28 vite më parë, më 21 prill të vitit 1990, u lirua nga burgjet e Jugosllavisë, Simboli i rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçi, i cili kishte mbajtur 28 vjet burg, i dënuar tri herë nga regjimi i RFSJ-së, për veprimtari atdhetare me kërkesë programatike për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e viseve shqiptare me Shqipërinë. Lirimi i tij ishte mirëpritur nga mijëra qytetarë liridashës, në Kosovës dhe kudo në trojet shqiptare. Adem Demaçit në vitin 1991 Parlamenti Evropian i ka ndarë Çmimin Saharov për qëndresë, paqe e humanizëm
Simboli i rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçi, edhe pas lirimit nga burgu ishte angazhuar në drejtim të përparimit dhe zgjidhjes së Çështjes Kombëtare shqiptare. Një kohë ka qenë drejtor i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe lirive të Njeriut, në Prishtinë. Gjatë kohës së luftës së UÇK-së ishte i autorizuar nga SHP i UÇK-së të formonte institucionet, ndërkohë që në vitin 1999 kishte hapur, në Prishtinë, zyrën e UÇK-së.
Pas luftës klasa politike e Kosovës nuk i ofroi kurrfarë pozite për meritat e tij, sepse Demaçi me fakte kishte refuzuar Konferencën e Rambujesë, meqë ajo parashihte që Kosova të mbetej nën sovranitetin e Serbisë. Kjo ishte konfirmuar edhe me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, rezolutë në të cilën ende thirret OKB-ja, edhe pse shumica e shteteve të botës e ka pranuar Pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.
Katër vite më parë, me idesë të tij për një medium krejtësisht të pavarur iu kishin bashkuar disa ish të burgosur politikë dhe kishte themeluar TV-Diellin, por ndërkohë ishte sëmurë dhe familja e tij ishte tërhequr nga projekti, duke i tërhequr edhe mjetet e pajisjet teknike. Ideja e tij ishte pikërisht ashtu sikur kishte qenë dikur ideja e Tolstoit të madh, për ta lënë veprën e tij në shërbim të publikut.
Adem Demaçi njihet edhe në letërsinë shqipe si shkrimtar i një perceptimi të veçantë krijues, ndërsa romani i tij i parë, “Gjarpinjtë e gjakut”, ka qenë vepra më e kërkuar dhe e lexuar ilegalisht, gjatë tërë kohës sa ai ka qëndruar nëpër burgje. Demaçi ka qenë dhe përgjithmonë do të mbetet Mësuesi i idealizmit kombëtar të shqiptarëve.
Sot 28 vjetori i lirimit nga burgu ku kishte mbajtur 28 vjet Demaçin e gjen në moshë 82-vjeçare, me shëndet të rënduar por të paepur.
Jeta dhe vepra e Adem Demaçit, Mandelës së Evropës përbën një rast unik jo vetëm në historinë e kombit shqiptar.