leoni

500 mijë euro për dy projekte infrastrukturore sportive në Ferizaj

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar nga nënkryetari Naim Ferati,  drejtoresha e Kulturës, Xhemile Murati- Shabani, si dhe këshilltari i tij  Besim Zymberi, ka pritur në një takim ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi me ç’rast kanë bërë edhe nënshkrimin e dy memorandumeve të mirëkuptimit për përkrahjen e sportit. Me këtë rast Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, është shprehur se këto memorandume kanë rëndësi tejet të veçante për qytetin tonë,  me vet faktin se kështu sporti ferizajas po ecën përpara. Ai tutje është shprehur se Ferizaj përkundër faktit që është qyteti më i ri në Republikën e Kosovës, paraqet një qendër shumë të rëndësishme kulturore dhe historike për Republikën e Kosovës,  me të veçantat e saja. “Salla e sporteve që do të bëhet në fshatin Greme, do të jetë një objekt tepër i veçante dhe një kthim pikërisht i taksave të taksapaguesve ndër më të mëdhenjtë në Republikën e Kosovës,  si fshat sepse Gremja dihet që ka një komunitet të fuqishëm të bizneseve dhe pikërisht ne po ndërtojmë atje,  një sallë të sporteve për t’ju shërbyer për të gjithë komunitetin atje, qoftë për komunitetin  e qytetarëve,  sportistëve, por edhe të bizneseve në kuptimin të organizmit të panaireve dhe prezencave të tjera të cilat mund të jenë. Prandaj unë e falënderoje ministrin që sot e kemi këtu dhe nënshkruam një marrëveshje tepër të rëndësishme, jo vetëm për ndërtimin e sallës në Greme, por edhe për vet Ferizajn, sepse ndërtimi i një salle të tillë do të mundësojë edhe më shumë profesionalizëm sa i përket edhe vet zhvillimit të klubeve tona sportive, sepse do të kemi një mundësi më shumë ku sportistet  tanë, bizneset tona,  do të mund të zhvillojnë aktivitete e tyre. Gjithashtu sot nënshkruam edhe marrëveshjen për mbështetje,  respektivisht ankesë të renovimit të stadiumit, por po ashtu u dakroduam që të mbështesim edhe aktivitetet tjera kulturore, ashtu siç e thamë, Ferizaj është qytet i ri,  por me një traditë në ngjarje dhe evente të ndryshme kulturore, madje Ferizaj ka një traditë shumë të veçante sa i përket pikërisht Festivalit të Teatrove  dhe ne morën zotimin e ministrit që do të mbështesë aktivitete të tilla,  krahas edhe zgjidhjeve të tjera që kërkohen për teatrot”, është shprehur kryetari Aliu. E nga ana tjetër ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi, ka thënë se për të është një ditë shumë e veçantë,  sepse po nënshkruhen dy memorandume shumë të rëndësishme. “Nënshkrimi i këtyre memorandumeve shkon drejtpërdrejt në rregullimin e infrastrukturës sportive për të rinjtë e Ferizajt,  dhe padyshim është një moment shumë i rëndësishëm edhe për mua si ministër. Qëllimi dhe fokusi kryesor i yni është që ta rregullojmë dhe avancojmë infrastrukturën sportive dhe rinore në Republikën  e Kosovës me theks të veçante në Komunën e Ferizajt. Ashtu siç thatë edhe ju Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është zotuar që të ndaj mjete financiare përmes këtij memorandumi  në vlerë prej 300 mijë euro,  në fakt këto mjete financiare tashmë janë të siguruara për projektin e sallës sportive në Greme. Gjithashtu përmes këtij  memorandumi do  t’i ndajmë dhe 200 mijë euro për renovimin e stadiumit aktual të Komunës së Ferizaj, me qëllim që sportistëve dhe klubeve të Ferizajt t’i krijojmë hapësire dhe kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe urojë që pas përfundimit të këtij projekti klubi i Ferizajt,  të jetë në Superligen e Kosovës, sepse ka një traditë në garat sportive”, është shprehur ministri Gashi. Gjatë vizitës së sotme në Ferizaj Ministri Gashi dhe Kryetari Aliu,  theksuan se u bisedua edhe për shumë çështje të tjera me interes. U shpreh zotimi se do të përkrahen të gjitha aktivitete kulturore,  si dhe u tha të jetë formuar grupi punues për të ndryshuar aspektet ligjore që do të mundësojnë punësim të rregullt për të gjithë aktorët në teatrot e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …