Konsullata e Republikës së Kosovës në Nju Jork, si pjesë e veprimtarive të saj në kuadër të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, organizon të martën që vjen, me 20 Shkurt, promovimin e librit të posa botuar të Ambasadorit amerikan Xhejms Përdu (James W. Pardew) me titull: “Peacemakers: American Leadership and the End of Genocide in the Balkans” (Pajtuesit: Udhëheqja Amerikane dhe Fundi i Gjenocidit në Balkan).
Ambasadori Përdu ka patur një karierë të gjatë dhe të dalluar ushtarake dhe diplomatike. Para se të fillonte karierën e tij diplomatike, Z. Përdu kishte shërbyer në ushtrinë amerikane për 27 vjetë, në detyra të larta të inteligjencës, përfshirë, ndër të tjera, postin e zëvëndës Drejtorit për Inteligjencë dhe Drejtor i Inteligjencës së Jashtme, në periudhën e shembjes së komunizmit anë e mbanë Evropës lindore dhe qëndrore dhe në ish-Bashkimin Sovjetik.
Ai doli në pension nga ushtria amerikane në vitin 1994 për të filluar një karierë të re në diplomaci. Gjatë krizës ballkanike, Xhejms Përdu ishte në qëndër të zhvillimeve dhe të veprimtarive politiko-diplomatiko-ushtarake të Shteteve të Bashkuara në atë rajon, duke filluar që në vitin 1995, fillimisht si pjesëmarrës në negociatat e ish-ambasadorit Riçard Holbruk për të ndaluar luftën në Bosnje, e deri tek shpallja e pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008. Ambasadori Përdu llogaritë në rezymën e tij profesionale edhe detyrën e kryenegociatorit amerikan në bisedimet e Ohrit midis palës shqiptare dhe palës sllavo-maqedonase. Z. Perdu ka kryesuar gjithashtu edhe task-forcat, ose grupet ndër-qeveritare të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, të organizuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe nga Pentagoni gjatë krizave në Ballkan, ndërkohë që ka shërbyer edhe si këshilltar politik pranë Aleancës së NATO-s. Ishte në këtë kapacitet që unë kam pasur rastin dhe fatin e mirë që e kam takuar Ambasadorin Përdu, pasi isha caktuar Drejtor për Europën të merrja pjesë — si përfaqsues i VOA-s si njëra ndër entet e interesuara — në takimet ndër-qeveritare të punës për Ballkanin, ku merrnin pjesë përfaqsues të shumë agjencive amerikane, e të cilat kryesoheshin dhe koordinoheshin nga Ambasadori Përdu. Fillimisht, Z. Përdu u emërua Drejtor i Zyrës përgjegjëse për Ballkanin, në Departmentin e Mbrojtjes dhe nga viti 1996 e deri në vitin 2008 ka shërbyer në Departamentin Amerikan të Shtetit. Në vitin 1997, Presidenti Bill Klinton e emëron Z. Perdu në detyrën e Ambasadorit, emërim i cili u miratua nga Senati i Shteteve të Bashkuara.
“Ai është i njohur në qarqet ballkanike dhe e njeh mirë Ballkanin”, ka thënë për Ambasadorin Përdu, ish-ambasadori dhe ish zëdhënsi i Departmentit të Shtetit, Filip Riker edhe vet ky njohës shumë i mirë i çështjeve ballkanike. Ambasadori Xhejms Perdu, duke filluar nga viti 1966 e deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ka qenë në qëndër të politikës amerikane kushtuar Kosovës dhe si i tillë ka luajtur një prej roleve kryesore në zhvillimet politike, diplomatike, ushtarake dhe ndërkombëtare, të cilat me në fund – nën udhëheqjen kryesore të Shteteve të Bashkuara – më në fund çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, 10-vjetori i të cilës festohet me 17 Shkurt. Nga viti 1999 e deri në 2001, Ambasadori Perdu ka shërbyer si Zëvëndës këshilltar i posaçëm i Presidentit dhe i Sekretarit Amerikan të Shtetit për Ballkanin, gjatë luftës së NATO-s në Kosovë dhe si i tillë ka marrë pjesë në bisedimet diplomatike për paqë, që pasuan konfliktin. Në këtë kapacitet, Z. Perdu ka zhvilluar, gjatë asaj kohe, bisedime me krye-kriminelin serb Sllobodan Millosheviç dhe me udhëheqsit politikë shqiptarë të Kosovës. Në Uashington ai ka shërbyer si bashkrendues i Misionit Verifikues Ndërkombëtar dhe pas fushatës së suksesshme të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, Z. Xhejms Përdu ka luajtur rol të rëndësishëm në vendosjen e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë dhe në krijimin e institucioneve qeveritare dhe të sigurisë në atë vend.
Përveç punës së tij të dalluar në lidhje me fatin e të ardhmes së Kosovës, Ambasadori Përdu është marrë gjithashtu edhe me të drejtat e shqiptarëve në përgjithësi në rajonin e Ballkanit. Sekretari i Shtetit, në administratën e Presidentit Xhorxh W. Bush, Gjenerali Colin Powell e ka dërguar Ambadorin Përdu në Maqedoni, në verë të vitit 2001, për të gjetur një zgjidhje politike ndaj konfliktit etnik të përmasave që rrezikonin të fusnin Maqedoninë në një luftë civile, me pasoja të rënda për mbarë rajonin e Ballkanit. Pas disa javë negociatash, të dy palët arrijtën marrveshjen e quajtur “Marrveshja e Ohrit”, e cila u nënshkrua nën mbikqyrjen e Ambasadorit Përdu dhe përfaqsuesit evropian, në gusht të vitit 2001. Më vonë, nga viti 2005-2008, Ambasadori Përdu ka shërbyer në detyrën e Zëvëndës Ndihmësit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, i cili ka mbikqyrur stafin ndërkombëtar për Operacione dhe Menaxhim Krizash me qëndër në Bruksel, me përgjegjësi, ndër të tjera, për zhvillimin e politikës së NATO-s ndaj Kosovës. Falë përvojës së tij të gjatë në konfliktet e Ballkanit, Ambasadori Përdu ka marrë pjesë edhe në bisedimet e Grupit të Kontaktit, si përfaqsues i NATO-s, bisedime këto që kishin të bënin me zhvillimin e politikës ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe njëherazi ka dhënë ndihmesën e tij edhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të ashtuquajturin Plani Ahtissari, përpjekje këto që më në fund përfunduan në pavarësinë e Kosovës.
Libri i posa botuar i Ambasadorit Përdu, “Pajtuesit: Udhëheqja Amerikane dhe Fundi i Gjenocidit në Balkan”, sipas botuesit, është historia e parë gjithëpërfshirse e një ndërhyrjeje të suksesshme shumëkombëshme në Balkan nga vitit 1995-2008, e treguar nga një zyrtar i lartë amerikan, i cili gjëndej në qëndër veprimtarive dhe përpjekjeve të drejtë për drejta, për të para ndaluar krizat dhe si njëro prej përpiluesve kryesorë i politikave për zgjidhjen eventuale të tyre. Ai, ndër të tjera, përshkruan në hollësi se si i ndjeri Riçard Holbrooke dhe përfaqsuesit amerikanë pas tij, ndihmuan për të ndaluar ose para ndaluar luftëra shkatërruese në Bosnje, Kroaci, Kosovë dhe Maqedoni. Në librin e tij, ai flet për dramën njerëzore në luftë por edhe në fushën e diplomacisë, duke pasqyruar njëkohësisht edhe motivet, karakterin, talentin dhe dobësitë e udhëheqësve të rajonit me të cilët i është dashur të punonte gjatë asaj periudhe. Në kujtimet e tija, “Ambasadori Përdu demonstron se përdorimi i fuqisë ushtarake amerikane për të pakësuar dhe për të eliminuar vuajtjet njerëzore, është në përputhje të plotë me vlerat amerikane”, thuhet në vlerësimin e librit nga ana e botuesit. Megjithse kanë kaluar disa vite nga luftrat në Ballkan, libri i Z. Përdu është gjithashtu një kujtesë edhe për situatat e sotëme të krizës në botë se pa udhëheqjen e vendosur të Shteteve të Bashkuara dhe pa një bashkpunim shumëkombësh, është e vështirë të merret me mend zgjidhja e krizave kritike ndërkombëtare kudo qofshin atë.
Në një vlerësim të librit të ri të Ambasadorit Përdu, Marc Grossman, ish-Zëvëndës Sekretari amerikan i shtetit pët Çështje Politike shprehet se, amerikanët duhet ta ndjejnë vetën të lumtur që Ambasadorin Përdu, siç ishte shprehur edhe ai vet, “e kishte tërhequr diçka në Ballkan”. Ish-diplomati amerikan Grossman vlerëson se diplomati Xhejms Përdu ka kontribuar pa ndërprerje dhe pozitivisht për kauzën e paqës dhe të drejtësisë në atë pjesë të Evropës, të prekur nga dhuna. Ai e cilëson librin gjithashtu si një studim të rëndësishëm se si dhe kur duhet të përdoren të gjitha mjetet politike, diplomatike dhe ushtarake të shtetit, për të realizuar misionin e caktuar.
Në këtë 10-vjetor të pavarësisë së Kosovës, jo vetëm Amerika duhet të jetë e lumtur – siç thotë Marc Grosmman – për rolin që ka luajtur Ambasadori Përdu dhe nepërmjet tij e kolegëve të tij amerikanë e ndërkombëtarë të jemi mirënjohës edhe për rolin që kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë Shtetet e Bashkuara në Kosovë dhe në rajon – gjatë luftës dhe më pas – por sidomos në periudhën e pavarësisë së Kosovës, deri në ditët e sotëme. Ndërsa Profesori David L. Anderson i Universitetit Shtetëror të Kalifornisë i vlerëson kujtimet e Ambasadorit Përdue duke thënë se, “Rekomandimet e tija në favor të një diplomacie active, për lidhjet që duhet të ekzistojnë midis përdorimit të forcës kur është e nevojshme dhe përdorimit të diplomacisë, si dhe rëndësia ka stabiliteti evropian për politikën e jashtme amerikane – janë këshilla dhe porosi me shumë vlerë për zyrtarët e sotëm publikë në Amerikë dhe për shtetasit ndërkombëtarë”.
Duke marrë parasyshë përvojën dhe rolin e Ambasadorit Përdu në politikën amerikane karshi Kosovës dhe Ballkanit në dekadën e fundit të shekullit të kaluar dhe dekadën e parë të shekullit 21, Konsullata e Republikës së Kosovës në Nju Jork, nuk kishte mundur të identifikonte një person më të përshtatshëm për të promovuar librin e tij — në kuadër të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës — se sa librin e ushtarakut dhe diplomatit amerikan, Xhejms Përdu.
Frank Shkreli