Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur që t’i dërgojnë në Republikën e Kosovës edhe 400 ushtarë shtesë të cilët do t’i bashkohen misionit paqeruajtës të KFOR-it. Të gjithë ushtarët të cilët pritet të vijnë në Kosovë brenda këtij viti janë nga Garda Kombëtare e Iowas. Në njoftim thuhet se ky është mobilizimi më i madh i Gardës së Iowas në mbështetje të KFOR-it që prej vitit 2004 kur ishin vendosur njësitet e para në Kosovë. Nisja e trupave do të fillojë në muajt korrik dhe gusht, derisa procesi i vendosjes të të gjithë ushtarëve pritet që të zgjas afërsisht një vit. Ndërkohë 330 ushtarë të tjerë do të dërgohen për mision në Irak, Afganistan dhe shtete të tjera.
