Asfaltohet rruga Zllatar-Dardani në Ferizaj

Të premten ka filluar të bëhet asfaltimi i rrugës Zllatar-Dardani, projekt ky i një rëndësie shumë të madhe për banorët.

Për të parë nga afër punimet që po realizohen në këtë rrugë doli edhe kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa së bashku me drejtorin e infrastrukturës, Gafurr Ilazin dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Me këtë rast i pari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se një kohë të gjatë kanë munguar investimet kapitale  ne këto lokalitete.

“Në vitet e fundit kanë qenë zona të mbyllura dhe të shkëputura në një mënyrë,  nga lidhja me pjesë tjera të komunës së Ferizajt, sidomos  nga kjo anë, dhe ne kemi konsideruar që është e pamjaftueshme lidhja kryesore që ka qenë në anën tjetër. Kërkesat e banorëve si taksa pagues tanë na kanë obliguar që të jemi të vëmendshëm ndaj kërkesave të tyre dhe kemi realizuar  këtë projekt  i cili komunës së Ferizajt i kushton rreth 300 mijë euro,  dhe nuk është i vetmi, sepse ka investime edhe në rregullimin e pjesëve të kanalizimit, por edhe në rregullimin e shtëpive të reja në vend të atyre të vjetra ku banorët e fshatit Zllatar i kanë larguar me vet dëshirë për ta mundësuar funksionalizimin e rrugës sipas standardeve  tona,  sepse ne po asfaltojmë rrugë me 6 metra gjerësi, ndërsa   gjatësia e kësaj rruge është mbi 3 kilometra dhe ne po presim shpejt ta bëjmë edhe inaugurimin e kësaj artere tepër të rëndësishme  për qarkullimin rrugorë për njerëzit e këtyre lagje”, ka thënë kryetari Svarqa, duke shtuar se secila kërkesë e banorëve të këtyre fshatrave do të realizohet.

“Gjithsesi ne po orientojmë investimet në këtë anë për shkak të asaj,  se kemi evidentuar të gjitha mungesat në bazë të takimeve që kemi pasur publike me banorët dhe me përfaqësuesit e   fshatrave dhe kërkesat e tyre janë në Drejtorinë e Infrastrukturës dhe gjithsesi edhe ato do të realizohen”, ka nënvizuar kryetari Svarqa.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i fshatit Zllatar Xhevat Sallahu, është shprehur mirënjohës ndaj kryetarit Svarqa dhe Komunës së Ferizajt për investimet që janë bërë në këtë fshat.

“Ne falënderojmë kryetarin dhe komunën që kanë bërë asfaltimin e rrugës me standarde evropiane. Po ashtu falënderojë edhe banorët e këtij fshati që kanë liruar pronat e tyre vetëm e vetëm që të bëhet rregullimi i rrugës në mënyrën më të mirë të mundshme”. ka thënë Sallahu.

Edhe Elhami Karaliti banorë i këtij fshati, tha se ndjehet tejet mirë që më në fund po bëhet edhe asfaltimi i rrugës së tyre.

“Zllatari po merr një pamje krejtësisht tjetër me një infrastrukturë moderne dhe  evropiane”, ka thënë Karaliti.

Asfaltimi i rrugës Zllatar-Dardani konsiderohet si njëri ndër projektet më të mëdha të këtij viti për komunën e Ferizajt.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …