Këtë të premte është mbajtur mbledhja e rregullt e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, e kryesuar nga kryesuesi Xhavit Zariqi, ndërsa ka marrë pjesë edhe Kryetari i Komunës, Agim Aliu, Nënkryetari Lulzim Aliu, si dhe drejtorë të drejtorive komunale. Në këtë mbledhje është diskutuar projektbuxheti i vitit 2024, ku Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, para anëtarëve të KK-së, ka thënë se sot po shqyrtohet dokumenti kyç i qeverisjes lokale siç është projektbuxheti i vitit 2024 dhe projeksionet e hershme për vitet 2025-2026. “Është pra kjo kornizë, ky planifikim, kjo llogaritje e saktë, që prioritizon kërkesat e nevojat e qytetarëve, për të mos ndalur, ritmin e ciklin e punës në të cilën është futur tash e sa vjet Komuna e Ferizajt, duke ndryshuar çdo ditë, duke përmirësuar ndjeshëm shërbimet e duke realizuar vepra të guximshme publike. Të hartosh buxhetin e Komunës, është një detyrë e nder, përgjegjësi e mbi të gjitha vizion, që të ngërthesh në ato shifra, pritjet e shpresat e qytetarëve, për t’u rritur mirëqenia e tyre e për të garantuar mirëfunksionimin e shërbimeve. Ky dokument, është produkt i një pune të vazhdueshme, analitike, vlerësuese, shërbyer me ekspertizën më të mirë të ekipeve tona qeverisëse, për ta përmbledhur në këtë formë e në këtë vizion, që keni sot para vetes. Nuk e themi vetëm ne, por është e mirëditur dhe e kualifikuar gjerësisht, se Ferizaj është lider në mesin e qendrave urbane, më të transformuara, më të zhvilluara, më të përparuara, kjo buruar nga energjia e pashtershme, idetë e qarta e ndjesia për nevojat e qytetarëve, përbetuar në parimet e sinqeritetit e ndershmërisë, bashkëpunimit e afrisë, që kanë bërë që suksesshëm e krenarë të meritojmë këtë epitet. Energjia jonë nuk shterron, Ferizajn në punë, asgjë nuk e ndalon!”, ka thënë Kryetari Aliu. Ai ka thënë se qeveria lokale e administrata komunale që drejtoj, siç keni mund ta shihni, edhe mes këtyre faqeve të këtij buxheti, ka projekte, ka nisma, ka idetë dhe ka përllogaritjet e duhura, për ta bërë edhe më të begatë Ferizajn. “Janë pafund, projekte e nisma të reja, që shtrirë në kohë e në gjithë gjeografinë e Ferizajt, i japin kësaj të fundit, shumëfishim të vlerave, shumëfishim të mirëqenies, me punë e detyra të përfunduara, për t’i lënë shteg të lirë, inovacioneve e zhvillimit. Buxheti i Komunës së Ferizajt për vitin 2024, peshon 41,184,014.00€ që ndarë vetëm në fushën e investimeve kapitale, për vitin aktual 2023, kishim të ndara 12,114,664.00€ gjersa për vitin 2024 janë ndarë 11,337,196.00€ apo 777,468.00€ më pak për projektet kapitale…ndonëse si shifër totale, kallëzon rritje, rritje kjo që është bërë vetëm në kategorinë e pagave dhe mëditjeve, mallrave e shërbimeve, për të përmbushur planifikimet e Ligjit të Pagave, gjersa tek të gjitha kategoritë tjera buxhetore, kemi zbritje të buxhetit, që afekton padyshim në zvogëlimin e shumësisë së projekteve e nismave tona. Në mbamendjen e gjithsecilit është e kujtueshme, po në këtë sallë, kemi vënë theksin për shkurtimet buxhetore. Edhe ky projektbuxhet, peshon më lehtë sesa në vitin paraprak, trend ky shqetësues e për të cilën kërkesave të qytetarëve i kemi dhënë zë, por assesi, ky trend nuk zmbraps vullnetin tonë, energjinë tonë, që ferizajasve t’i ofrojmë dhjetëra projekte e nisma, në të mirë të tyre dhe gjithë komunitetit. Miratimi i Buxhetit të Komunës, përtej një akti formal, është vendimmarrje e drejtpërdrejt për qytetarët, për të vendosur në kalendarin e punëve publike, prioritetet e qytetarëve në 365 ditët e ardhshme. Gjykuar nga kjo lartësi kompetence e përgjegjësie publike, gjurmët për orientimin në nivel të ri të Ferizajt, mbeten tek gjithsecili, andaj në këtë ndërgjegje institucionale, besoj fuqishëm, për t’i dhënë autorizimet ligjore këtij dokumenti. Çdo pore e shoqërisë, secila kategori shoqërore, të gjitha zonat rurale e urbane në territorin e Ferizajt, gjejnë veten në këtë dokument. Për këtë, jemi kujdesur që planet tona investive, të nisin që nga lagjet, në kontakt me secilin qytetarë të interesuar deri tek forumet e gjera profesionale, ndarë në fusha interesi, për ta bërë më gjithëpërfshirës, më të realizueshëm e më efikas, shpenzimin e parasë publike për vitin e ri kalendarik. E gjelbërta është ngjyra, vetëdija, veprimi e vendimmarrja jonë në këtë mandat qeverisës, andaj në këtë pikëpamje, në planin e investimeve buxhetore, kemi paraparë projekte të veçanta, që Ferizajt i japin masive të gjelbërta, hapësira të pafundme rekreative, siç është projekti për zgjerimin dhe rregullimin e Parkut Liria, pyllëzimin dhe rregullimin e Parkut tek Kodra e Sherretëve, Parku në hapësirën e Kompanisë “Pastërtia”, zbatimi i projektit për miniparqe në qytet e fshatra si në Prelez, Pleshinë e Neredime.Në këtë kuadër, tashmë kemi nisur edhe procesin e konsultës publike për të jetësuar projektin për rregullimin e Tregut të Gjelbërt. Lidhur me projektet e fokusit tonë transformues, infrastrukturës rrugore e gjer tek investimet më minore, shoqërohen nga analiza të mirëfillta, për ndikimin e efektet praktike për jetën e qytetarëve. Në fushën e infrastrukturës, tashmë ka marr formën e saj, vepra madhore infrastrukturore – Nënkalimi për vetura dhe këmbësorë afër Stacionit Policor në Ferizaj, një investim unik ky kur lindi, për tu shumëfishuar si ide edhe në qendra të tjera të Kosovës e përtej saj”, tha Kryetari Aliu. I pari i Ferizajt, Agim Aliu, ka folur edhe për fushën e arsimit, shëndetësisë e mirëqenies sociale, fushën e shërbimeve publike e emergjencën, bujqësinë dhe zhvillimin ekonomik lokal. Pas fjalës së Kryetarit Aliu, kishte mendime pro e kontra për hartimin e projektbuxhetit, por me 25 vota pro, 9 kundër dhe 2 abstenime është miratuar buxheti. Në mbledhjen e kuvendit është diskutuar edhe propozim-vendimi për këmbim i ngastrës kadastrale 1055-5 ZK Prelez i Jerlive prone private në pjesën kadastrale 7-0 Zk Muhoc, pronë e Komunës së Ferizajt. Drejtori i Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit Sabri Murseli, ka bërë edhe propozim-vendimin për anulmin e pjesërishëm të vendimit me Nr.01.Nr.107 të datës 29.09.2020. Po ashtu u bë edhe propozim-vendimi për shpalljen e interesit të përgjithshëm të ngastrës kadastrale 1243-0, 1244-0 dhe 1245-3 Zk Fshati i Vjetër pronë e komunës së Ferizajt. Po ashtu me shumicë votash u vendos që të dal në konsultim me publikun edhe Plani komunal i veprimit për shërbimet sociale 2024-2026. Po në këtë mbledhje është bërë edhe votimi i anëtarëve të KK-së në komisionin për dhënien ne shfrytëzim të pronës komunale, ku nga PDK u vendos që të jetë Valon Aliu ndërsa nga LVV Amir Rexhepi.