Selatin Novosella: Adem Demaçi do të jetojë në kujtesën tonë derisa të jetojë Kosova

Selatin Novosella: Adem Demaçi do të jetojë në kujtesën tonë derisa të jetojë Kosova

(Fjalë e mbajtur me rastin e varrimit të Bacës Adem Demaçi në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, më 27 korrik 2018)

Baca Adem, më ka ra hise e vështirë që unë të ndahem i fundit nga ti.

Dhimbja jonë e pakufi, Bacë, sot ka emrin e nënës Nazife, e cila të porositi të mos kujdeseshe për të, sepse ajo një ditë do të vdesë, por të veprosh për nënë Shqipërinë, e cila s’vdes kurrë.

Dhembja jonë e madhe, Bacë, sot ka emrin e motrës Ajshe, e cila, siç thotë kënga për motrën e Gjergj Elez Alisë, që për nëntë vjet po ia shëronte plagët vëllait, kurse motra Ajshe për 28 vjet qëndroi para dyerve të burgjeve të pushtuesit të shqiptarëve të të shihte prapa shtatë drynave.

Dhembja jonë e përhershme, Bacë, sot, ka emrin e gruas Xhemalije, e cila për 28 vjet të priti duke i kaluar vitet më të mira të jetës pa ty, duke i rritur, edukuar dhe shkolluar dy fëmijët tuaj të mrekullueshëm.

Dhembja jonë e thellë, Bacë, sot ka emrin e fëmijëve tu, Abetares dhe Shqiptarit, të cilët u rritën me mallin për babanë, duke u takuar me ty herë pas 10 vjetëve, herë pas 15 vjetëve të vuajtjeve tua në burgjet e Jugosllavisë.

Dhimbja jonë, Bacë, sot ka emrin e Prishtinës, ku ti linde më 26 shkurt 1936 dhe ndërrove jetë më 26 korrik 2018, ku është emërtuar një shesh me emrin tënd, i cili do të jetë pjesë e identitetit të kryeqendrës së Republikës së Kosovës.

Dhembja jonë, Bacë, sot ka emrin e Kosovës për lirinë e së cilës flijove rininë, shëndetin, familjen dhe dhuntinë tënde krijuese.

Dhemba e sotme, Bacë, ka emrin e atdheut tonë të shtrenjtë, Shqipërisë, të cilën, me gojën tënde të artë, gjithnjë e quaje nana Shqipni.

Bacë, sot, kur po ndahemi nga ti e pyesim veten të gjithë:

– Po të mos kishim ty, kush do të na tregonte kur duhej të niseshim në rrugën e lirisë?

– Po të mos kishim ty, kush do të na mësonte, në udhëkryqet e historisë, se nga të ecnim më tutje?

– Po të mos kishim ty, kush do të na hapte shtigjet e mbyllua në rrugën me shumë pengesa?

– Po të mos kishim ty, kush do të na jepte shembullin se si të silleshim gjatë hetimeve në UDB-së serbojugosllave?

– Po të mos ishe ti, kush do të frymëzonte që, para gjyqeve të pushtuesit, t’i mbronim të drejtat tona të munguara?

Baca ynë i shtrenjtë:

– Ti asnjëherë nuk u ankove.

– Asnjëherë nuk u ndale.

– Asnjëherë nuk heshte.

– Asnjëherë nuk pushove.

– Asnjëherë nuk i ekspozove plagët tua.

– Asnjëherë nuk kërkove të bëhemi dëshmitarë të atyre plagëve.

Baca Adem, sot kur po ndahemi nga ti për të fundit herë, të vetmin ngushëllim e kemi se jetuan në epokën tënde.

Baca Adem, duke ta dhënë lamtumirën e fundit, të gjithë së bashku, ta themi një fjalë nga thellësia e zemrës, e mendjes dhe e shpirtit: faleminderit, Bacë!

Duke u përshëndetur me ty, Bacë, ne shokët tu, bashkëveprimtarët tu, bashkëmendimtarët tu, bashkëvuajtësit tu, bashkudhëtarët tu, e ndiejmë veten se ishim njerëz me shumë fat që ishim me ty dhe pranë teje, në ditë të vështira në rrugën e lirisë dhe bashkimit kombëtar.

Bacë, me zemra të thyera dhe të plagosura, të gjithë së bashku, me një zë, të themi: lavdi jetës dhe veprës tënde dhe lamtumirë!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …