( 28. 12. 2007) Mehmet Bislimi: Drejtësia, që vepron në mënyrë selektive, nuk është drejtësi

 


Janë të tejdukshme pretendimet e qarqeve të caktuara brenda llojit të vet, për të margjinalizuar dhe minimizuar rastet flagrante të keqpërdorimit të buxhetit të Kosovës, nga keqpërdoruesit, abuzuesit dhe nga hajnat e parasë së popullit, me qëllim të mbrojtjes së tyre, duke bërë përpjekje të zbehin një aktakuzë edhe ashtu të zbehur tej mase nga pesha e vet deri në tallje e injorim banal të praktikës universale të zbatimin e ligjit dhe të drejtësisë.
Populli ynë, ka jetuar me shpresën e pa tundur dhe dinjitetshëm ka pritur vite të tëra se një ditë gjërat do të bien në vend të vet, duke qenë të vetëdijshëm se sikur në shumë vende të rajonit, faza e tranzicionit do të marr haraçin e vet edhe tek ne në Kosovë.
Fundi i fundit, populli ynë ka shpresuar dhe ka besuar edhe më shumë, se do të jetë bashkësia ndërkombëtare, pra administrata e UNMI-kut, ajo që hajnave dhe keqpërdorueseve do t’ua tregojë vendin!
Shtrohet me të drejt pyetja: Si ka mundësi që dhe pas kaq vitesh, fuqia e ligjit dhe e drejtësisë në Kosovë sa vjen e bëhet edhe më e brishtë e më qesharake, e cila i përshtatet parafrazimit, “dikujt mizën ia bëjnë buall e tjetrit buallin ia bëjnë mizë!”…
Kjo farse aktakuze, që këto ditë u ngrit kundër Dacit, nuk kishte më shumë brenda saj se përcjelljen e një mesazhi të rremë e zhgënjyes në përpjekje për ta bindur qytetarin tonë se gjoja, këtu vepron ligji! Nga veprat e rënda penale që kanë ndodhur, ndër më skandalozet në rajon, gjatë këtij legjislacioni qeverisës në Kosovë siç janë: Vjedhje në emër të Vila Gërmisë, në emër të renovimit të Kuvendit të Kosovës, në emër të makinave të blinduara, në emër të mirëmbajtjes dhe derivateve për këto makina, në emër të sigurisë së shtëpisë së kryetarit të vendit dhe të sigurisë së tij, në emër të udhëtimeve, darkave e drekave, në emër të riparimit, intervenimit të pandërprerë në KEK, në emër të regjistrimit të popullatës, në emër të sportit e kulturës, në emër të privatizimit të Feronikelit, në emër të intervenimit në rrugët e Kosovës, në emër të drejtësisë dhe sigurisë së burgjeve, në emër të shëndetësisë dhe medikamenteve, në emër të arsimit dhe reformave, në emër të planit hapësinor, në emër të shërbimeve kadastrale, në emër të mobilimit të zyrave ministrore, në emër të shërbimeve telefonike e çka jo! Dhe në fund, hartohet një aktakuzë sa irrituese aq edhe qesharake; për një palë syze me xhama të errët, dhe për një palë dhëmbë, që paka keqpërdorur ish kryetari i Kuvendit, Daci….
Në mesin e shumë problemeve të mprehta, me të cilat sot po ndeshet shoqëria jonë, jo vetëm me zhgënjimin ekonomik, por mbi të gjitha me zhgënjim politik e moral, për fat të keq po bëhen përpjekje madje të suksesshme për të mbrojtur abuzuesit e shoqërisë sonë siç janë hajdutët, të korruptuarit, matrapazët, të ligjtë, pra vrasësit e perspektivës së atdheut tonë! Kjo ndodhi e po ndodhë për faktin se administrata e UNMI-kut, me ison e pozitës, nuk veproi në zbatimin e ligjit, nuk ndëshkoi të gjithë ata që ranë ndesh me ligjin, në mënyrë që t’i vënë gishtin kokës të tjerët, para së të mendonin për të bërë gjëra të liga në kurriz të atdheut. Përkundrazi, kjo administratë e dështuar në shumë segmente në misionin e saj në Kosovë, me këto veprime, vetëm sa ka trimëruar hajnat, duke e bërë “ buallin mizë” pikërisht për ata që do duhej mos ta shihnin diellin për disa dekada me radhë!… dhe duke e bërë “ mizën buall” për ata që kanë vjedhur një qerre dru për të ngrohur kalamajtë! Nëse këta qenkan dhëmbët e drejtësisë, vështirë se do ta kafshojnë dikë.

Ky shembull i keq, kjo përvojë e hidhur, ky ves i shëmtuar, druaj se do ta përcjellë shoqërinë tonë bukur gjatë për vet faktin se këto dukuri negative do të reflektojnë edhe te pasuesit e pushtetit të ardhshëm, i cili tanimë ka paralajmëruar për të bërë koalicion me një pjesë të këtyre keqpërdorueseve, për të mos thënë hajnave! Dhe hajni nuk ka zanat tjetër veç hajnisë, kuptohet nëse nuk i frikohet goditjes së ligjit, sidomos kur dihet se ligji dhe drejtësia e UNMIK-ut në këtë drejtim në Kosovë, nuk dha rezultatet e duhura. Të vetmin “sukses” që arriti ishte ajo që dënoi dhe burgosi shumë nga pjesëtarët dhe invalidët e luftës! Ne do jemi gjallë dhe do të bartim shumë keq barrën e bastardimeve të ligjit mbi shpinë, madje edhe gjatë. Kishte plot zëra ( kuptohet, brenda llojit të vet), se kjo “aktakuzë” ka motive politike! Është për t’u habitur fakti se sa me mjeshtri pretendojnë hajnat që të fshihen pas politikës!
E kuptueshme, por duhet të dihet se edhe hajn edhe politikanë, të dyja bashkë nuk bëjnë, edhe hoxhë edhe i pa fe- nuk shkojnë bashkë, edhe i moralshëm edhe pusht nuk shkojnë, edhe tradhtar edhe në shërbim të atdheut, as këto nuk shkojnë bashkë, prandaj sulmi, apo aktakuza për të parët, nuk bëhet mbi baza të politikës, por mbi baza të së ligës që këta i sjellin shoqërisë dhe atdheut.
Të mbrosh shtetin nga keqpërdoruesit është detyra më e shenjtë e demokracisë për të zhvilluar e përparuar vendin, për të zënë trendin e hapave të zhvillimit të shteteve të Evropës, është jo më pak se ndjenjë atdhetarizmi. Shtetet e zhvilluara e zënë për sukses kur keqpërdoruesit e buxhetit të shtetit të tyre, apo të çështjeve tjera i denoncojnë para ligjit, madje ka raste kur shtete të caktuara me demokraci më të zhvilluar kanë iniciuar hetime për çështje të caktuara edhe kundër ish figurave më të njohura të burrë shtetasve të tyre, siç ishte rasti me Kochl në Gjermani, dhe Miterand në Francë etj.
Qytetari i lirë i Kosovës sot me të drejt ndihet i fyer për faktin se po që se nuk i posedon 20 euro në xhepin e tij të varfër, për të dhënë mito në relacionin e shpërblimit të tij për një certifikatë lindjeje, vdekjeje, kurorëzimi, regjistrimi, makine, tatimi në pronë, rregullim të ndonjë rasti për hospitalizim, për një dokument udhëtimi, për një patentë makine etj. Fatkeqësisht, ata do sorollatën me javë për të rregulluar këto dokumente, për mos të thënë se nuk do t’i rregullojnë fare…Këto dukuri gjithnjë në rritje, sot në Kosovë po e vrasin ligjin dhe drejtësinë, po vrasin shpresat e qytetarit për ditë më të mira, po vrasin krenarinë tonë të dikurshme, po vrasin prestigjin e vendit tonë, po vrasin besimin për një të ardhme me të përparuar, po vrasin entuziazmin e dikurshëm të popullit tonë, po vrasin të gjithë ata që dhanë aq shumë për këtë vend, dhe krejt në fund u zhgënjyem shumë në besimin se këta të huajt se do ta bëjnë ligjin, ligj. Mos zbatimi i ligjit në jetën e përditshme në Kosovë, ka prekur edhe fundin e zhgënjimit të qytetarit tanë, zhgënjim për tej të cilit më nuk ka ku të shkojë!
Administrata e UNMIK-ut, duke i përdorur ligjet e një sistemi dogmatik e monist siç ishin ligjet jugosllave, vetëm sa e zvarriti për shumë vjet vendosjen e demokracisë në Kosovë. Ata nuk bënë prerjen e domosdoshme mes ligjeve diskriminuese të një sistemi monist, me qëllim për të inkuadruar në Kosovë ligjin e së drejtës dhe vlerat më universale të shoqërive të zhvilluara me një sistem demokratik.
Të gjithë ata zyrtarë, të cilët nga buxheti i shtetit prekin lekët, qoftë edhe për një palë syze, ata duhet futur prapa grilave, për faktin se ata më vonë do rregullojnë dhëmbët që ju duhen për të përtypur, më pas shtëpitë, makinat, vilat, banesat për vete, për fëmijët e tyre, për dhëndurët e kështu me radhë! Jo vetëm kaq, duke i denoncuar dhe dënuar hajnat, lirohet populli prej keqpërdorueseve, lirohet politika jonë kombëtare, lirohet dhe merr frymë më lirshëm demokracia, dhe mbi të gjitha lirohen edhe subjektet e tyre politike nga ata që procesin e zhvillimit të një shoqërie e degjenerojnë skajshmërisht.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …