20 vjet më parë, më 13 gusht të vitit 1998, Adem Demaçi nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e kishte detyrën e përfaqësimit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me këtë rast kryetari i Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shkruar se ardhja e Demaçit në krye të përfaqësimit politik të kryengritjes së armatosur të popullit të Kosovës të prirë dhe të organizuar nga UÇK-ja shënonte moment të veçantë ndonëse të natyrshëm edhe për UÇK-në edhe për Bacën Adem. “Detyrën e mori në një kohë kur UÇK-ja kishte pësuar goditje të mëdha në terren. Por, vështirësitë objektive për Bacën Adem ishin veçse shans për kalitje subjektive. Ai menjëherë themeloi zyrën e UÇK-së në Prishtinë dhe vetëm disa ditë më vonë filluam publikisht punën në lagjen ‘Tophane’ në një shtëpi njëkatëshe. Diplomacia ndërkombëtare nisi ta konsideronte e trajtonte UÇK-në në nivel cilësisht tjetër”. “Gjatë atyre gjashtë muajve e gjysmë, nën udhëheqjen e Bacës Adem, është bërë shumë punë me shumë rrezik. Por, të atilla janë situatat e hoveve kolektive të popujve përgjatë historisë”, ka shkruar Kurti.
