Nisma për Kosovën ka hapur fushatën zgjedhore në kryeqytet, ku ju kanë premtuar prishtinaseve qytet të dinjitetshëm, punësim, qytet të pastër e pa kaos urbanistik. Kandidati i Nismës për kryetar të Prishtinës, Shyqiri Bytyqi tha se Prishtinën do ta bëjnë sociale, ku qytetarët do ta ndjejnë kujdesin social.
“Ne e duam Prishtinën prandaj duam që qyteti jonë të jetë i dinjitetshëm, ai nuk mund të jetë i tillë pa pasur një vend pune, andaj ne e kemi bërë moton tonë një anëtar të punësuar për çdo familje. Ky është hapi i parë drejt dinjitetit shoqëror dhe shpërndarjes së barabartë të mundësive, solidarizimi që karakterizohet me programin tonë programor, fillon pikërisht këtu. Ne Prishtinën do ta bëjmë Prishtinë sociale, me maketin social qytetarët do ta ndjejnë kujdesin social. Shërbimet ofiqarë do të jenë pa pagesë, studentët do të shfrytëzojnë shërbimet më të lira. Porta hyrëse e qytetit do të simbolizojë krenarinë e qytetit tonë”, tha Bytyqi, raporton KosovaPress.