26 vjet më parë në Pashtrik jehuan pushkët e lirisë!

Sot, në 26 vjetorin e rënies në malet e Pashtrikut u kujtuan dëshmorët e kombit: Muhamet Malsori, Hysni Duraku, Sinan Hoti, Isak Hoti, Sedat Hoti, Hida Hoti dhe Ismet Hoti nga Krusha e Madhe dhe Skender Hameli nga Mazreku i Hasit.

Në postimin e kryetarit Latifi në rrjetin e tij social, facebook thuhet:

“Sot, në përkujtim të dëshmorëve të kombit: Muhamet Malsori, Hysni Duraku, Sinan Hoti, Isak Hoti, Sedat Hoti, Hida Hoti dhe Ismet Hoti nga Krusha e Madhe dhe Skender Hameli nga Mazreku i Hasit, së bashku me bashkëpunëtorë, me ish-luftëtarë dhe me familjarë të dëshmorëve e të martirëve, bëmë nderime në respekt të jetës dhe të veprës së tyre te Kompleksi Përkujtimor në Krushë të Madhe, si dhe te vendi i rënies në malet e Pashtrikut. Ata i vunë gjoksin furtunës dhe me gjakun e tyre skuqën borën e bardhë të Pashtrikut. Ai gjak vërshoi nëpër damarët e tokës dhe sot ushqen filizat e rinj që rriten e burrërohen në liri. Gjaku ujë nuk bëhet, por forcon e lartëson përmendoren e ardhmërisë. Kjo sakrificë madhore e bijve të Krushës së Madhe dhe e të gjithë atyre luftëtarëve që me guxim i dolën të keqes përpara, rezultoi me çlirimin e Kosovës.

Dëshmorët janë ndërgjegjja më sublime dhe vetëdija e ngritur në piedestalin më të lartë. Ata jetuan, vepruan, luftuan dhe u sakrifikuan për ne.

Jehona e zërit të tyre është jehonë lirie që nuk do të na lejojë të devijojmë nga rruga drejt ardhmërisë më të mirë të brezave që do të na pasojnë.

Lavdi! ka shkruar në postimin e tij në facebook, kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi i cili ka shpërndarë një album me fotografi, ku ka potencuar se shumë të rinjë në këto foto mbajnë emrat e dëshmorëve që i përkujtojmë, që po rriten, po edukohen në liri dhe po jetojnë me krenarinë për ta.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Malishevës me 19 dhjetor organizon me qytetarë e saj takimin e dytë publik

Komuna e Malishevës përmes faqes zyrtare të saj në facebook njofton qytetarët e interesuar se …