin ndarë asnjëherë dhe kishin marrë pjesë në tri luftërat tona çlirimtare. Në mesin e tyre kishte edhe luftëtarin emblematik, Naser Ademi i cili luftën kundër pushtimit serb e kishte filluar në frontet e çlirimtarëve të Kroacisë, duke luftuar në radhët e luftëtarëve të këtij kombi të shtypur e të shfrytëzuar nga regjimi kriminal i Beogradit. Radhëve të Tahir Sinanit iu kishte bashkuar edhe luftëtarja e lirisë, e burgosura politike, profesoresha e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Hyrë Emini, pjesëmarrëse në tri luftërat tona çlirimtare. Në mesin e tyre ishte Brahim Ademi, nga Kosharja legjendare e Sefë Koshares e Mic Sokolit, si dhe luftëtari tjetër i lirisë nga Gostivari, Hisa Fazliu.