( 26 maj 2009) Mona Agrigoroaie: RUMANIA DHE PAVARËSIA E KOSOVËS

 

Rumanisë duhet t’i kërkohet emancipimit prej pozitës së zëdhënësës së Serbisë – Rusisë (!)
Rumania është një ndër shtetet që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke u radhitur vijes politike të Beogradit. “Argumentet” e zyrtarëve rumunë, në thelb, janë shumë absurde dhe përkojnë në një masë të madhe me “argumentet” e Serbisë-Rusisë.
Nëse në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Rumania ka qenë një nga qendrat më të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (ku kanë vepruar rilindës si Naum Veqilharxhi, Sami Frashëri, ku kanë funksionuar shoqata si “Drita”, “Dituria”, “Bashkimi”) pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Rumania ka qenë shteti i parë ku Boris Tadiqi erdhi në vizitë për të shprehur mllefin ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që në thelb përmban shkëputjen përfundimtare e kësaj treve prej pushtimit dhe kolonizimit serb.
Zyrtarët rumunë (në vecanti presidenti Trajan Basesku) janë shpehur se Rumania nuk do të njeh pavaresinë e Kosovës sepse, sipas tyre:
– është shkelur integriteti dhe sovraniteti territorial të një shteti të njohur ndërkombëtarisht (Serbia)
– është shkelur parimi i paprekshmërisë së kufijve të një shteti të pavarur dhe njohur ndërkombëtarisht (Serbia)
– krijohet një precedent “të rrezikshëm” për konfliket të akulluara në rajon dhe më gjerë: paralela midis Kosovës dhe Transilvanisë.
Të gjitha “argumentet” janë të huazuara tërësisht prej xhepit politiko-diplomatik kolonial të Beogradit, me variantën autoktone – Transilvania. Diplomacia rumune, edhe pse ka interesa më të gjera kombëtare në përballim të vijës serbo-ruse, po dëshmohet e paaftë, në rastin e Kosovës, për të qenë e pavarur prej saj dhe për të shfrytëzuar rrethanat jo negativisht, në dëm të Kosovës dhe vet Rumanisë, por në të mirën e Kosovës dhe interesave kombëtare rumune:
-në asnjë deklaratë, zyrtarët rumune nuk kanë shprehur shqetësimin ndaj situatës së rumunëve në Timok dhe Banat brenda Serbisë, ku atyre Serbia u mohon të drejtat më elementare;
-në asnjë deklaratë nuk dënohet shantazhi dhe presioni politik që kryesisht Rusia e bën me teorinë e “precedentit të rrezikshëm” edhe ndaj Rumanisë;
– në asnjë deklaratë nuk hidhet poshtë paralela dezinformative midis Transilvansë dhe Kosovës.
Mund të flitet pra, për një aks politiko-diplomatik rumuno-ruso-serb kundër Kosovës, (dhe pseudoargumeteve të tyre mendoj se u duhet kundërvënë këto mendime politike). Rumanisë duhet t’i kërkohet emancipimit prej pozitës së zëdhënësës së Serbisë – Rusisë. Por do të trajtoj pse teoritë e sipërcekura diplomatike nuk janë korrekte.
Duke ngushtuar debatin në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, si “cënim të sovranitetit” dhe “paprekshmërisë territoriale” të saj, me lëvizjen e theksit logjik të renditjes së ngjarjeve, duke prezantuar në mënyrë të përhershme Kosovën si pjesë të Serbisë, aksi serbo-ruso-rumun pohon se gjoja është shkelur e drejta ndërkombëtare, sepse Beogradi ka humbur kontrollin mbi Kosovën, dhe se po krijohet një farë “precedenti i rrezikshëm” për modele të tjera në Botë.
Por, ata harrojnë se kufijtë e Serbisë janë kufij artificialë që përfshijnë, edhe pas shkëputjes juridike formale të Kosovës (më 17 shkurt 2008), treva të tjera të pushtuara shqiptare. Po të ishte Serbia në kufijtë e saj natyralë, vetëm atëherë do të mund të kishte të drejtë të pohonte, se ia paska cënuar dikush “sovranitetin” dhe “integritetin” e saj territorial ! Dhe, atëherë ajo do të përfshinte jo më pak, jo më shumë se sa ish pashallëkun e Beogradit, prej të cilit u zgjerua gradualisht në treva të huaja. Për këtë arsye Serbia deri më tani as nuk ka folur kurrë dhe as nuk po flet për Serbinë Etnike, por ka folur dhe flet vetëm për Serbinë e Madhe. Duhet pohuar dhe nuk duhet harruar kurrë, se kufijtë e vendosur në Ballkan, pas agresionit ushtarak serbo-malazezo-grek të vitit 1912 mbi popullin dhe trojet shqiptare në Luftën e Parë Ballkanike, janë kufij artificialë dhe kolonialë, që kanë shkaktuar dhe vazhdojnë të shkaktojnë tensione të vazhdueshme që grumbullohen nën hijen e “qendrueshmërisë” duke mbajtur ndezur “fuçinë e barutit” kërcënues për paqen e stabilitetin, fillimisht në Ballkan dhe pastaj edhe në të gjithë Evropën dhe më gjërë.
Kufijtë e vendosura në favor të Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi dhe më vonë edhe të krijesës artificiale dhe koloniale sllavo-maqedonase kanë cënuar, mbi 96 vjet me rradhë, integritetin territorial dhe paprekshmërinë e kufive të Shqipërisë, sepse vullneti i popullit shqiptar, i shprehur në Vlorë në 1912, nga delegatët e të gjitha viseve të Shqipërisë, ka qenë shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë së katër vilajetëve shqiptare që ishin nën sundimin turk. Fuqitë të Mëdha të mbledhura në Londër, njohën dhe ligjëruan aneksimin sllavo-grek mbi trojet shqiptare, si dhe vendosën krijimin e një Shqipërie të vogël, prej 28.000 km2. Vetëm pas një viti do të shpërthente Lufta e Parë Botërore, fakt që dëshmon se aktet arbitrare të padrejta të shkaktuara popujve të vegjël, për të mbajtur të palëkundur balancën midis Fuqive të Mëdha, jo vetëm se nuk i uli tensionet midis tyre, por krijoi vatra të përhershme konflikti, dhe Ballkanit ia la ne fuqi epitetin “fuci baroti”. Në hapësirën euro-aziatike, faktori sllav (ruso-serb), i “përkdhelur” dhe i fuqizuar përmes traktateve evropiane të viteve 1878 (Berlin), 1913 (Londër) dhe 1918 (Paris), ka qenë që, prej fundit të Shekullit XVIII, për shkak të projekteve herë të pandërgjegjshme dhe herë të ndërgjegjshme të zgjerimit territorial të tyre, ka vazhduar dhe vazhdon ky faktor konfliktualiteti dhe hegjemonist sllav. Ne mund tani të flasim apo të mos flasim për Konferencën e Ambasadorëve të Londrës dhe për vendimet e Vlorës, por 95 vjet pas këtyre ngjarjeve një pjesë e madhe të padrejtësive të asaj kohe ështe riparuar me aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që përmban juridikisht shprehjen e së drejtës së vetëvendosjës së popullit që më parë ishte pushtuar dhe kolonizuar nga Serbia.
Sa i përket teorisë së precedentit të rrezikshëm…, Rusia, ende gjykon politikën botërore me terma të vjetra të ekuilibrit të forcave dhe tregimit të forcës së vet për përvetësimin e udhëve energjetike, që synojnë të sundojnë ekonomikisht Evropën. Ajo (Rusia), në Ballkan, shfrytëzon sundimin kolonial të Serbisë për t’iu imponuar Botës, se balanca e “paprekshmërisë së kufijve” mund të ndryshohet kurdo dhe kudo ku ajo ka qejf dhe asnjëherë dhe askund ku nuk ka interes. Teoria e “precedentit të rrezikshëm” është gogoli me të cilin Rusia-Serbia duan të trembin komunitetin ndërkombëtar, duke vendosur njëkohësisht një të drejtë ndërkombëtare të përmbysur, të shtrëmbëruar, kundër popujve dhe kombeve josllave.
Ndërkohë që, Osetia dhe Abkhazia, janë enklava të shpikura artificialisht për bazat ushtarake ruse në Kaukaz dhe si rrjedhojë ata nuk mund të përbëjnë çështje koloniale, problemi i trevave shqiptare që ishin të pushtuara ka të gjitha karakteristikat e një çështjeje të tillë koloniale dhe është objekti i përcaktimeve ligjore specifike të së drejtës ndërkombëtare. Është shfaqur mbi këto treva pushtim dhe invadim klasik ushtarak, sipas planeve të qëllimshme siç janë “Narçetanije” (Serbia) dhe “Megali Idheja” (Greqia), që nuk lejuan vend për krijimin e shtetit aktual shqiptar, trojet e të cilit do të duheshin të ndaheshin (midis Athinës dhe Beogradit) me kufirin e tyre te Lumi Shkumbin. Planet e pushtimit dhe kolonizimit janë bërë për përfitime të llogaritshme ekonomike, siç janë pasuritë natyrore nëntokësore dhe mbitokësore (kryesisht fushat pjellore) apo njerëzore (pronat të shqiptarëve) të Shqipërisë Natyrale. Projektet e pushtuesve serbë përfshinin edhe boshatisjen e popullatës vendore autoktone shqiptare dhe zëvendësimin e saj me një popullatë sllavo-greke. Është e njohur Marrëveshja Serbi-Turqi për dëbimin e shqiptarëve nën ish-Jugosllavi, të zbatuar deri në vitin 1966, si pasojë e së cilës mbi 200.000 shqiptarë u dëbuan në Turqi. Apo aksionet konkrete të dëbimit të shqiptarëve të Toplicës, një territor sa Kosova aktuale, që përfshinte mbi 700 fshatra shqiptare dhe shumë qytete, prej të cilës Serbia ka dëbuar të gjithë shqiptarët pas traktatit të Berlinit të vitit 1878
Mbetet për të diskutuar pse paralelja Kosovë – Transilvani është më shumë së qesharake. Transilvania është një trevë e banuar kryesisht nga rumunët, që më shumë së 1000 vjet u pushtua dhe u kolonizua nga ana e Hungarisë dhe Austro-Hungarisë. Pushteti kolonial i Budapestit ka vendosur popullsi koloniale e sekutëve (jo hungarezë, por një popull me origjinë mongole, të hungarizuar) duke e përqendruar atë në zonat kufitare – rajonet e tanishme Harghita dhe Covasna. Kjo popullsi, e nxitur apo jo nga jashtë, ka kërkesa të autonomisë, kurse radikalët duan shkëputjen e Transilvanisë prej Rumanisë. Qeveria rumune gabon se trembet nga gogoli rus i “precedentit të rrezikshëm” sepse kjo popullatë e sekutëve është pra, si në rastin e shumë serbëve të kolonizuar nga Beogradi, kryesisht në kohën e reformës agrare (vitet ’30-ta), vetëm popullsi minoritare. Asaj i aplikohen të drejtat të përcaktuara në konventat për minoritetet dhe kurrsesi të drejtën e vetëvendosjes. Dhe qeverisë së Rumanisë duhet t’i shtrohet pyetja kështu: nëse Transilvania u çlirua prej pushtimit dhe kolonizimit hungarez më vitin 1918, pse Kosova, e pushtuar dhe e kolonizuar nga Beogradi nuk mund të ketë legjitimitetin e shkëputjes prej pushtimit dhe kolonizimit serb?! Transilvania si gogol është hedhur para syve të verbër të qeverisë rumune, për ta bërë të paaftë të ketë një qëndrim koherent në rastin e Kosovës, lidhur me problemin e Moldavisë – Transnistrisë.
Moldavia ka qenë një territor të shkëputur prej Rumanisë, më 1940, pas marrëveshjes Ribrentop – Molotov (ministrave të puneve të jashtme të Gjermanisë naziste dhe Bashkimit Sovjetik). Ajo ishte banuar krejtësisht nga popullsi rumune. Rusia sovjetike ka ndjekur të njëjtën taktike që e kanë ndjekur serbët në Kosovë: sllavizimi, dëbimi, kolonizimi i trevës me popullsi ruse, ukrainase, etj. Në vitin 1991, Moldavia shpall pavarësinë. Menjëherë, në vitet në vazhdim, Rusia përgatit problemin artificial të Transnistrisë, ku merr pushtetin një qeveri pro-ruse të Igor Smirnovit. Moldavia kryesohet tani nga partia komuniste të Vladimir Voroninit, një kukull si Smirnovi të Moskës dhe perspektivat që ajo të njeh Kosovën, janë zero. Tani, ashtu siç ka qenë Moldavia e pushtuar dhe e kolonizuar nga Rusia, ka qenë e pushtuar dhe e kolonizuar edhe Kosova, nga Serbia.
Dhe, nëse Moldavia ka pasur të drejtë legjitime të shpallë pavarësinë prej një pushteti rus, pse Kosova, sipas mendjeve “të ndritura” të zyrtarëve rumune të mos kenë këtë të drejtë?!
A nuk ka precedent më të rrezikshëm se sa rreziku i pushtimit sllav (rus apo serb) për kombet josllave në rajon?!
Pse Rumania nuk bëhet zëdhënëse të interesave të saj në Republikën e Moldavisë që lidhen me popullsinë rumune të atjeshme, ndërkohë që ka ankthe të papërcaktuara, pa njohur as historinë, as politikën e Kosovës? Duke gabuar kështu në politikën e jashtme, i ka mundësuar Rusisë të merr në kontroll jo vetëm Transnistria, por edhe vetë Moldavia, gjë që krijon tensione në rajon, sepse popullata rumune të atjeshme nuk duron më tutje regjimin e ish-ministrit të punëve të brendshme në kohën e Bashkimit Sovjetik, Vladimir Voronin.

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …