Më 3 shtator të vitit 1987 ishte vrarë, Aziz Kelmendi, i lindur në fshatin Karaçicë të Drenicës. Ai kishte rënë në dalje të Kazermës së Paraçinit dhe nga regjimi dyshohej se kishte vrarë katër ushtarë jugosllavë. Kjo vrasje mbeti enigmatike për faktin se u krijuan dy versione krejtësisht të kundërta. Versioni zyrtar i kreut politik dhe atij të Armatës Jugosllave, në Beograd pastaj edhe i politikës vasale zyrtare të komunistëve të Kosovës, konsideronte se ushtari, Aziz Kemendi, i verbuar dhe i indoktrinuar me nacionalizëm dhe irredentizëm shqiptar, kishte vrarë katër ushtarë jugosllavë e pak më vonë e kishte vrarë edhe vetën.
Versioni tjetër i përfolur në Kosovë, që i shkonte përshtati politikës durimtare pacifiste, kishte projektuar versionin se Shërbimi Sekret Serb, brenda Ushtrisë së Jugosllavisë, kishte vrarë katër ushtarët, duke përzgjedhur në mesin e tyre një serb, një kroat një boshnjak dhe një tjetër, me qëllim për t’ia adresuar ushtarit, Aziz Kelmendi, të cilin e kishin zgjedhur si “qengj të flijimit”. Armata jugosllave asokohe dënoi me burg të rëndë shtatë nga shokët e Aziz Kelmendit, prej 3 deri në 20 vjet burg, të akuzuar se jo vetëm që kishin ditur se Aziz Kelmendi po projektonte vrasjen e ushtarëve, por edhe e kishin mbështetur e ndihmuar atë.
Fushata, kundër Aziz Kelmendit, familjes dhe të njohurve të tij, por edhe kundër të gjithë shqiptarëve liridashës në Kosovës e më gjerë, ishte fushatë e egër, madje edhe e mbështetur me shpifje, izolim të familjes, linçime, shkrime të ulëta denigruese e fyese kundër familjes së tij dhe kundër fajtorit kujdestar, i cili sipas tyre ishte, “nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar”.
Me qëllim të zgjerimit të fushatës antishqiptare, regjimi jugosllav i kohës, kishte dënuar me burg gjashtë ushtarë shqiptarë, dhe një boshnjak, duke i akuzuar se kishin bashkëvepruar me Aziz Kelmendin në vrasjen e katër ushtarëve dhe plagosjen e disa të tjerëve. Kishin dënuar me burg të rëndë: Rizah Xhaklin, 20 vjet burg, Abdylxhemil Alimanin, 20 vjet, Afrim Mehmetin, 13 vjet, Pajazit Aliun, 13 vjet, Shefqet Paqarizin, 7 vjet, Enver Behlulin, 5 vjet , dhe Riza Alibashiqin, 14 vjet burg.
Kjo fushatë e egër, antishqiptare, bëri që popujt jo serbë të Jugosllavisë ta kuptonin përfundimisht se nacional-shovenizmi serb kishte kulmuar betejën jo vetëm politike të serbizimit të Jugosllavisë dhe dobësimit gradual të rolit të republikave të tjera në federatën, e cila si e tillë, me shumë kontradikta politike, sociale e kombëtare nuk mund të bënte më tej. Pak vite më vonë, kryetari fundit i Federatës jugosllave, kroati, Stipe Mesiq, do të shprehej krenar se ai do ta përfundonte ekzistencën e Jugosllavisë federative, e cila u zhbë me gjakosjen mizore të kroatëve, të boshnjakëve myslimanë dhe të shqiptarëve, për të marrë fund me shkatërrimin definitiv të ish RSFJ-së dhe më në fund edhe bombardimin e Serbisë, nga NATO-ja prej 24 marsit deri më 9 qershor të vitit 1999, kur më në fund Serbia e Milosheviqit kishte nënshkruar kapitullimin.
Aziz Kelmendi, qoftë si martir, apo hero, i kontribuoi në masë fillimit të shkatërrimit definitiv të Jugosllavisë. Nëse ai revoltën e tij e manifestoi duke goditur Jugosllavinë nga brenda, që të zgjoheshin shqiptarët dhe popujt e robëruar nga RSFJ, kjo ka vlerën e vetë historike, sepse ajo nuk ishte armata e tij, por ishte armata që kishte robëruar atdheun e tij. Ishte armata që vriste ushtarët shqiptarë dhe ua kthente në arkivol familjeve duke u kumtuar lajmin se ushtari, pjesëtari më i dashur i familje së tyre, kishte bërë vetëvrasje.
Nëse, Aziz Kelmendi u zgjodh si “qengj i flijimit”, për ta ndezur zjarrin e shkatërrimit të Jugosllavisë, edhe kjo duhet të kuptohet se ishte një kthesë historike, sepse RSFJ-ja duhej të vdiste, ajo nuk mund të qëndronte më gjatë, në radhë të parë për shkak se mendësia fashiste, nacionaliste, totalitare serbe, ishte ajo e cila kërkonte serbizimin e saj dhe krijimin e Serbisë së Madhe.
Pushka e Aziz Kelmendit, ishte më habertarja e kohës. Vepra e tij, e bashkëluftëtarëve dhe pasuesve të tij, shpejtoi procesin e vdekjes së përgjakshme të Jugosllavisë, por ajo u kuptua shumë vjet më vonë dhe mori dimensionin aktiv-operativ, kur mijëra policë dhe ushtarë të regjimit serb të Milosheviqit, më 5. 6 dhe 7 mars të vitit 1998 iu vërsulën familjes Jashari në Prekaz të Drenicës, duke demonstruar forcën dhe tërë brutalitetin fashist mbi shqiptarët, me qëllim për shfarosjen e tyre kolektive, spastrimin etnik të Kosovës dhe zhbërjen e shqiptarëve. Shto kësaj edhe rreth 400 varreza masive me trupat e shqiptarëve të vrarë e të masakruar gjatë atyre viteve nga regjimi fashist i Beogradit. Edhe 21 vjet pas luftës, ende trajtohen të zhdukur më shumë se 1. 600 qytetarë të Kosovës, trupat e të cilëve me të drejtë mendohet se janë djegur nëpër minierat e Serbisë. Fakte e argumente të tilla kanë sjellë disa dëshmitarë serbë, sidomos për djegien e kufomave të shqiptarëve, në Maçkaticë të Serbisë.
Dilema, që ende shfaqet për figurën dhe veprën e Aziz Kelmendit edhe sot pas 33 viteve, edhe pas krimeve ndër më çnjerëzorët që i ushtroi regjimi i Milosheviqit kundër shqiptarëve në vitet 1998-1999, është pasojë e robërisë shekullore të shqiptarëve, është mungesa e këndelljes historike, në masë është edhe paaftësia e një pjesë të njerëzve tanë për t’i kuptuar realisht dhe me kohë ligjet e jetës, të cilat zhvillohen gjatë proceseve historike. Për me keq dhe më shëmtuar, në Kosovë nuk ka pak ithtarë të ish-Jugosllavisë, bashkim vëllazërimit dhe përbashkësisë, të cilët urrejtjen e tyre të verbër e të çoroditur e kanë kthyer kundër pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëjtë me urrejtjen e Vuçiqit e të Daçiqit. Të tillët, fajin për shkatërrimin e Jugosllavisë së tyre ia adresojnë edhe Aziz Kelmendit dhe luftës fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ahmet Qeriqi
3. 9. 2020
Çka kishte shkruar Veton Surroi, për Aziz Kelmendin, lidhur me vrasjen në Kazermën e APJ në Paraçin të Serbisë, 33 vjet më parë
Në mesin e gazetarëve dhe “intelektualëve” që u bënë të njohur duke dënuar nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar në Kosovë, përveç drejtorit të Rilindjes, Rexhep Zogaj, i cili Aziz Kelmendin e kishte quajtur vrasës kriminel, me një shkrim redaksional të “Rilindjes” kishte reaguar edhe Veton Surroi, djali i njërit prej ambasadorëve të regjimit titist të kohës. Avansimi i tij nuk ishte i rastësishëm, meqë si bir ambasadori, ai ishte i lidhur ngushtë me politikën e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me kombet sllave në luftën e ashpër që zhvillohej sidomos në vitet ’80 të shekullit të kaluar kundër shqiptarëve liridashës që dëshironin liri, barazi dhe bashkim kombëtar.
Besnikëria prej skllavi doli sheshit me shkrimet e tij të botuara në shtypin e kohës, serbisht dhe shqip, kundër të burgosurve shqiptarë që kërkonin: “Republikë-kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, liri dhe barazi me të tjerët. Një prej shkrimeve të tij më të përçudnuara, në drejtim të “damkosjes” së nacionalizmit shqiptar doemos është komenti i botuar me 9 shtator të vitit 1987 në gazetën “Rilindja” ku ai “demaskoi verbërinë nacionaliste shqiptare” të identifikuar me veprën e Aziz Kelmendit. Ja se ç’ shkruante Surroi asokohe:
Veton Surroi “Kthimi prej matanë arsyes”
Tragjeditë gjithnjë na kthejnë brenda vështirësive dhe gjetjes së atyre simboleve që kanë domethënie për vetë ekzistencën tonë njerëzore. Na çojnë të kërkojmë shenja identifikimi të përbashkët që na lejojnë t’i tejkalojmë më lehtë momentet e dhimbjes. Kështu ndodh edhe sot, pasi që u varrosen të katër ushtarët e vrarë nga Aziz Kelmendi në kazermën e Paraçinit.
