( 9.11.2007) Arben Llalla: DEMOKRACIA E RRETHUAR NË MALËSINË E SHARRIT

 


Ngjarjet që ndodhën në Malësinë e Tetovës ku mbi 1.300 mijë forca të policisë dhe ushtrisë së R.M, me arsenalin më të rëndë ushtarak të kohës krijuan një rrethim të blinduar me një reze të gjerë prej 25 km katrorë tregoi se rreth 15.000 mijë banorë të Malësisë ishin të tradhtuar nga partitë shqiptare në pushtet dhe të braktisur nga partia e opozitës BDI dhe kryetari i saj ish-Komandanti Ali Ahmeti. (Shih Hartën e rajonit ku intervenuan forcat sllavomaqedone.
Malësia e Sharrit e cila i ka dhënë votën e saj përfaqësuesve të BDI u braktisën nga Këshilli i Bashkisë (Komunës) dhe kryetari i Bashkisë (Komunës) z.Hazbi Lika. Të cilët nuk e panë të arsyeshëm dhe nuk patën guximin që në dy ditët e rrethimit të hekurt të gjendshin pranë votuesve të tyre, pranë atyre njerëzve që u kanë dhënë fjalën se do të jenë pranë tyre në çdo moment. (Dëgjo intervistën e z. Lika dhënë Zërit të Amerikës nga Shkupi e jo nga vendi i ngjarjes.
Veprimet injoruese nga ana e përfaqësuesve të Bashkisë së Tetovës treguan se votat janë fituar duke gënjyer malësorët. Jo rastësisht e përmendim BDI sepse paraqitet si parti e luftës dhe z.Ali Ahmetin i cili prezantohet se është nga Shipkovoca. Pse z.Ahmeti nuk e pa të udhës për dy ditë krize të jashtëzakonshme në Malësinë e Sharrit të vizitojë fshatrat përreth vendlindjes së tij të dytë?! Kur gjatë luftës së 2001 ishin po këta fshatarë që mirëpritën dhe mbajtën me bukë për muaj të tërë z.Ali Ahmetin me shokë.
Asnjë deputet shqiptar që është zgjedhur me votat e Malësisë për dy ditë të shtetrrethimit nuk e shfrytëzuan imunitetin e deputetit për të bërë vizita në fshatrat si Gajra, Shipkovica, Liseci, Llarca, Sellca, etj., për tu gjendur pranë malësorëve në ditët e vështira.
Trupi Diplomatik i R. të Shqipërisë me seli në Shkup nuk e logjikoi të kërkonte llogari për keqtrajtimet psikologjike që po ndodhte me shqiptarët e Maqedonisë. Diplomatët shqiptar nuk u gjendën pranë shqiptarëve të Malësisë së Tetovës duke shfrytëzuar imunitetin e Diplomatit. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë çdo qytetar në botë me Kombësi shqiptare mbrohet me ligj nga Republika e Shqipërisë. Nuk e dimë se çfarë reagimi të fortë do të bënin Diplomatët maqedonas dhe grekë në Tiranë po të ndodhte një gjë e ngjashme në fshatrat ku banojnë në Shqipëri minoritet maqedonase dhe greke?!
Për dy ditë asnjë banorë i Malësisë nuk mundej të zbriste në Tetovë, nuk e kishin të drejtën njerëzore të kryenin aktivitetet e ndryshme jetësore, por ishin të dënuar të jetonin me ankthin e frikës… Draguari i fortë Malësia e Sharrit u rrethua, ju lidhën këmbët për tu çarë në dysh, për tu përlarë.
Për dy dytë demokracia në Malësinë e Tetovës përjetoi një rrethim të hekurt. Fjala e lirë dhe miqtë e fjalës së lirë nuk mundeshin të ishin në Malësinë e Tetovës në vend ngjarje se ç’po ndodhte në të vërtetë për të njoftuar opinionin e gjerë. Edhe kur policia dha lejen për të hyrë gazetarët e ndryshëm për pasqyrimin e ngjarjes ata ishin të kufizuar në veprimet e tyre sepse nuk u lanë të lirë të shikonin çdo gjë.
Për ngjarjet e ndodhura nuk mund të arsyetohet asnjëra nga partitë politike shqiptare duke e gënjyer veten se nuk kanë kompetenca për arsye sepse njëra qeverisë me pushtetin vendor dhe tjetra bënë pjesë në qeveri. Nuk e dimë se a do të kenë kurajo partitë politike shqiptare të kërkojnë votat e Malësisë në zgjedhjet e ardhshme?
Nga ngjarjet e ndodhura në Malësinë e Sharrit u pa qartë se kush është më pranë popullit, nga mediat mësuam se Organizata për Mbrojtjen e Vlerave të luftës OVL ishte më aktive dhe pranë banorëve, deklaratat pozitive të partive shqiptare të Kosovës treguan se shqiptarët e Kosovës ndjekin me vëmendje ngjarjet në Maqedoni dhe shprehën qartë shqetësimet e tyre për ngjarjen në fjalë.
Mënyra e ndërhyrjes së policisë dhe ushtrisë së R.M në Malësinë e Sharrit tregoi se fjala demokraci është e pavlefshme në zonat e banuara me shqiptarë. Ngjarjet e fundin të ndodhura në shtetin e Maqedonisë tregojnë se ky shtet ende nuk është gati për të përmbushur detyrat e ngarkuara për tu bërë pjesë e familjes demokratike të BE dhe të strukturave të NATO-s. Përfundimisht Maqedonia e mori notën mbetëse për ftesën në NATO, atë ftesë që aq shumë propagandohet në emër të të drejtave të njeriut, të demokracisë.
Meqenëse në Samitin e Bukureshtit Maqedonia nuk do të marri ftesën e shumëpritur për në NATO, shqiptarët e Maqedonisë duhet të harrojnë ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, gjithashtu edhe ish-ushtarët e UÇK, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës të mos e çojnë nëpërmend për aprovimin e ndonjë ligji për statusin e tyre. Këto sipas deklaratës së kryetarit të PDSh, z.Thaçi i cili deklaroi për mediat shqiptare se kur Maqedonia do të marri ftesën për anëtarësim në NATO atëherë do të fillojnë procedurat për aprovimin e ligjeve për statusin e familjeve të dëshmorëve dhe të përdorimit të gjuhës shqipe. Pyetja është e thjeshtë: Në rast se Maqedonia nuk anëtarësohet në pesë vitet e ardhshme në NATO a do të aprovohet ndonjë ligj për përdorimin e gjuhës shqipe dhe për familjet e dëshmorëve?
Dikush veprimet e policisë dhe të ushtrisë i quajti profesionale, por diçka nuk shkon në profesionizmin që tregoi ndërhyrja e dorës së hekur në Malësi. Nuk është normale dhe profesionizëm kur mbi 15.000 mijë fshatarë rrethohen dhe mbahen në peng të situatës, të dëmtohet pasuria e individit pa shkak. Në Malësinë e Sharrit kishim ndërhyrje të policisë apo të policisë dhe ushtrisë së R.M?! Më duket se kishim ndërhyrje të policisë dhe të ushtrisë së R.M bashkë në Malësi sipas pamjeve të shfaqura nëpër kanalet televizive. Atëherë suksesi, mossuksesi dhe përgjithësitë janë të të dy ministrive ajo e policisë dhe e mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë.
Me ngjarjen e fundit shqiptarët patën rastin të shohin dhe kuptojnë edhe një herë se e drejta pa fuqi nuk çon fort peshë në ketë shtet të padrejtë sepse e drejta dhe politika janë dy gjëra që rrallë herë pajtohen.
Autori është anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit të Studimeve për Çamërinë në Tiranë.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …