Vihet gurthemeli i Spitalit të Ri Rajonal në Ferizaj

Odisejada e fillimit të ndërtimit të Spitalit, këtë të enjte mori fund. Pikërisht në këtë ditë u vu gurthemeli i Spitalit të Ri Rajonal të Ferizajt në rrugën “Driton Islami”, përkatësisht tek ish-Tregu i Kafshëve. Në vënien e këtij gurthemeli morën pjesë, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, deputetë të Kuvendit të Kosovës, zëvendësministra në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Kryetar, Nënkryetar, përfaqësues të komunave për rreth si dhe qindra qytetarë, punonjës shëndetësor e drejtues të institucioneve të ndryshme lokale dhe qendrore. Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, është shprehur se ky projekt i ndërtimit të Spitalit Rajonal të Ferizajt, është nisur qysh në viti 2013, por që kësaj odisejade sot po i vjen fundi. “Kam kënaqësinë e veçantë që në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, t’iu uroj mirëseardhje në vënien e gurthemelit të fillimit të ndërtimit të Spitalit të Ri Rajonal në Ferizaj, projekt ky infrastrukturor më i rëndësishmi në historinë e Ferizajt, gurthemeli i së cilës gërsheton të kaluarën tonë të lavdishme historike dhe të synimet drejt së ardhmes. Jam këtu, që në emër të gjithë qytetarëve të Ferizajt, të theksoj se ky projekt, ndërtimi i Spitalit të Ri Rajonal në Ferizaj është kthim në vend i drejtësisë së munguar për vite me radhë për Ferizajn dhe rajonin, për mosgatishmërinë që Ferizajt t’i japin këtë vepër publike gjigante në infrastrukturën shëndetësore dhe jashtëzakonisht të nevojshme për qytetarët e këtij rajoni. Nuk mund të nis as ky projekt pa kujtuar lavdinë që pati dhe ka në mesin e gjithë qytetarëve dhe historinë më të re tonën, në periudhat më të hershme, gjatë luftës së fundit për çlirim, Spitali Rajonal i Ferizajt, simboli i shërimit të plagëve të djemve dhe vashave më të mirë të atdheut që u rreshtuan krahë për krahë njëri-tjetrit në Ushtrinë e lavdishme Çlirimtare të Kosovës, për të mbrojtur çdo pëllëmbë të kësaj toke atërore. Atëbotë, në Grykën e Nerodimes, në malet e Jezercit, në betejat e ngadhënjimit mbi egërsinë dhe pushtimin serb, triumfoi emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndihmës të së cilës ishin edhe dhjetëra burra e gra, që mbuluan mantelin e bardhë me njollat e gjakut të lirisë. Nderim të përjetshëm dhe lartësi qiellore për sakrificën e gjithsecilit, kontributin e tyre në kapërcimin e madh historik të kombit tonë. Sot, në rrethana krejtësisht tjera, në lirinë e fituar me gjak e sakrificë, Ferizajt dhe qytetarëve të tij, ndonëse me vonesë të jashtëzakonshme, po i kthehet drejtësia, kujtesa historike e shëmbëlltyra e ndërthurur në Spitalin e Ferizajt. Në rrafshin e politikës ditore, kam insistuar dhe vazhdoj të jem besimplotë se ky projekt gjigand në shëndetësinë lokale është dhe mbetet vepra më e rëndësishme dhe e nevojshme infrastrukturore në periudhën e pasluftës, pajtimi për të cilën është masiv në mesin e qytetarëve. Ndërtimi i Spitalit të Ri Rajonal është lajm i mirë jo vetëm për qytetarët e Ferizajt, por gjithë komunitetin shëndetësor, mjekët dhe infermierët, pacientët dhe familjarët e tyre të cilët do të punojnë, gjegjësisht kryejnë dhe marrin shërbimet mjekësore në kushte krejtësisht moderne, sipas standardeve më të larta të punës dhe ofrimit të shërbimeve shëndetësore. Siç, theksova më lartë, vonesat e shkaktuara gjatë gjithë këtij procesi, kryesisht qenë të natyrës politike dhe mëkati që rëndoi mbi supet e qytetarëve duhet të marr përgjegjësinë publike. Jam i lumtur sot, që bashkë me ju, akterët kryesor të progresit në këtë projekt, jemi një hap larg hapjes së punimeve të kësaj vepre infrastrukturore dhe përfundimit njëherë e mirë të odisejadës dhe pingpongut politik mes përfaqësuesve të subjekteve politike. Urime Ferizaj, urime mantel bardhëve, urime komunave fqinjve, urime Kosovë” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu. Në veçanti, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu ka falënderuar Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministrin e shëndetësisë dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Ferizaj për kontributin dhe shtyrjen përpara të këtij projekti. “Kryetar i Kuvendit të Kosovës, i nderuari z. Veseli, Ferizaj dhe qytetarët e tij e çmojnë lartë mirësinë tuaj dhe gatishmërinë e plotë, që në çdo kohë dhe investim keni pasur barrën e protagonistit triumfator në shtyrjen përpara të iniciativave tona. Qeverisja ime është e mbështetur fortë në besimin tonë ndaj jush dhe institucionit që përfaqësoni për t’i dhënë qytetarëve të Ferizajt atë që meritojnë, zhvillimin e vazhdueshëm dhe mirëqenien. Kryeministër Haradinaj, Ferizaj në Qeverinë tuaj po njeh vëmendjen më të madhe që ka pasur ndonjëherë në kuptimin e mbështetjes së projekteve tona zhvillimore, për të cilat populli i Ferizajt dhe unë personalisht ju falënderoj publikisht. Ministër Ismaili, përpjekjet tuaja që Ferizajt t’i sillni “shëndetin” në shëndetësinë lokale janë treguar politika të mençura, efektive dhe jashtëzakonisht të nevojshme për qytetarët tanë, andaj më lejo që edhe për këtë projekt por edhe përkrahjen e vazhdueshme të qeverisjes sime të falënderoj duke uruar zenitin në bashkëpunimin tonë të përditshëm. Deputetë, përfaqësues nga niveli qendror, kryetar të komunave fqinje, krerë të institucioneve lokale dhe qendrore, Ferizaj dhe qytetarët e tij u janë mirënjohës përherë për shtyrjen përpara të këtij procesi të gjatë kohor dhe gjithë iniciativat në dobi të tyre. Ne arritëm të bëjmë zgjidhjen përfundimtare që qytetarët të kenë Spitalin e Ri Rajonal. Arritëm të tejkalojmë një betejë të gjatë ligjore e politike. Siç jam zotuar, edhe ky projekt po merr rrugën e duhur, projekt ky që e kam nisur nga viti 2013” tha i Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu. Për fillimin e ndërtimit të Spitalit të Ri Rajonal të Ferizajt, ka folur edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli. Ai është shprehur se ndërtimit të spitalit më së shumti i janë gëzuar vet qytetarët e Ferizajt, në mënyrë që ata mos të marrin rrugë për në spitalet e Prishtinës dhe gjetiu. “Dëshiroj në radhë të parë t’i uroj gjithë qytetarëve dhe mantel bardhëve këtë Spital i cili është shumë i merituar për qytetarët e Ferizajt. Ka vonesë në fillimin e tij, unë e përgëzoj në rend të parë Kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu që e ka mbajt fjalën dhe njëkohësisht e ka kryer edhe një obligim i cili ka qenë. Historia e Spitalit të Ferizajt është e gjatë, e cila ka kaluar në një odisejadë e cila ka qenë e panevojshme, sido që të jetë sot jemi këtu, sot më nuk ka shtyrje nga vendimmarrja jonë dhe realizimi i projektit konkret i cili realizohet nga Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i cili tregon në të njëjtën kohë pjekuri dhe partneritet me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Dua ta falënderoj në këtë rast edhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj por në të njëjtën kohë edhe ministrin e shëndetësisë i cili po tregon vizion, guxim dhe gatishmëri që të merret drejtpërdrejt me çështjet të cilat janë pritshmëri e qytetarëve, përmirësim i shërbimeve të qytetarëve dhe krijimi i infrastrukturës shëndetësore. Ferizaj dhe qytetet përreth tij e kanë merituar Spitalin. Spitali i Ferizajt në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në periudhën ka qenë qendra kryesore e mjekësisë ushtarake në Republikën e Kosovës. Shumica e zonave operative kemi sjell të plagosurit pikërisht në Spitalin të cilin e kemi pasur në Zonën Operative të Nerodimes. I falënderoj gjithë mjekët që me ato pak mjete kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për bashkëluftëtarët tanë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ferizaj duhet të ketë edhe një Muze të Spitalit Ushtarak, ku edhe me mjetet e kuzhinës janë kryer intervenimet më të rënda vetëm për të shpëtuar jetën e bashkëluftëtarëve tanë, njëjtën kohë edhe civilëve tanë. E meriton Ferizaj përveç aspektit historik edhe për shkak të sotshmes. Ferizaj është njëra nga komunat që paguan më së shumti tatime në Republikën e Kosovës, pas Prishtinës dhe Prizrenit. Ka qenë një obligim institucional, do të vazhdojmë përkrahjen e Kryetarit Agim Aliu, i cili ka vizion shumë të shëndosh, ka vizion shumë të qartë për Komunën e Ferizajt. Urime gjithë qytetarëve të Komunës së Ferizajt” tha Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ndërkaq, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se më ndërtimin e Spitalit të Ferizaj do të krijohen mundësi dhe kapacitete shumë të mira për ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për qytetarët. “Na ka bashkuar një festë, nuk di që ka festë më të madhe besoj, jo veç për këtë trevë por kësaj feste i gëzohen qytetarët e Kosovës kudo që janë, sepse po vendoset drejtësia, një qendër kaq e madhe sa është Ferizaj, një Rajon kaq i madh sa është Ferizaj nuk ka pasur qendër spitalore edhe më vjen mirë që Kosova më në fund po e vendos këtë të drejtë në vendin e vet. Është një projekt shumë i madh edhe financiar, buxhetor është 10 milionë e tutje, është një ndryshim i madh në të gjithë proceset e brendshme të jetës në Ferizaj dhe kësisoj me të drejtë i zoti i shtëpisë, në këtë rast Kryetari Agim Aliu krenohet dhe e di rëndësinë e këtij projekti, por vërtet keni pse të krenoheni në këtë ditë të sotme. Për këtë projekt ka pasur një insistim të madh të kryetarit Veseli, një kërkesë, por dua t’iu them se edhe ministri, Uran Ismaili e ka kryer pjesën e vet sepse nuk ka qenë lehtë për një projekt kaq të madh me një kosto kaq të madhe pra. Tani ne me Ferizajn kemi vendosur marrëdhënie pune dhe i kam treguar kryetarit Agim Aliu se çka mund të kryejmë, çka kemi në kapacitet tonin që mund ta përfundojmë dhe për fat kemi identifikuar disa punë që do të ndodhin në ritmin e vet. Ju e keni një projekt që quhet “Bashkimi i Qytetit”, që po e mbështesim dhe njëkohësisht do ta keni komunën tuaj më të pasur me prona. Ne si qeveri do t’i gjejmë të gjitha hapësirat ligjore ashtu siç jemi në bashkëpunim që t’i japim tokë komunës qoftë për projekte si ky, qoftë për tema tjera, po ashtu është një kërkesë për zonë ekonomike, disa hektarë tokë, do të lëvizim në këtë drejtim. Ju siguroj se ashtu siç e tha kryetari Veseli dhe ashtu siç e dini që është kujdesi ndaj kësaj komunë, ndaj kësaj treve pra është i madh. Edhe njëherë ju faleminderit dhe urime kjo festë gjithë qytetarëve të Ferizajt” tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Të pranishmëve me një fjalë rasti i është drejtuar edhe ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili. Ai ka folur për detajet dhe funksionalizmin e Spitalit të Ri Rajonal të Ferizajt. “Me të vërtet një ditë shumë e mirë, një ditë ku në diskutimet tona të para me Agim Aliun dhe me kryetarin Veseli që kemi pasur me punëtorët shëndetësor në Komunën e Ferizajt nuk na besonin që do ta nisim dhe ky mosbesim nuk ishte nga ne por ishte për shkak se për një kohë të gjatë ky projekt kishte filluar që në vitin 2013 dhe u ishte premtuar jo këtë gjashtë muaj, jo në gjashtëmujorin tjetër dhe prapë qyteti i Ferizajt me një histori të lavdishme të punëtorëve shëndetësor, punonte në kushtet më të vështira sa i përket Spitaleve të Përgjithshme në gjithë Republikën e Kosovës. Sot, jemi faqebardhë si Qeveri e Republikës së Kosovës, si Kryetar i Kuvendit por edhe Kryetari i Komunës, Agim Aliu që kemi ardhur dhe fillojmë me gurthemelin e një Spitali i cili do të jetë një Spital modern, i cili do të ketë pajisje moderne i cili për shumë dekada të ardhshme do të jetë në funksion të qytetarëve të Komunës së Ferizajt. Punëtorët shëndetësor në Komunën e Ferizajt kanë kaluar në periudha shumë të vështira. Mungesa e investimeve që ka ndodhur i ka vënë në pozita shumë të vështira. Qytetarët e Ferizajt dhe Regjionit të Ferizajt nuk kanë marr shërbimet e njëjta siç kanë marr qytetarët në komunat tjera. Kjo e drejtë sot po vjen me një investim nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu për t’i dhënë një lehtësim, për të pasur pajisje moderne, për të pasur Spital modern. Spitali i Ferizajt do të jetë një vend, një projekt që do të krenohet gjithë Republika e Kosovës. Projektet e shëndetësisë nuk do të përfundojnë vetëm me këtë. Kemi fol me kryetarin, do të fillojmë edhe me punë tjera në mjekësinë primare, do të mbështesim Komunën e Ferizajt me punëtorë shëndetësor, do të mbështesim që secila shtëpi në Ferizaj ta ndjej dorën e infermierëve dhe mjekëve tanë. Pra, do të jemi pranë qytetarëve të Ferizajt dhe rajonit me projekte të reja të shëndetësisë, natyrisht edhe kur ke partner të shkëlqyeshëm siç është Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu. Ky projekt do të përfundohet më shpejt se tri vite siç edhe është në kontratë. Urime qytetarëve të Ferizajt.” tha ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili. Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica, ka përgëzuar të gjithë qytetarët ferizajas, në veçanti punëtorët shëndetësor për këtë projekt jetik i cili me në fund po fillon dhe do të mbarojë në Ferizaj. “Në këtë Spital do të trajtohen afro 250,000 qytetarë dhe është një Spital që i ka munguar gjatë gjithë kohës, Ferizajt dhe Rajonit të Ferizajt. Jo vetëm komunat e Shtimes, Kaçanikut, Hanit të Elezit, Shtërpcës, por edhe Vitia kryesisht është e orientuar jo vetëm rreth shëndetësisë por edhe proceseve tjera drejt Ferizajt. Asnjë nomenklaturë politike dhe pushtetare nuk ka arritur ta filloj dhe ndërtoj një Spital në Ferizaj e regjion. Është Ushtria Çlirimtare e Kosovës që të plagosurit që kanë qenë të strehuar në shpellat e Topillës, ku shumë nga luftëtarët e lëvizjes çlirimtare, përfshirë edhe këta të fundit, neve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë strehuar dhe nga bjeshkët e Topillës, nga shpellat e Topillës janë marr të plagosurit dhe janë vendosur në ambulancën e atëhershme që tash quhet QKMF. Kjo është meritë ekskluzive që ka filluar së funksionuari Spitali Regjional i Ferizajt. Kemi zhvilluar një betejë po aq të rëndë dhe të pa kompromis me UNMIK-un që nuk ka lejuar që Ferizaj të jetë Rajon dhe të ketë Spital Rajonal. Dua ta falënderoj Dr. Besim Hoxha dhe gjithë kolegët e tij, i cili ka mbajtur ligjërata sesi janë trajtuar të plagosurit gjatë luftës në Zonën tonë Operative dhe Spitalin Ushtarak të UÇK-së. Falë komandantit të Kampit Bondstill të asaj kohe dhe shefit të Zyrës Amerikane ne kemi arritur që ta ruajmë Spitalin dhe të mos shuhet ai si i tillë. Ky ka qenë një obligim dhe përgjegjësi e gjithë neve që përveç Spitalit Rajonal ta bëjmë edhe ndërtesën, ne tashmë jemi duke filluar ta bëjmë ndërtesën e Spitalit të Ri Regjional. Po aq betejë e rëndësishme dhe e rëndë ka qenë, më 15 qershor 2013 të cilët e dinë shumë mirë mjekët, kur është marr vendimi që të fillohet ndërtimi i Spitalit të Ri së bashku me ministrin e atëhershëm të shëndetësisë, z. Aganin dhe po atë vit në rishikimin buxhetor, janë ndarë 20 milionë euro për Spitalin Rajonal të Ferizajt. Lojërat politike dhe pengesat politike e kanë pamundësuar që ai Spital tash të ishte funksional. Ndoshta vet fati ka dashtë që të rikthehet z. Aliu si Kryetar Komunë, të rikthehen shumë procese prapa që ky Spital të nis së ndërtuari. Ky vend është dhënë si propozim nga vet mjekët. z. Bajrush Xhemaili bashkë me mua e kemi thirr një ekip të mjekëve dhe kanë dhënë propozimin që të jetë këtu. Këtu ku tashmë e kemi autostradën Prishtinë-Shkup, për shkak se këtu janë të gjithë linjat e komunikimit me Prishtinën, Tiranën dhe Shkupin dhe kjo ka qenë arsyeja që të vendoset këtu. Unë si gjithë të tjerët jam jashtëzakonisht i lumtur që ia arritëm kësaj dite, ia arritëm mundit dhe dua të përgëzoj të gjithë ata që kanë dhënë kontributin për këtë ditë, por dua të falënderoj veçanërisht punonjësit shëndetësor që në të gjitha rrethanat kanë qenë pro këtij Spitali dhe pro këtij vendi. Urime gjithë qytetarëve të Ferizajt dhe mbarë rajonit” tha deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica. Gurthemelin e Spitalit të Ri Rajonal të Ferizajt e vunë Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, Kadri Islami, babi i Dëshmorit të Kombit, Driton Islami – Toni, studenti i mjekësisë, Gentian Mehmeti, Luljeta Tafolli, e cila ishte ndër pacientet e para në Spitalin e Ferizajt, menjëherë pas luftës, Dr. Jeton Zeqiri, Drejtor i Spitalit Rajonal të Ferizajt, dhe Gazmend Bytyçi, veteran dhe invalid i luftës së UÇK-së. U tha se me Spitalin e ri më në fund edhe qytetarët e Ferizajt dhe më gjerë, do të marrin trajtimin e duhur, barabartë dhe të dinjitetshëm shëndetësor. Ndërtimi i Spitalit të Ri Rajonal të Ferizajt do të përfundojë brenda tri viteve.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …