leoni

18 vjet nga vrasja e 86 civilëve në Kralan të Gjakovës

Më 2 prill të vitit 1999, në Kralan të Gjakovës forcat ushtarake dhe policore serbe i ndanë disa qindra djem dhe burra nga grupi prej 1.500 shqiptarëve, të cilët kishin braktisur vatrat e tyre për t’u shpëtuar krimeve serbe dhe ishin urdhëruar që të shkojnë në Shqipëri. Dy ditë më vonë, më 4 prill, nga grupi i djemve dhe burrave të cilët janë mbajtur në një livadh, gjatë gjithë kohës i rrethuar me tanke pa ujë dhe pa ushqim, një numër i madh i tyre është liruar. Ndërsa janë mbajtur 86 djem të rinj, ndër të cilët edhe 11 të mitur, që nga ajo ditë, askush nga ta më nuk është parë i gjallë. Fondi për të Drejtën Humanitare në vitin 2013 kishte bërë kallëzim penal ndaj disa eprorëve të Ushtrisë jugosllave për krimin në Kralan. Me këtë rast, u njoftua se trupat e 18 prej atyre djemve, janë gjetur në një varrezë masive në Serbi, pranë liqenit të Peruçës, në komunën e Bajina Bashtës. Lidhur me krimin serb të kryer në Kralan, në dhjetor të vitit 2014 një letër kryeprokurorit të Tribunalit të Hagës i ka dërguar kryetarja e Shoqatës “Familja dhe Shpresa” Arifete Bytyqi. Në emër të familjarëve të 86 viktimave të masakrës, ajo ka  kërkuar nga Serge Bramnertz që “të hetohet vrasja e këtyre civilëve shqiptarë nga policia serbe më 4 prill 1999 në fshatin Kralan”. Bytyqi në letrën e vet përkujton se edhe sot e kësaj dite askush nga fajtorët për masakrën nuk është dërguar para drejtësisë.

Kontrolloni gjithashtu

Xhavit Haliti

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, foli për zhvillimet e fundit, lidhur me certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka komentuar zhvillimet politike të fundit lidhur me certifikimin e …