Edhe këtë vit Dita Botërore e Ujit po e gjen shtetin tonë me mungesë të ujit të pijshëm si e drejtë elementare e secilit nga ne. Kreu i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka bërë të ditur se është angazhuar që sipas mundësive buxhetore që ka komuna, të sigurohet uji i pijshëm për qytetarët e komunës. “Fokusi ime në ketë mandat qeverisës është që 85.5 % e qytetarëve të Skenderajt të kenë qasje në Sistemin e Ujësjellësit dhe të menaxhohen siç është e paraparë me ligjet në fuqi”, ka thënë Kryetari Jashari. Tutje i pari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka deklaruar se brenda këtij viti do të fillojë ndërtimi i ujësjellësit në 12 fshatra të komunës. “Krahas përfundimit të projektit për kyçjet individuale të ujësjellësit në 12 fshatra të komunës së Skenderajt, këtë vit do të fillojmë ndërtimin e ujësjellësit edhe në këto fshatra: Abri e Poshtme, Aqarevë, Likoc, Llaushë, Marinë, Makerrmal, Murgë, Rezallë, Plluzhinë e Ticë, ku do të përfitojnë gjithsej 12364 banorë. Ky Projekt është donacion i qeverisë Zvicerane dhe qeverisë së Kosovës kurse implementohet nga CDI – ja dhe ka një vlerë rreth 1.4 milion Euro”, tha Kryetari Jashari. Ashtu si shumë komuna në Kosovë edhe komuna jonë është e varfër sa i përket rezervave ujore. Kryetari Jashari, tha se që nga ardhja e tij në krye të komunës menjëherë ka nisur angazhimin e tij për “Ndërtimin e pendes së Kuqices”, me anë të cilës do të arrihet t’u sigurohet ujë i pijshëm qytetarëve. “Pas ardhjes sime si kryetar i komunës së Skenderajt, kam gjetur në sirtarë studimin e fizibilitetit për projektin “Ndërtimi i pendes së Kuqices” dhe menjëherë kam filluar angazhimin tim për realizimin e këtij projekti, për të pasur furnizim të sigurt me ujë të pijshëm për qytetarët e Skenderajt dhe jo vetëm, ujë për bujqësi dhe mundësi turizmi e energji. Për këtë projekt kam kërkuar përkrahje nga Qeveria e Republikës së Kosovës por fatkeqësisht pavarësisht krizës së ujit udhëheqësit tonë ende në vend të sigurimit të ujit për qytetarët prioritet kanë projekte tjera infrastrukturore” u shpreh Kryetari Jashari. I pari i komunës, Bekim Jashari, apelon qytetarët që çdo ditë të kursejnë ujin, të përdorim atë sa më racionalisht dhe të mos ndotin burimet ujore.