1968

Më 27 nëntor të vitit 1968 studentët dhe rinia liridashëse e Kosovës kishin zhvilluar në Prishtinë një demonstratë masive

Më 27 nëntor të vitit 1968, studentët dhe rinia liridashëse e Kosovës kishin zhvilluar në Prishtinë një demonstratë masive, me kërkesa sociale dhe politike. Gjatë protestave është vrarë nga policia serbe, nxënësi, Murat Mehmeti. Në krye të demonstratave ishin Osman Dumoshi , Skënder Kastrati e të tjerë. Demostruesit kishin  paraqitur kërkesa si: ”Duam vetëvendosje deri në shkëputje”, ”Poshtë politika kolonialoste ndaj Kosovës”,”Duam bashkimin e të gjitha viseve shqiptare me Kosovën”, ”LNÇ-ja nuk na solli lirinë!”, ”Duam Kushtetutë!”, ”Duam Universitet!”, ”Duam bashkimin e Preshevës… me Kosovën!”.

 Ja si e përshkruan demonstratën, Adil Pireva pjesëmarrës

 Demonstratat shpërthyen më 27 Nëntor 1968 në Prishtinë, Besianë, Ferizaj dhe Gjilan. Nismën e ndërmori dhe shkëndijën e ndezi një Grup politik nëntanëtarësh i studentëve të Prishtinës, me Osman Dumoshin në krye. Ky grup quhej Komiteti i Demonstratave dhe përbëhej nga Osman Dumoshi, Adil Pireva, Selatin Novosella, Ilaz Pireva, Xheladin Rekaliu, Afrim Loxha, Skënder Muçolli, Skënder Kastrati dhe Hasan Dërmaku.

Bërthama e këtij Grupi vepronte ilegalisht që nga viti 1964, si celulë e të rinjve të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, themeluar nga simboli i qëndresës shqiptare, Adem Demaçi, tash Hero i gjallë i Kosovës. Ky grup kishte grupe shokësh, përpos në Prishtinë, edhe në qytetet e prejardhjes dhe në qytetet e tjera të Kosovës, disa syresh edhe shokë fëmijërie, por veçanërisht, me lidhje më të afërta, në Podujevë, Ferizaj dhe Gjilan. Numri i tyre ishte mbi 40-50 vetë, me të cilët kishte afri pikëpamjesh dhe marrëdhënie miqësie. Me ta kishte kontakte të pandërprera nëpër shkolla e fakultete dhe ndërmarrje ekonomike, sidomos në Termoelektranën e Obiliqit, kryesisht teknikë, që të punësuar aty, vazhdonin studimet pa shkëputje nga puna. Shto këtu pastaj edhe familjarë, vëllezër e motra dhe të afërm e të njohur të tyre, që ndër të parët ishin njoftuar me organizimin e demonstratave. Këto grupe pastaj me progresion gjeometrik u shtrinë gjithandej nëpër shkolla, fakultete dhe ndërmarrje të ndryshme në mbarë Kosovën dhe kështu u krijua një rrjet prej mijëra njerëzish, që funksionoi për mrekulli në organizimin e demonstratave, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në qytetet e tjera të Kosovës. Në organizimin e demonstratave në Prishtinë duhet veçuar nxënësit e shkollave të mesme, veçanërisht të Shkollës Normale dhe të Shkollës Teknike.Qëllimet demonstratave të ‘68-ës kanë qenë: mbrojtja e kërkesave, që tashmë ishin paraqitur legalisht…. (Adil Pireva)

Kontrolloni gjithashtu

Macron diskuton me Vuçiq për temat dypalëshe dhe integrimin Evropian të Serbisë

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij serb, Aleksandar …