24 subjekte, koalicione, apo kandidatë të pavarur, që garuan në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, nuk e kaluan pragun zgjedhor prej 5 për qind. Në mesin e tyre janë katër që përfaqësojnë komunitetin shumicë shqiptarë dhe në total – sipas rezultateve preliminare – numërojnë gati 21 mijë vota, apo 2 për qind. Por, çka ndodh me këto vota? Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikon rezultatet e tyre por votat nuk shpërndahen apo nuk i shkojnë ndonjë partie tjetër që ka marrë më shumë se 5 për qind. Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme thotë se 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës ndahen në bazë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme që i ka fituar secili subjekt politik, ndër të tjera, në mesin e subjekteve politike që përfaqësojnë komunitetin shumicë të cilat kanë fituar së paku pesë për qind nga numri i përgjithshëm i votave të vlefshme në zgjedhjet për Kuvend dhe subjekteve politike që përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë. Në Kuvendin e Kosovës, 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet jo shumicë – 10 për serbët dhe të tjerat për pakicat jo serbe.
