MINISTRI PAL LEKAJ MERR MASA SHTESË PËR PARANDALIMIN E AKSIDENTEVE

U mbajt takimi joformal i Këshillit për Siguri në Trafikun Rrugor, me qëllim të marrjes së masave adekuate në uljen e aksidenteve në trafikun rrugor, e sidomos të atyre me fatalitet. Në këtë takim u diskutua për aksidentet në trafikun rrugor dhe veprimet për reduktimin e tyre si dhe sigurinë e përgjithshme në trafikun rrugor, ku në fund të takimit u nxorën edhe rekomandimet për veprimet e menjëhershme që duhen ndërmarrë. Ministri Lekaj pas elaborimit të gjendjes aktuale sa i përket aksidenteve në trafikun rrugor, ka kërkuar mbështetjen dhe përfshirjen e të gjithë aktorëve që janë pjesë e Këshillit për Siguri në Trafikun Rrugor, në mënyrë që me masa konkrete të ndikohet në uljen e aksidenteve, sidomos të atyre me fatalitet, e të cilat janë shqetësuese ngase po humbin shumë jetë njerëzish. Ministri Lekaj në cilësinë e udhëheqësit të Këshillit për Siguri në Trafikun Rrugor, po ashtu i ka propozuar edhe rekomandimet imediate që duhen ndërmarrë nga aktorët relevant. “Duke u sjellë në pajtim me ligjet dhe rregullat e trafikut rrugor secili mund të jap kontribut në dobi të përmirësimit të sigurisë së trafikut rrugor andaj ne kemi paraparë disa rekomandime siç janë: Masat e menjëhershme nga Policia e Kosovës dhe që do të mbështeten nga Ministria e Infrastrukturës me kapacitetet e veta ligjore e profesionale. Policia e Kosovës do ta informojë Ministrinë e Infrastrukturës lidhur me shkaktarët e aksidenteve, sidomos të atyre me fatalitet që kanë ndodhur brenda këtij viti. Formimi i një grupi të përbashkët ekspertësh të institucioneve të involvuara drejtpërdrejt në sigurinë rrugore, për rishikim të strukturës së faktorëve kryesor të shkakut të aksidenteve. Fokusimi në vënien e sinjalistikës vertikale dhe horizontale, ku prioritet i parë është dukshmëria e sinjalistikës gjatë natës, ngritja e cilësisë së edukimit në fushën e patentë shoferëve, rritja e kritereve për kontrollim teknik të automjeteve, kontrollet teknike mobile, krijimi i një Task-Force të brendshme nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, e cila do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në ofrimin e informative reciproke që shkojnë në shërbim të një trafiku sa më të sigurtë”, tha ministri Pal Lekaj.

Kontrolloni gjithashtu

Homazhe në nderim të heroit të kombit Salih Çekaj në Deçan dhe heroit Shefqet Mustafaj në Gllogjan

Kryetari i komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj përmes një postimi në facebook, ka njoftuar …