Heronjtë të kombit, Selajdin Mullabazi-Mici dhe Xhelal Hajda-Toni janë përkujtuar sot me një akademi përkujtimore, ku u tha se u bënë ushtarët e parë të lirisë, sepse ishin djem inteligjentë dhe me personalitet të fortë. Akademia përkujtimore është mbajtur në shtëpinë e kulturës “Mensur Zyberaj”, në qytetin e Rahovecit nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës së mesme “Xhelal Hajda-Toni” dhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, dega në Rahovec. Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, u shpreh se sot i kujtojmë dy heronjë që na asociojnë në liri, sepse në fakt ata u bënë liria jonë.
“E bukura e gjithë veprës së tyre, ishte se fillimisht ishin ndër të parët që besuan në një ushtri që po formohej, e që ende pakkush besonte në të. Ata deshtën të ishin ushtarë, sepse e donin lirinë për vendin e tyre, për njerëzit e tyre. Prandaj, u bënë ushtarët e parë të lirisë, sepse ishin djem inteligjentë dhe me personalitet të fortë. Pak ditë më parë, ne pritëm medaljet dhe dekoratat nga shteti Kroat për gjeneralin e luftës në Kroaci, Xhelal Hajda-Toni, me mbishkrimin “Për trimëri dhe heroizëm gjatë luftës në Kroaci”. Sa krenar na bën vazhdimisht djali i Rahovecit. Ai i ka treguar edhe botës se e do lirinë e të gjithë popujve. Ai i ka treguar botës me veprat, atë që e kemi përsëritur vazhdimisht: se shqiptarët janë liridashës!”, ka thënë ai.
Kurse, Remzije Shehu, drejtoresh e shkollës së mesme “Xhelal Hajda-Toni”, shkollë kjo e cila shënoi sot edhe ditën e shkollës ka thënë se 6 nëntori, përveç përvjetorin e dëshmorëve, ata e festojnë edhe ditën e shkollës që me dinjitet e mban emrin e dëshmorit të madh Xhelal Hajda-Toni, breza të tërë të nxënëseve e përjetësojnë emrin e dëshmorit.