Krimi, ç’është e vërteta, si çdo herë gjerë më tani në historinë njerëzore, është përgjigjja praktike në pyetjen e përhershme që ia bën njeriu vetes se ç’fshihet në pjesën destruktive të njeriut, atje matanë arsyes. Shkatërrimi dhe vetëshkaktërrimi i jetës njerëzore nuk kanë nevojë për shpjegime të mëdha: janë pjesë të anës së zezë të vetë historisë së tij. Megjithatë, shtjellimi i këtoditshëm i së kaluarës së vrasësit e ngjyros krimin e tij me ngjyra urrejtjeje kombëtare. Shënimet e prezantuara për veprimtarinë armiqësore, për indoktrinimin me ideologji nacionaliste nga pozitat shqiptaromëdha e vënë aktin e vrasësit në kategorinë e shfryrjes së vetëdijes nacionaliste me anë të terrorit. Kategoria antikombëtare e nacionalizmit tejkalon me këtë rast çdo shkallë tjetër për të arritur në atë skajshmërinë e antihumanitetit. E kalon duke kapërcyer mbi kufomat e katër të rinjve, dhe mbi tronditjen e tërë vendit, në radhë të parë të kosovarëve, me atë kalim matanë arsyes.
Kthimi prej matanë arsyes është i rëndë. Është të shikohen në sy familjet e pikëlluara, të cilave asnjë fjalë ngushëllimi, pra se këto, nuk do të mund t’ua kompensojnë praninë e djemve, që i përcollën me hare e i priten me dhembje. Është të pranohet se dikund kemi gabuar, sepse asnjë tmerr kaq i madh nuk ka mundur të ndodhë rastësisht.
Kthimi prej matanë arsyes do të thotë të shihet edhe pse janë fshehur karakteristikat mbi veprimtarinë asociale të një njeriu, mbi veprimtarinë kundër kësaj shoqërie, dhe pse, përkundër të gjitha këtyre të pranohet edhe në LKJ! Por, ç’është më së vështiri të shihet edhe prej nga këso ngarkesash nacionaliste të një njeriu, i cili qe 14 vjeçar më 1981. Pra, të eliminohen ato.
Pra, të mos pranohet prania e urrejtjes, e cila ka kohë ka kaluar atë nivelin e vet individual dhe me praninë e nacionalizmit po orvatet të marrë statusin e vet shoqëror. T’i kthehemi zhdukjes së urrejtjes, madje edhe si kategori individuale, sepse krimet nuk ndodhin pa të. E ky krim nuk është drejtuar vetëm kundër jetës së katër njerëzve, por edhe kundër të gjithë neve, bashkësisë sonë të organizuar. Urrejtja e Aziz Kelmendit, ndonëse e manifestuar individualisht, kaherë i ka kaluar ata kufij. Ka prekur, nëpërmjet sulmit në APJ, në të gjithë ne.
Të ecet drejt arsyes, do të thotë edhe që krimi të mos jetë i identifikuar me gjë tjetër, pos me urrejtjen. Njeriu i cili e kreu krimin me antihumanitetin e tij tejkaloi çdo përkatësi tjetër që pati, pos asaj irracionale. Të ecet drejt arsyes, megjithatë nuk është ecje drejt harresës: nuk mund të harrohet prej nga është dhe ç’ka mundur të ndikojë rrethi i tij.
Kjo ecje drejt arsyes asgjëmangut është në rend kthimi kah simbolet tona ekzistenciale, kah shenjat tona të përbashkëta të identifikimit, kah domethënia e përditshme e idealeve e të nacionaliteteve të vëllazëruara dhe të fatit të tyre të përbashkët, kah vetëdija se pikërisht tash, më shumë se ndonjëherë gjerë më tani, na nevojitet fronti i përbashkët kundër urrejtjes, simbol i së cilës qe kësaj here, vrasësi, Aziz Kelmendi. Kundër urrejtjes, pra, që me vrazhdësinë më ekstreme po orvatet të depërtojë brenda qenieve tona shoqërore, kundër atyre bombave latente që janë të drejtuara kah qenia e bashkësisë sonë, kah simbolet e saj, pra edhe kah jeta e të rinjve tanë. Krimi në Paraqin është edhe një mësim që e dëshmoi këtë, por mësimi u pagua shumë shtrenjtë.( Rilindja, 9 shtator, 1987)