(30. 8. 2007) Qani MEHMEDI: Epo, njëmend çka bëjmë?

 


Duke hyrë me akademik Rexhep Qosjen në Institutin Albanologjik, një person i armatosur insiston të bisedojë me profesorin e njohur dhe herë më bëhej e herë nuk më bëhej se i kam veshët në rregull se çka tha ai: Jam i urdhëruar t’ua kërkoj çelësat e zyrës suaj, ju duhet ta braktisni atë dhe të merrni gjithë çfarë keni aty! Nuk e mora vesh në ishte personi nga radhët e Shërbimit Policor të Kosovës apo i ndonjë firme që merret me punë sigurie, por pavarësisht prej kësaj profesori ia ktheu me një indiferencë të plotë: Nuk ta marr për të keq ty, je ende i ri e nuk e di se çfarë bëhet e çfarë bën, por urdhërdhënësi yt është dashur të mendojnë që mos të të bëjë fatkeq! Po të njëjtën ditë, pra të mërkurën, 29 Gusht, 2007, marr vesh se drejtori i dhunshëm dhe i papranuar i Institutit Albanologjikë të Prishtinës, paguan tre katër punëtorë krahu nëpërmjet të cilëve e thyen zyrën e akademik Rexhep Qosjes, i pëshjellojnë librat e tij të shtrenjtë, e çrregullojnë tërë arkivin tejet të vlefshëm. Ata thjesht e dhunojnë hapësirën ku krijoi veprat më të rëndësishme akademik Rexhep Qosja duke bërë një terror të ndyrë në kulturën shqiptare.
Të pafytyrët nuk turpërohen nga asgjë, kurse sa e sa herë është provuar se as turpi nuk ka skaj. Ajo që ndodh në Institutin Albanologjikë të Prishtinës dhe me intelektualin më të madh të Kosovës, akademikun Rexhep Qosja, pa mëdyshje se do të hyjë ndër turpet më të rënda që janë bërë në një vend dhe në një kohë ndaj intelektualit dhe përgjithësisht ndaj institucioneve mendimkrijuese dhe dijebërëse. kosovare. Të jem më konkret: Ashtu si nuk është pritur dhe atëherë kur nuk është pritur Instituti Albanologjik i Prishtinës, para do muajsh me urdhër të Ministrisë së Arsimit të Kosovës, u vu në masa të dhunshme të cilat tregohen edhe më të egra se ato të regjimit të Millosheviqit. U vu vizë e zezë mbi të gjitha rregullat e punës të këtij institucioni tejet prestigjioz shkencor dhe u dërgua aty një drejtor i dhunshëm i cili lere që nuk ka lidhje me albanologjinë, (ama asnjë lidhje) por edhe në moralin, përgatitjen shkollore dhe në përcaktimin e tij kombëtar ka shumë pikëpyetje. Nuk ia dinte askush emrin as për dije, as për urtësi, e as për ndonjë vepër bamirësie! Ky person me dirigjimin dhe përkrahjen e grupacioneve të caktuara të interesit dhe të një grushti njerëzish në Ministrinë e Arsimit sigurisht që i bashkangjitet Halit Tërrnavcit dhe ndonjë tjetri si ai të cilët kujtesa intelektuale shqiptare i ka futur në katin më të zi të ferrit duke mos i rënë ndërmend kurrë që t’i nxjerrë nga ai.
Në të vërtetë, skandali që ndodh me mendjen më të ndritur intelektuale shqiptare, pavarësisht se duket tejet i rastit, shtron pyetje të shumta dhe esenciale lidhur me atë se çfarë po ndodh në sistemin pushtetmbajtës të Kosovës e posaçërisht çka është duke bërë Ministria e Arsimit në Kosovë. A njëmend ministrit dhe strukturave përgjegjëse të këtij organi qeveritar nuk i ka mbetur asnjë punë tjetër pos të dhunoj Institutin Albanologjik me një drejtor të dhunshëm dhe të vandalizoi zyrën dhe krijimtarinë e akademik Rexhep Qosjes.
Po të kishte opinion publik, me t’u dëgjuar ky lajm ministri i arsimit do të shkonte në shtëpi për tu mos u dëgjuar më emri i tij. Po të kishte opinion publik, Ministria e Arsimit të Kosovës automatikisht do t’i nënshtrohej një pastrimi të tërësishëm nga i cili do të përfitonte jo vetëm arsimi por edhe krejt Kosova. Po të kishte media elektronike të pavarura, ashtu siç proklamohet, nga mëngjesi deri në mbrëmje, jo vetëm që vandalistët do të viheshin në shtyllën e turpit por komplet eshtabilishmenti politik i Kosovës do ta pyeste veten se deri ku kanë shkuar punët dhe ç’është duke u bërë në emër të tij.
Vandalizmi ndaj Institutit Albanologjik dhe pa mëdyshje ndaj njeriut që i dha më së shumti emër dhe mbiemër këtij institucioni, si u shpreh këto ditë një analist, ndaj Habermasit të Kosovës, është një turp i rëndë në kulturën dhe në jetën shoqërore të Kosovës. Pas këtij akti dhe disa akteve të ngjashme si ky, tërë Kosova duhet të pyes vetveten: Epo ku jemi, epo ç’bëjmë, epo a është arritur skaji i fundit i fëlliqësive?

Kontrolloni gjithashtu

A. Vuçiq: Kryeministri Kurti, u detyra nga Gjermania e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për lejimin e mallrave serbe

Për heqjen e ndalesës së mallrave serbe në vetëm një pikëkalim kufitar në Merdare, presidenti …