25 vjet më parë, më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, të cilat kanë hyrë nga Maqedonia, ndërsa një ditë më parë, sipas marrëveshjes së Kumanovës kishte filluar largimi i të gjitha forcave ushtarake e policore serbe nga Kosova që ishte paraparë të përfundonte më 21 qershor. Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i quajtur UNMIK i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore. Po më 12 qershor të vitit 1999 kishte filluar tërheqja e planifikuar e forcave serbe nga Zona e Llapit. Edhe gjatë tërheqjes, forcat serbe kanë djegur shtëpitë e shqiptarëve në rrugët nga ku kanë filluar të tërhiqen. Më 12 qershor të vitit 1999 Komandanti i NATO-s, gjenerali amerikan, Vesli Klark ka bërë të ditur se forcat serbe kanë filluar të tërhiqen në drejtim të Serbisë, ashtu sikur parashihej në marrëveshjen e Kumanovës. Ai kishte bërë të ditur po ashtu se NATO-ja i kishte pezulluar bombardimet, por ato mund të rifillonin në rast se Serbia nuk i përmbahej marrëveshjes për largim nga Kosova.