Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava një ditë para se të fillojë Muaji i Ramazanit ka uruar qytetarët e vendit, dhe ka thekson se besimtarët myslimanë e mirëpresin muajin Ramazan për ta rikthyer pastërtinë e zemrave, shkëlqimin e shpirtrave dhe kthjelltësinë e ndërgjegjes. Tërnava në një konferencë për media theksoi se sonte, me faljen e namazit të taravive, e me ngrënien e syfyrit në agimin e nesërm, besimtarët myslimanë nisin ibadetin e agjërimit të muajit të bekuar Ramazan. Andaj sonte, kemi natën e madhe të Ramazani, ku me këtë rast, kam kënaqësinë e veçantë që në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal t’ju drejtohem me përgëzimet dhe urimet më të mira, me bindjen dhe shpresën që ta presim dhe ta përjetojmë agjërimin e muajit të bekuar me përkushtim në lutje, ibadete, bamirësi dhe solidaritet.
E si të mos e mirëpret besimtari ardhjen e muajit të bekuar, që është një nga pesë shtyllat e Islamit, dhe që konsiderohet një mundësi e madhe për t’iu afruar edhe më shumë begative të Zotit. Në këtë mënyrë, zemra e myslimanit është e përgatitur për të hyrë në atmosferën e adhurimit, për ta pastruar shpirtin përmes agjërimit, namazit, sakrificës dhe dhembshurisë për të varfrit dhe nevojtarët, për ta arritur kështu devotshmërinë dhe për të reflektuar mbi mësimet e fesë.