Aziz Kelmendi

Më 3 shtator 2017, në sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë përkujtohet dëshmori, Aziz Kelmendi

Në 30-vjetorin e rënies, përkujtohet dëshmori i kombit, Aziz Kelmendi nga fshati Karaçicë i Drenicës. Ai ishte vrarë në dalje të Kazermës së Paraqinit, në Serbi më 3 shtator të vitit 1987, pasi paraprakisht dyshohej se kishte vrarë katër  ushtarë jugosllavë.  Kjo vrasje mbeti enigmatike për faktin se u krijuan dy versione krejtësisht të kundërta. Versioni zyrtar i eprorëve të Armatës së Jugosllave, i politikës zyrtare  dhe i komunistëve të Kosovës, deklaronte se i riu Aziz Kemendi ishte i indoktrinuar me nacionalizëm dhe irredentizëm shqiptar dhe  kishte vrarë katër ushtarë jugosllavë e pak më vonë e kishte vrarë edhe vetën. Versioni tjetër i përfolur në Kosovë, që i shkonte përshtati politikës durimtare pacifiste, kishte projektuar versionin se Shërbimi  Sekret Serb  brenda Ushtrisë së Jugosllavisë kishte vrarë vetë katër ushtarët, duke përzgjedhur në mesin e tyre një serb, një kroat një boshnjak dhe një tjetër, me qëllim për të t’ia adresuar ushtarit Aziz Kelmendi, të cilin e kishin zgjedhur se qengj të flijimit. Armata jugosllave asokohe dënoi me burg të rëndë shtatë nga shokët e tij,  prej 3 deri në 20 vjet burg, të akuzuar se kishin ditur se Aziz Kelmendi po projektonte vrasjen e ushtarëve.  Fushata kundër Aziz Kelmendit, familjes dhe të njohurve të tij ishte fushatë e egër me shpifje, izolim të familjes, madje edhe me shkrime  të ulëta e fyese sikur kishte bërë asokohe publicisti,  Veton Surroi i cili kishte kërkuar luftë pa kompromis kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar dhe kishte trajtuar si armiqësore kërkesën e shqiptarëve për Republikën e Kosovës.

Veton Surroi “Kthimi prej matanë arsyes”

Tragjeditë gjithnjë na kthejnë brenda vështirësive dhe gjetjes së atyre simboleve që kanë domethënie për vetë ekzistencën tonë njerëzore. Na çojnë të kërkojmë shenja identifikimi të përbashkët që na lejojnë t’i tejkalojmë më lehtë momentet e dhimbjes. Kështu ndodh edhe sot, pasi që u varrosen të katër ushtarët e vrarë nga Aziz Kelmendi në kazermën e Paraçinit.

Krimi, ç’është e vërteta, si çdo herë gjerë më tani në historinë njerëzore, është përgjigjja praktike në pyetjen e përhershme që ia bën njeriu vetes se ç’fshihet në pjesën destruktive të njeriut, atje matanë arsyes. Shkatërrimi dhe vetëshkaktërrimi i jetës njerëzore nuk kanë nevojë për shpjegime të mëdha: janë pjesë të anës së zezë të vetë historisë së tij. Megjithatë, shtjellimi i këtoditshëm i së kaluarës së vrasësit e ngjyros krimin e tij me ngjyra urrejtjeje kombëtare. Shënimet e prezantuara për veprimtarinë armiqësore, për indoktrinimin me ideologji nacionaliste nga pozitat shqiptaromëdha e vënë aktin e vrasësit në kategorinë e shfryrjes së vetëdijes nacionaliste me anë të terrorit. Kategoria antikombëtare e nacionalizmit tejkalon me këtë rast çdo shkallë tjetër për të arritur në atë skajshmërinë e antihumanitetit. E kalon duke kapërcyer mbi kufomat e katër të rinjve, dhe mbi tronditjen e tërë vendit, në radhë të parë të kosovarëve, me atë kalim matanë arsyes.

Kthimi prej matanë arsyes është i rëndë. Është të shikohen në sy familjet e pikëlluara, të cilave asnjë fjalë ngushëllimi, pra se këto, nuk do të mund t’ua kompensojnë praninë e djemve, që i përcollën me hare e i priten me dhembje. Është të pranohet se dikund kemi gabuar, sepse asnjë tmerr kaq i madh nuk ka mundur të ndodhë rastësisht.

Kthimi prej matanë arsyes do të thotë të shihet edhe pse janë fshehur karakteristikat mbi veprimtarinë asociale të një njeriu, mbi veprimtarinë kundër kësaj shoqërie, dhe pse, përkundër të gjitha këtyre të pranohet edhe në LKJ! Por, ç’është më së vështiri të shihet edhe prej nga këso ngarkesash nacionaliste të një njeriu, i cili qe 14 vjeçar më 1981. Pra, të eliminohen ato.

Pra, të mos pranohet prania e urrejtjes, e cila ka kohë ka kaluar atë nivelin e vet individual dhe me praninë e nacionalizmit po orvatet të marrë statusin e vet shoqëror. T’i kthehemi zhdukjes së urrejtjes, madje edhe si kategori individuale, sepse krimet nuk ndodhin pa të. E ky krim nuk është drejtuar vetëm kundër jetës së katër njerëzve, por edhe kundër të gjithë neve, bashkësisë sonë të organizuar. Urrejtja e Aziz Kelmendit, ndonëse e manifestuar individualisht, kaherë i ka kaluar ata kufij. Ka prekur, nëpërmjet sulmit në APJ, në të gjithë ne.

Të ecet drejt arsyes, do të thotë edhe që krimi të mos jetë i identifikuar me gjë tjetër, pos me urrejtjen. Njeriu i cili e kreu krimin me antihumanitetin e tij tejkaloi çdo përkatësi tjetër që pati, pos asaj irracionale. Të ecet drejt arsyes, megjithatë nuk është ecje drejt harresës: nuk mund të harrohet prej nga është dhe ç’ka mundur të ndikojë rrethi i tij.

Kjo ecje drejt arsyes asgjëmangut është në rend kthimi kah simbolet tona ekzistenciale, kah shenjat tona të përbashkëta të identifikimit, kah domethënia e përditshme e idealeve e të nacionaliteteve të vëllazëruara dhe të fatit të tyre të përbashkët, kah vetëdija se pikërisht tash, më shumë se ndonjëherë gjerë më tani, na nevojitet fronti i përbashkët kundër urrejtjes, simbol i së cilës qe kësaj here, vrasësi, Aziz Kelmendi. Kundër urrejtjes, pra, që me vrazhdësinë më ekstreme po orvatet të depërtojë brenda qenieve tona shoqërore, kundër atyre bombave latente që janë të drejtuara kah qenia e bashkësisë sonë, kah simbolet e saj, pra edhe kah jeta e të rinjve tanë. Krimi në Paraqin është edhe një mësim që e dëshmoi këtë, por mësimi u pagua shumë shtrenjtë.( Rilindja, 9 shtator, 1987)

Kontrolloni gjithashtu

Ministri, Ejup Maqedonci, diskutoi  përforcimin e sigurisë kombëtare me NATO-n për stabilitet dhe integrime

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar rëndësinë e forcimit të aspektit të sigurisë për …