Rahoveciani nuk e do dembelin, nuk e do arrogancën dhe të pa përgjegjshmin, por qytetari i Rahovecit e do punëtorin, kryetarin që është i pranishëm sa herë që qytetari të ketë nevojë. Kështu deklaruan drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sot në tubimin elektoral me qytetarë të Rahovecit, ku shpalosën programin qeverisës për katër vjetët e ardhshëm. Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se vendit deri më sot i ka munguar një qeverisje e mirë, pasi vendi do të ishte më i zhvilluar, si dhe do të zhdukej papunësia. Ai garantoi se në qeverisjen e tij nuk do të ketë korrupsion, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën. Haradinaj ka thënë do t’i kryejnë detyrat me seriozitet për vendin, ndryshe do të shkojnë në shtëpi.
“Unë po punoj në çdo sekondë, në çdo minutë dhe çdo orë me e zbatuar qeverisjen për Kosovën, sepse po ndodhi ajo që është paraparë që është e shkruar në Kushtetutë, në ligje, në detyra të kryetarit të qeverisë, në detyra të kryetarit të komunës, besoni që ky vend mundet me u bërë i zhvilluar dhe me qenë i pasur. Besoni se në këtë vend mundemi me mbetur pa njerëz që na duhen për punë, pra mundet me u zhdukur papunësia në Kosovë, jo me pasur aq sa e kemi sot. Ju kam thënë të gjithëve: “O kemi me i kryer detyrat që i kemi, o kanë me mbërri te njerëzit tonë, o ka me na thënë njeriu ynë faleminderit, o na duhet me shkuar të gjithë, prej meje e deri te i fundit në këtë vend”, deklaroi kryeministri Haradinaj.