Ditëlindjet dhe ditët kur janë ndarë nga jeta personalitetet që kanë bërë emër në historitë e kombeve, shënohen si ditë të veçanta për t’u ndalur pak dhe për të përkujtuar kohën, të kaluarën, prej nga u nisem e deri ku erdhëm, ku jemi dhe ku po vemi, me cilat vështirësi u ballafaquam dhe cilat janë ato që na presin…
Më 26 shkurt të vitit 1936 në një familje të varfër por të ndershme e bujare, një fshatin Lupç të Llapit u lind, Adem Demaçi. U lind shqiptari, i cili do të lërë gjurmët më të pashlyeshmet në historinë tonë kombëtare, në Lëvizjen e Rezistencës aktive si dhe në letërsi e publicistikë.
Jeta dhe vepra e tij lidhet me shqiptarët e shumëvuajtur dhe me aspiratat për liri e bashkim, ashtu sikur lidhet mishi me thoin. Veprimtaria e tij i përket kombit e atdheut, i përket pjesës më të ndritur të historisë së rezistencës, por edhe krijimtarisë së arrirë letrare artistike.
Të flasësh e të shkruash për Adem Demaçin nuk është punë e lehtë.
Baca nuk i duronte fjalët e mëdha, nuk i duronte lavdet. Por si mund të shkruhet për Adem Demaçin pa përkushtim, pa fjalët më të mira dhe pa sipërorët, të cilat i ka shkruar vetë me jetën dhe veprimtarinë e tij atdhetare.
Andaj të shkruash për Bacë Adem Demaçin, sidomos kur e ke për detyrë, nuk del punë e lehtë. Dhe, nuk ka si të jetë e lehtë tërë kjo, kur Baca tërë jetën është sprovuar me të rëndat e vështirësisë e saj, është sakrifikuar për të vërtetën e të drejtën dhe është bërë zëdhënësi më i fuqishëm dhe më i përkushtuar i së drejtës, humanizmit dhe të vërtetës.
Duke qenë i çiltër si natyra pranverore në agim, humanist dhe i njerëzishëm deri në pakufi, i sprovuar në jetë nga forcat e errësirës sikur Prometheu, i rrahur me vaj e uthull nga të papriturat dhe rravgimet e jetës, Adem Demaçi është mishërim i sakrificës shqiptare për liri e bashkim, është vetë simboli i kësaj sakrifice, është alfa dhe omega e një drame kombëtare në shumë akte, një dramë në epilogun e së cilës ende nuk e kemi përmbyllur.
Në përpjekje për të përkufizuar më mirë dhe sa më realisht personalitetin e Adem Demaçit jam mbështetur në disa vlerësime të filozofëve të njohur, të cilët kanë shkruar për fenomenologjinë, tipologjinë dhe personazhet e veçanta të historisë së qytetërimit njerëzor.
Filozofi më i madh idealist, gjerman, Georg Vilhelm Fridrih Hegel, në veprën madhore “Fenomenologjia e shpirtit” në kapitullin, “Perënditë dhe njerëzit”, ndër të tjera ka shënuar: “Forcat e përgjithshme disponojnë në vetvete shenjën e individualitetit, e cila është e lidhur me principin e veprimit. Nga kjo del se vepra e tyre manifestohet si veprim i lirë, i cili përgjithësisht rrjedhë prej tyre. Kështu kanë vepruar perënditë, kështu veprojnë edhe njerëzit”.
Adem Demaçi është emri i njohur i rezistencës shqiptare, një individualitet i llojit të vet, origjinal në jetë dhe në vepra, origjinal në tërë jetën e tij, në të gjitha periudhat e jetës së tij. Si i tillë ai është një fenomen, nga ai lloj, të cilin duket se Krijuesi e kishte përzgjedhur për të kryer një mision human, në dobi të njeriut dhe të njerëzimit. Njerëz të ë tillë, të përzgjedhur, ka pasur dhe ka edhe në mesin e kombeve të botës. Dhe të gjithë këta kanë shenjën e individualitet, e cila është e lidhur me principin e veprimit. I tillë ka qenë Sokrati, Xhordano Bruno, Galileo, Martin Luteri, Partis Llumumba, Nelson Mandela e shumë të tjerë. Demaçi qëndron në mesin e këtyre personaliteteve, për nga principi i individualitetit, përkushtimi e sakrifica. Të gjithë këta, që nga Sokrati kanë sakrifikuar jetën për të vërtetën, “për atë të vërtetë që qëndron në ballë të Universit, si princip primar i jetës dhe i lëvizjes”, ashtu sikur ka thënë sundimtari i Prusisë, Frederiku i Madh.
Duke medituar për shpëtimtarin dhe cilësitë e tij në kohën e apatisë jetësore, nën sundimin e autarkisë monarkiste, zogiste, filozofi i madh shqiptar, Kristë Maloku ka shkruar: “Shpëtimtari i kombit duhet të ketë fantazi krijuesi si Platoni, … entuziazëm djalërie si Alkibiadi, vullnet vetëflijues si Sokrati. Por kësi shpëtimtarësh të kombit nuk mbijnë aq lehtë në Shqipëri e as tjetërkund, sepse Zoti i dërgon ata vetëm njëherë brenda qindra e mijëra vjetësh. Dhe, i dërgon vetëm si një kurorëzim të një pune të gjatë kombëtare, plot orvatje e mundime, si një lulëzim të shkëlqyeshëm mbi gjethe, gjemba e ferra të një kopshti të kulturuar kombëtar.”
Krahasimet e tilla, në këtë mes, në raport edhe me Demaçin, janë të shumta me faktin se edhe paraqitjet e fenomeneve në botën njerëzore nuk janë të pakta.
Pavarësisht se besojmë apo jo në përcaktimin hyjnor, Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij misionare është një paraqitje e realizuar vegimtare, një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.
Për karakterin humanist të Demaçit, qoftë në jetën e tij, apo në krijimtari mund të flitet me shembuj të shumtë relevantë, edhe pse një pjese të njerëzve tanë nuk iu ka pëlqyer, as iu pëlqen ky qëndrim i tij, të cilin janë munduar ta interpretojnë si një idealizëm internacionalist, madje edhe marksist. Pavarësisht nga kjo, Demaçi, mendoj unë, si në jetë e në vepër, ashtu edhe në krijimtari është një humanist i thellë, njeri i sakrificës, i krijuar apo i materializuar jo nga rastësia, por nga vetëdija e tij e thellë shpirtërore, mbase e trashëguar edhe nga ADN-ja, e pastër njerëzore. Baca, rrjedh nga një familje tradicionale shqiptare, e cila në katrahurën e gjatë të luftës për mbijetesë kishte ruajtur të paprekura idealet e njerëzisë, si digat e vetme të qëndrueshme të gjenit njerëzor, të atij gjeni pa të cilin nuk përparon dot raca njerëzore.
Dhe, shumë çka tjetër mund të thuhet dhe të dëshmohet me fakte për Demaçin, edhe pse baca nuk i duronte fjalët e mëdha, dhe ky është një shenj tjetër, jo vetëm i modestisë, por edhe i filozofisë së tij jetësore. Po e vërteta gjithnjë mbetet ajo që është, dhe në këtë rast, atë, as e zvogëlon, as e asgjëson, as e fsheh dot. Sepse ajo është vetë principi, që qëndron në ballë të Universit, ashtu sikur është edhe arsyeja, e cila i udhëheq shpëtimtarët, idealistët e vërtetë, ata që kanë mbijetuar dhe janë prore të pranishëm në mendjen njerëzore, mbi të gjitha si misionarë e krijues.
Ahmet Qeriqi
26 korrik 2018