Më 24 prill në Vlorë do të mbahet mbledhja e përbashkët e radhës në mes të dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës është bërë ditur të mërkurën nga ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati gjatë një konference për shtyp me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Tiranë. “Ne diskutuam me ministrin Hoxhaj dhe për hapat që po ndërmerr Kosova në përmbushjen e disa angazhimeve kryesore të saj në sfondin e procesit të integrimit evropian. Shqipëria mbështet aspiratën legjitime të Kosovës, si për procesin e liberalizimit të vizave, por dhe për transformimin gradual te Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri të vërtetë. Në këtë drejtim ne çmojmë bashkëpunimin e Kosovës me partnerët tanë strategjikë, sidomos me SHBA-në”, theksoi Bushati. Kryediplomatët e dy vendeve biseduan dhe mbi përgatitjet që po bëjnë qeveritë respektive në vigjilje të Samitit të Triestes, ku do jetë një takim i katër vendeve të Ballkanit Perëndimor me vendet e BE-së që janë pjesë e Procesit të Berlinit. Ministri Hoxhaj uroi për vendosjen në Tiranë të selisë së Fondit të Ballkanit Perëndimor, të cilën e konsideroi një arritje të madhe të diplomacisë shqiptare. Më tej, ai tha se fokusi i takimit me Bushatin ishte organizimi i mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive. “Nga janari i 2014-s kur u nënshkrua partneriteti strategjik mes dy vendeve është bërë një progres i madh në këtë drejtim. Volumi tregtar dypalësh është diku mes 200 milion eurove dhe bashkëpunimi ekonomik është shumë më i mire. Ka po ashtu bashkëpunim në fusha të ndryshme dhe ka një listë të gjatë të marrëveshjeve të nënshkruara mes dy vendeve që nga politika e jashtme, e sigurisë, arsimit, turizmit, kulturës, etj, tha ministri Hoxhaj.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …