17 punonjësit e QKMF-së së Vitisë dalin nga karantina-kryetari Haliti me konsideratë të lartë pret kthimin e tyre

Shtatëmbëdhjetë punonjës në Viti: mjekë e teknikë medicinalë kanë dalë nga karantina. Edhe testet e dyta që ua bëri Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë dalë negative, kështu që ata i janë kthyer familjeve dhe shërbimit. Shtatëmbëdhjetë punonjësit e QKMF-së në Viti ishin vetizoluar para dy javësh, pasi disa prej tyre kishin pasur kontakt me të infektuarin e parë me virusin Covid-19. Kryetari i Komunë së Vitisë, Sokol Haliti, me konsideratën më të thellë mirëpret kthimin e tyre. Ai ka thënë se ky veprim i 17 punëtorëve shëndetësorë në krye me drejtoreshën e QKMF-së, dr. Vjollca Kadolli, është inkurajues, pasi ata këtë e bënë për të ruajtur kolegët e tyre dhe shëndetin publik në përgjithësi. “Është vërtetë për çdo respekt dhe për t’u përshëndetur vendimi i tyre për vetizolim. Kjo tregon nivelin e tyre profesional dhe vlerat njerëzore që kanë. Ata, duke qenë larg familjeve të tyre, sakrifikuan për të mbrojtur shëndetin e kolegëve, të pacientëve dhe për të mirën e përgjithshme. Mungesa e tyre është hetuar shumë, prandaj me padurim e kemi pritur kthimin e tyre në shërbim të pacientëve”, ka thënë Haliti. Ai po ashtu falënderon personelin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, Qendrës së Mjekësisë Familjare në Pozheran dhe të punkteve shëndetësore nëpër fshatra, për përkushtimin dhe punën e jashtëzakonshme që kanë vazhduar ta bëjnë për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve, në këtë kohë të vështirë me pandemi dhe të mbingarkuar, shkaku i reduktimit të personelit mjekësor. Kryetari Sokol Haliti thotë po ashtu se Komuna e Vitisë në bashkëpunim me institucionet qendrore, me komponentën shëndetësore, atë të sigurisë, me donatorë dhe me këshillat e fshatrave po bën të pamundurën 24 orë, për të luftuar pandeminë me Koronavirus. Ai për këtë ka kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve, të cilët i ka ftuar të respektojnë masat dhe të reduktojnë lëvizjet dhe kontaktet për të mirën e shëndetit të tyre dhe të tjerëve.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …