Më 18 prill të vitit 1999, në mbrojtje të pozicioneve të luftë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rënë qindra dëshmorë e martirë. Në Marec dhe në Malësinë e Karadaket kanë rënë trimërisht dhe heroikisht 24 dëshmorë, 5 dëshmorë të tjerë kanë rënë në mbrojtje të pozicioneve të SHP të UÇK-së, në Gradinë të Rrafshnaltës së Berishës, tetë të tjerë kanë rënë në zonat e luftës në Dukagjin, disa të tjerë në frontin e Koshares dhe në shumë vende të tjera, ku luftimet mes UÇK-së dhe forcave ushtarake e policore serbe po zhvilloheshin fyt për fyt. Po atë ditë, janë plagosur edhe shumë luftëtarë të lirisë. Gjenerali serb Deliq kishte raportuar në Beograd se forcat e UÇK-së të përkrahura nga aeroplanët e NATO-s ishin pozicionuar fuqishëm dhe tashmë ishin të pathyeshëm. Më 17 dhe 18 prill forcat policore serbe, të zemëruara se nuk po i thyenin dot frontet e luftës së UÇK-së kanë kryer edhe disa masakra të çmeritura në fshatrat e Drenicës si në Paklek të Vjetër, Vasilevë, Korraticë e Epërme ku kanë vrarë dhe kanë masakruar 75 shqiptarë, në mesin e tyre edhe shumë gra e fëmijë. Me këtë rast kanë pësuar mizorisht familjet Muçolli dhe Elshani. Po më 18 prill të vitit 1999 në fshatin Dyz të Besianës janë masakruar 70 civilë shqiptarë.
