( 4. 10. 2008 )Albin Kurti: Përshtatja e manifestimeve për dëshmorët e kombit!

Manifestimet e ndryshme për dëshmorët e kombit dallojnë shumë nga njëra-tjetra. Disa manifestime janë më modeste kurse disa të tjera më pompoze. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me heroizmat dhe kontributin e dëshmorëve. Nuk ka të bëjë aq as me ndjenjat lokaliste të komandantëve të shndërruar në politikanë, që duan të ngrisin veten përmes dëshmorëve të anës së tyre. Diçka tjetër e përcakton dallimin ndërmjet vëmendjeve që u kushtohen dëshmorëve përmes manifestimeve për ta. Në masën në të cilën familja apo shokët e gjallë të dëshmorit i nënshtrohen kursit të politikës zyrtare, në atë masë ngrihet rëndësia posteriori e dëshmorit të caktuar. Pra, nëse familja apo shokët e gjallë të dëshmorit të kombit janë dakord që në manifestim të intonohet himni i Kosovës ‘Evropa’, të valojë flamuri i Kosovës, kori i fëmijëve t’i ketë ngjyrat ‘kaltër e verdhë’ e jo ‘kuq e zi’, të thuhet që dëshmorët e kombit e dhanë jetën për këtë liri që po e gëzojmë sot, të thuhet se ëndrra e ideali i dëshmorëve u realizuan, t’u jepet fjala eventualisht edhe atyre që kanë qenë kundër luftës çlirimtare (ose së paku që nuk e kanë ndihmuar atë), vetëm atëherë të vijnë në manifestim kryetari, kryeministri me ndonjë ministër dhe kuadrot e larta partiake.
E, aty ku janë ata, vijnë edhe RTK-ja e mediat e tjera, të cilat më parë se manifestimet për dëshmorët i ndjekin paraqitjet publike të pushtetarëve. Aty ku merr pjesë kryetari a kryeministri, aty ku vjen edhe RTK-ja, dhe ai manifestim mandej s’mund të jetë dosido, apo jo? Prandaj shtohen përgatitjet dhe investimet për manifestimin i cili del më madhështor, më impozant, dhe të cilin e sheh gjithë Kosova e diaspora përmes televizorit. Për pasojë, ai dëshmor na shfaqet i rëndësisë së veçantë në krahasim me dëshmorët e tjerë. Qytetarëve të Kosovës u sajohet në kokat e tyre një hierarki e caktuar e dëshmorëve të kombit, e me këtë edhe një version i caktuar i historisë. Përderisa analistët po diskutojnë për nevojën e rishkrimit të historisë, shkrimi i saj i shtrembëruar tashmë po ngjan (sërish).
Po qe se i vizitoni ose i takoni familjet e dëshmorëve menjëherë do ta kuptoni se çfarë do të jetë manifestimi për të birin a vëllain e tyre dëshmor. Sa më shumë që ka familjarë të dëshmorit të kooptuar në sistemin aktual politik, aq më e pasur materialisht është familja e dëshmorit dhe aq më lart posteriori ngrihet dëshmori. Manifestimet më modeste për dëshmorët bëhen atëherë kur familja e dëshmorit është e varfër dhe nuk është e integruar në sistemin politik e në projektet e tij. Pra, kur familja e dëshmorit nuk ka anëtarë të punësuar nëpër ministri, PTK apo Aeroport. Nga manifestimet e dëshmorëve që i kanë edhe sot e kësaj dite familjet e varfra ka fare pak apo aspak raportime të mediave. Rrjedhimisht, për ata dëshmorë nuk mësojmë shumë dhe mësojmë gjithnjë e më pak.
Në anën tjetër, kjo mënyrë e manifestimeve për dëshmorët i përjashton automatikisht dëshmorët nga Kosova që dhanë jetën në Luginë të Preshevës apo në Maqedoni si pjesëtarë të UÇPMB-së apo Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Shumica e qytetarëve të Kosovës sot nuk janë në gjendje ta thonë emrin e asnjë dëshmori nga Kosova i cili u vra në Luginë të Preshevës apo në Maqedoni. Manifestimet për dëshmorët e kombit përkrahen nga Qeveria për aq sa ato mund të funksionalizohen për nevojat e politikës zyrtare. Qeveria e Kosovës i mbështet vetëm dëshmorët e kombit, familjet e të cilëve lejojnë që ata dëshmorë të kosovarizohen post mortum.
Qeveria sigurisht se nuk e ka lehtë. Sepse, Kosova nuk ka dëshmorë. Dëshmorët e UÇK-së janë, në fakt, dëshmorë të Shqipërisë. Lexojeni betimin e ushtarit të UÇK-së dhe binduni: “Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre; do të jem përherë besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën, të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem!” Në asnjë vend nuk përmendet Kosova.
Nëse Hashim Thaçi organizon ndonjë forcë të armatosur për t’i kontrolluar kufijtë e Kosovës e për ta marrë veriun, atëherë Kosova do të mund t’i ketë dëshmorët e parë të saj. Mirëpo, natyrisht se kjo gjë nuk do të ndodhë. Qeveria e Hashim Thaçit s’e ka ndërmend t’u bëjë gjë as strukturave të Serbisë në Graçanicë (përveçse t’ua ruajë rrogat), e lëre më atyre në veriun e Kosovës. Kjo Qeveri nuk e ka preokupim tokën e territorin e Kosovës, ajo s’brengoset për hapësirën e Kosovës. Kjo Qeveri e ka në thumb kohën e Kosovës, historinë e saj, të cilën dëshiron ta përdorë në shërbim të jetëgjatësisë së vetes. Politikanët e qeverisjes aktuale për të mbetur qeveritarë kanë dëshmuar se janë të gatshëm të qeverisin edhe me dëshmorët.
Prandaj, nuk është e drejtë që çfarëdo trajtimi i historisë, sidomos ai me synim rishkrimin e saj, të bëhet thuajse shkrimi i politizuar i historisë i takon historisë, pra të kaluarës; dhe, thuajse e tashmja që deponohet si shumësi faktesh për historinë e ardhshme s’do të ketë nevojë të rishkruhet përsëri në të ardhmen. Diskutimi për rishkrimin e historisë mund të bëhet vetëm prej atyre njerëzve që e kuptojnë se edhe pozita e tyre në të sotmen nuk është imune, se nuk është pozitë e një epoke postideologjike a postpolitike, prej nga do të ishin të sigurt që ta kenë komoditetin e analizës së pastër dhe absolutisht objektive. Nuk mund të ketë vështrim kritik për historinë e shkruar dhe as konstatim kredibil për nevojën për rishkrimin e cilësdo pjesë të saj, pa e pranuar se edhe kritikuesi edhe e sotmja e tij nuk janë përjashtim dhe s’paraqesin kurrfarë veçantie.
Pierre Bourdieu me të drejtë thoshte se i gjithë progresi në njohjen e objektit është progres në njohjen e subjektit që njeh, dhe anasjelltas. Diktaturat në të kaluarën dhe mundësitë për diktatura në të ardhmen nuk duhet të trajtohen thuajse e sotmja është një kohë pa diktaturë. Madje, pikërisht ajo mënyrë do të bënte që diktaturat e shkuara të harrohen për shkak të atyre që do të na vijnë.

Kontrolloni gjithashtu

Miliarderi amerikan, Elon Musk ka njoftuar ‘Starlink’ është funksional edhe në Kosovë

Miliarderi amerikan, Elon Musk ka njoftuar se rrjeti i tij privat satelitor i internet, Starlink, …