(18. 8. 2007) Halil Katana: ERDHI SHANSI HISTORIK QË SHQIPËRIA TË SHPREHET HAPUR

 


Shansi historik ka ardhur.
E presim prej 130 vjetësh, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Kosova e ka ndërkombëtarizuar çështjen tonë kombëtare gjatë 10 vjetëve të fundit. Ajo u ngrit në luftë për t´u çliruar nga Serbia dhe për t´u bashkuar me shtetin amë. Bashkimi Kombëtar ishte formula e betimit të luftëtarëve të UÇK-së. Më se 2000 dëshmorë të saj, derdhën gjakun për këtë ideal. Por ndërhyri faktori ndërkombëtar. ShBA në mbrojtje të të drejtave të kombit shqiptar. Evropa, që e kishte copëtuar Shqipërinë në fillim të shekullit të kaluar, e paçliruar nga komplekset e politikës së vjetër, qëndronte e dyzuar. Vetëm kur Millosheviqi ndërmori fushatën e spastrimit etnik rrënjësor, edhe Evropa iu bashkua qëndrimit amerikan dhe NATO-ja lëshoi bombat mbi Serbinë dhe u fut në Kosovë, në mbrojtje të një populli e të një lufte të drejtë.
NATO-ja, në bashkëveprim me UÇK-në, e fituan luftën kundër ushtrisë serbe. Forcat ushtarake e policore të Serbisë u detyruan të largohen nga Kosova, të mundura.
Kosova fitoi Lirinë, por jo të drejtën për Vetëvendosje, jo as Pavarësinë.
U ndezën motorët e politikës së vjetër, që e penguan këtë aspiratë shekullore dhe Kosova u vu nën protektorat të OKB-së. Iu premtua Kosovës të duronte tri vjetë nën administratën e OKB-së, se pastaj do të zgjidhej statusi i saj, duke marrë për bazë “vullnetin e popullit”!

Kosova duroi tri vetë, duroi plotë 7 vjet, duke iu besuar premtimeve pa mbarim.
I ngarkuari i OKB-së, Ahtisari, gjatë dy vjetëve të fundit, udhëhoqi bisedimet Prishtinë – Beograd. Grupi shqiptar i këtyre bisedimeve, i mbiquajtur “Grupi i Unitetit”, nën trysninë e madhe të faktorit ndërkombëtar, bëri lëshime të njëpanjëshme. Kurse Serbia, përkundrazi, jo vetëm që nuk bëri asnjë lëshim, por kërkoi që Kosova përseri të vihet nën Serbi, siç ka qenë para lufte.
Grupi i Unitetit nuk kërkoi asgjë nga Serbia, kur ajo kishte shumë borxhe ndaj Kosovës:
mijëra jetë njerzish të vrarë, të masakruar e të zhdukur.
Varre të tëra masive në Serbi, me shqiptarë të ekzekutuar në mënyrat më barbare. Mijëra të tjerë pa varre, të djegur në furrnalta.
Të gjithë fshatrat e Kosovës dhe pjesa më e madhe e qyteteve të bombarduara, të djegura e të rrafshuara me tokën. Tërë pasuritë e shqiptarëve të grabitura e të shkatërruara nga Arkanët dhe forcat serbe. Të gjitha dokumentet kadastrale dhe ato që lidhen me punën dhe pronat e shqiptarëve, të grabitura e të asgjësuara.

Është për t´u habitur, si ka pranuar ky Grup negociatorësh, të ulet në tryezën e bisedimeve me xhelatët, pa asnjë kusht! Mandej si mund të vazhdonin bisedimet, pa u zgjidhur në fillim këto probleme! Në fillim Serbia duhej të kërkonte falje botërisht për krimet që ka bërë në Kosovë, të kthente njerëzit e vrarë, të sqaronte ata të zhdukur, të pranonte botërisht faturën e dëmshpërblimeve të Luftës, të kthente dokumentet e grabitura, etj.
Këto probleme, duhej të ishin pikat e para të bisedimeve me serbët. Por, ndërkombëtarët, duke i përkrahur hapur serbët, i kanë shkelur shqiptarët dhe nuk i kanë lënë as të hapin gojën për këto probleme kaq të mëdha.
Anashkalimi i këtyre problemeve, sakrifikimi i tyre, duke shkelur mbi to, është një kompromis shumë i rëndë, që ka bërë Grupi i Unitetit, në dëm të popullit të vet… Këtë duhet ta dinë mirë të gjithë anëtarët e këtij grupi.
Kompromisi tjetër është decentralizimi dhe pranimi i ndërtimit të komunave serbe, të pastra etnikisht e me lidhje të drejtpërdrejta me Beogradin. Ky është një standard që i imponohet vetëm Kosovës, një shembull i vetëm në Evropë e në botë. Praktikisht është pranuar ndarja etnike e Kosovës. Pse ndërkombëtarët e shkelin kaq rëndë Kosovën, duke aplikuar standarde krejt të ndryshme për minoritetet e saj…?!
Edhe ky është një lëshim tjetër shumë i rëndë, me pasoja të pariparueshme për Kosovën…
Të ashtuquajturat kisha serbe (me sa duket ekziston një fe serbe, se për ndryshe duhej të quheshin kisha ortodokse), kanë marrë në zotëtrim qindra hektarë tokë bujqësore, praktikisht tokat më të mira të Kosovës. Me se do të ushqehet ky popull?! Si kanë pranuar këta negociatorë t´i falin kështu këto toka?!
Grupi negociatorë, udhëheqësit e Kosovës, ata që bënë luftën në Kosovë, duke shkelur formulën e betimi të UÇK-së, e në këtë kuadër edhe Shqipëria, nga kërkesa maksimale, që ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, kërkuan vetëm Pavarësinë e Kosovës, brenda kufinjve të saj, me qellim që të mos hapet problemi i kufinjve në Ballkan e më gjerë.
E të tjera, e të tjera kompromise.
Të gjitha këto kompromise të rënda janë pasqyruar në Paketën e Ahtisarit, me të cilën nuk u pajtua Serbia. Ajo kërkon sovranitetin mbi Kosovën.
Atë e mbështet Rusia…
Por edhe ndonjë vend tjetër i Evropës.
Trupat franceze, sapo u futën në Kosovë, bllokuan urën e Ibrit dhe nuk i lejuan shqiptarët të shkojnë në shtëpitë e tyre, ndërkohë që asnjë forcë e NATO-s, nuk i pengoi serbët të kthehen e të shkojnë në shtëpitë e veta. Franca, praktikisht e ndau Kosovën. Shiraku, i tha Kushnerit kur atë e dërgoi OKB-ja në Kosovë: “Kujdes serbët! Ata janë miqtë tanë”. Është një pohim që e ka denoncuar vet Kushneri në librin e tij për Kosovën.

Në vazhdën e kësaj politike, Presidenti i ri, Sarkozy, sapo erdhi në pushtet, në takimin e parë me Grupin e të Tetëve, lëshoj një fjalë, ashtu si kalimthi: “Të rikthehen dhe një herë bisedimet Prishtinë Beograd”! Kaq u desh dhe tani bisedimet janë planifikuar të fillojnë nënë drejtimin e një Treshje: Amerikë- Evropë- Rusi.
Opinionet më të shumta të shprehura deri tani, nga gazetat më të mëdha të Botës, si “Le Mond”, “The Vall Strit Journal” etj., si dhe nga analistë të ndryshëm, janë se tashmë nuk ka mbetur gjë tjetër, veç ndarja e mëtejshme e Kosovës.
Ndarje etnike dhe kryesisht ekonomike.
Këputja e veriut të Kosovës, ku janë burimet jetike të Kosovës, pasuritë e nëntokës dhe burimet ujore, do të thotë pamundësim i jetës në Kosovë, pamundësim i zhvillimit të saj të pavarur. Edhe sikur të këmbehet Kosova e veriut me Luginën e Preshevë, Medvegjës e Bujanocit, ajo serish nuk mund të kompensohet.
Por ajo që është tepër e rëndësishme është modeli i krijimit të shteteve të pastra etnikisht në Ballkan. Ky copëtim krijon precedentin e ndryshimit të kufinjve në Ballkan. Dhe nuk mund të trajtohet si një çështje e izoluar, si një problem i brendshëm i Serbisë.
Duke u bazuar në këtë precedent Shqipëria, tani e ka radhën të flasë hapur e më zë të lartë.
Deri tani Shqipëria, nuk e ka thënë fjalën e saj. Ajo ka përseritur vetëm ato çfarë i kanë thënë evropianët dhe për këtë ka marrë lëvdadat më të mëdha, si “faktor paqeje e stabiliteti në rajon”! Një herë foli, atdhetari, Besnik Mustafaj dhe të tërë, të majtë e të djathtë iu vërsulën, sikur kishte bërë ndonjë krim. Madje, duket se ajo fjalë historike e nxori jo vetëm nga fusha e lojës, por edhe nga ekipi qeveritar. Tani është rasti më i mirë që Shqipëria, t´i kthehet asaj deklarate, duke paralajmëruar hartuesit e planit të copëtimit të mëtejshëm të Kosovë, me fjalët e Besnik Mustafajt.

Kjo do të ishte një deklaratë historike, në momentin e duhur, që do ta ndihmonte së tepërmi Kosovën në këto çaste jetike për fatin e saj. Nëse nuk bëhet kjo deklaratë, Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë, praktikisht do ta tradhëtonin Kosovën dhe çështjen kombëtare, vetëm për hir të pushtetit.
Është momenti historik të dëgjohet zëri i S. Godos, hartuesit të preambulës së Kushtetutës, që është shquar për shqiptarizëm.
Nëse nuk flet tani, edhe ky do të marrë damkën e qeveritarëve.
Është rasti që Kuvendi i Shqipërisë të dalë me një Rezolutë të qartë për Kosovën dhe për çështjen shqiptare.
Një rezolutë, e bazuar në preambulën e Kushtetutës, në të cilën të thuhet pa ekujvoke: “Nëse copëtohet më tej Kosova, Shqipëria do të kërkojë të rivendosen kufinjtë e saj natyror, të copëtuar padrejtësisht që në Kongresin e Berlinit më 1878 dhe në Konferencën e nivelit ulët të Londrës, në Koferencën e Ambasadorëve më 1913”.
Shpresoj se në Kuvend, ka burra që mund ta ndërmarrin një iniciativë të tillë historike edhe sikur Evropa të na thotë se “Nuk keni vend në Bashkimin Evropian”! Serbia, me 8 për qind të popullsisë në Kosovë, thotë “Kosovës nuk ia njoh pavarësinë, edhe sikur kurrë të mos futëmi në BE”. Ne që kemi 92 për qind të popullsisë dhe krejt territorin e saj e më gjerë duhet të jemi shumë më të motivuar e të vendosur për çdo sakrificë.
Tani është koha e vendimeve të mëdha.
Atyre që u ka ardhur ky shans historik, duhet ta përballojnë.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …