17 thika barbarie në trupin e Edisonit 17-vjeçar

 


Sulmi racist dhe barbar që ndodhi ne qytetin Rethimnos në ishullin e Kretës, pak ditë më parë, ka qenë një sulm i paramenduar dhe i përgatitur, meqë shkak për tragjedinë e djaloshit i ri shqiptar nga Tepelena, ishte fakti sepse ai mbante në trupin e tij të njomë një bluzë me flamurin shqiptar.
Televizioni i Kretës, sipas burimeve të lajmeve nga Tirana, ka bërë të ditur se pas një zënke paraprake mes dy grupeve të të rinjve grekë e shqiptarë, në një kafene të qytetit, ku ata u shanë dhe u përleshën, zu fill edhe tragjedia, që i kushtoi me kokë Edison Brahajt.
Pas zënkës, një grup grekësh para se të zbardhte dita e 1 janarit të këtij viti, shkoi në rrugën “Pano Koroneu” 46, në shtëpinë ku Edisoni me babanë e sëmurë jetonin me qira. Vrastarët grekë hynë dhunshëm në shtëpi duke thyer portën e jashtme dhe u sulen brenda. Në shtëpi ndodhej i ati i Edisonit, i sëmurë rëndë, i cili nuk ka mundur ta mbrojë të birin edhe pse ka bërë përpjekje të shumta. Nga një goditje që ka marrë nga masakruesit i ati i viktimës, është përplasur për tokë, ndërkohë që gjashtë grekët dhe një vajzë bullgare, të gjithë të moshës madhore, vërsulën drejt Edisonit, që kishte bërë përpjekje të largohej nga shtëpia ku banonte, mirëpo ishte rrethuar në tarracën e shtëpisë. Pasi e zunë grekët filluan ta godasin të riun Edison Brahaj duke ia shpuar 17 herë me thika trupin e tij të njomë.
Mjeku ligjor konfirmoi pas ekspertizës, se në trupin e të riut, u gjetën 17 plagë, ndërsa lënia e thikës ngulur në trup, u konsiderua si dëshmi e një urrejtjeje raciste, patologjike, antishqiptare.
Në gjendje tejet të rëndë shëndetësore dhe shpirtërore ndodhet në spital edhe babai i të masakruarit. Përkatësia kombëtare e afishuar publikisht, të riut Edison Jahaj, ia këputi jetën në lulen e rinisë.
Të përkujtojmë me këtë rast se në prill të vitit 1999, i riu Astrit Suli nga Kuçova e Beratit, ndodhej në një kafene duke shikuar lajmet nga televizioni grek, lidhur me dëbimin e shqiptarëve nga Kosova nga regjimi kriminal i Beogradit. Astriti kishte shprehur mllefin e tij, sidomos kur disa grekë kishin arsyetuar veprimet barbare të Milosheviqit. Nga rrëfimi për jetën e Astrit Sulit mësojmë se ai ishte përleshur me disa grekë, dhe të nesërmen, nuk ishte paraqitur në punë, por ishte kthyer drejt e në Qendrën Stërvitore të UÇK-së, në Burel. Për ikjen nga Greqia nuk i kishte njoftuar prindërit, por vetëm njërin prej xhaxhallarëve, xha Misirin, që e donte shumë. Pas stërvitjeve disa ditë në Burel, Astrit Suli mësynë Kosovën, me qëllim, që së bashku me luftëtarët e UÇK-së t’ ua ndalte hovin vrastarëve e banditëve serbë, që vrisnin e masakronin gra e fëmijë shqiptarë kudo në vendin tonë. Astriti nuk përmbahej dot. Urrejtja e tij kundër kriminelëve serbë bëri që ai të sistemohej në vijën e parë të fronit, në Pashtrik, ku edhe ra heroikisht në maj të vitit 1999.
Në esencë këto dy ngjarje kanë një lidhmëni me veti dhe të dyja rastet tregojnë se urrejtja antishqiptare e shumicës greke ka qenë dhe mbetet e nivelit të njëjtë me urrejtjen serbe. Janë të shumtë të rinjtë emigrantë shqiptarë, të cilët kanë pësuar barbarisht nga bandat greke, shpeshherë të yshtur edhe nga policia e ushtria e këtij shteti. Një i ri shqiptar me origjinë nga Tropoja u linçua publikisht në Greqi, me rastin e fitores së Kombëtares shqiptare në Tiranë kundër ekipit futbollistik të Greqisë. Asokohe, u rrahën dhe u maltretuan qindra shqiptarë kudo në Greqi vetëm sepse ata kishin përkrahur futbollistët e kombëtares së Shqipërisë.
Është e pamundur të përmendën dhe të saktësohen këtu të gjitha krimet që kanë kryer grekët kundër shqiptarëve. Ndërsa krimi i fundit monstruoz tregon diçka më shumë dhe për këtë do të duhej të bisedohej edhe në instancat shtetërore jo vetëm të Shqipërisë. Mirëpo si duket edhe ky krim. ashtu sikurse edhe shumë krime paraprake, nuk do ta tundin miqësinë e zyrtarëve të Qeverisë së Tiranës me zyrtarët grekë, të cilët, rastet si këto as i marrin në konsideratë, as duan të bisedojnë për to. 17 thikat e ngulura në trupin e 17 vjeçarit Edison Brahaj, për shkak se ai kishte veshur një bluzë me flamurin shqiptar, nuk do t’ i harrojë ndërgjegjja kombëtare, mjerisht tash për tash e fjetur dhe e stërkequr, sepse kemi lejuar që larot, banditët, matrapazët, pacifistët, deledashët dhe trutharët ta qeverisin Shqipërinë dhe shumicën e trojeve shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Memli Krasniqi

Memli Krasniqi: Nuk do të ketë koalicion me Vetëvendosjen, pasi qëllimi ynë është të largojmë Albin Kurtin prej pushtetit

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se nuk ka mundësi për një koalicion të …