Zenel (Tahir) Mëziu lindi më 8 Janar të vitit 1972 në fshatin Marinëtë komunës së Skenderajt. Babai Tahiri dhe nëna Nailja kishin gjashtë fëmijë, katër djem e dy vajza, Zeneli dëshmor, Besimi, Elhemja, Ajeti, Xhevdeti e Luljeta. Zeneli në moshë ishte fëmija më i madh në familje. Shkollën fillore, ciklin e ulët e kreu ne fshatin Makërmal në shkollën fillore “Muharrem Bekteshi” ndërsa klasën e V-VIII e kreu në shkollën fillore “Drenica” ne fshatin Polac. Shkollën e mesme e kreu në Skënderaj ne SH.M ”Ramiz Sadiku” në drejtimin Matematikë Natyrorë, me sukses shembullor. Pas përfundimit të shkollës së mesme, në vitin shkollor 1992/93 regjistrohet në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Makinerisë-Drejtimi Prodhimtari. Si në shkollë të mesme ashtu edhe në fakultet, ishte pjesëmarrës dhe në ballë të shumë protestave e demonstratave të viteve 1989-1997, në Skënderaj, Prishtinë e më gjerë.
I shquar për vendosmëri, urtësi, heroizëm e guxim dhe me virtyte të larta njerëzore, intelektuale dhe kombëtare, ishte i përfshirë drejtpërdrejt edhe në organizimin e aktiviteteve të Lëvizjes Studentore në Universitetin e Prishtinës, duke dhënë një kontribut të çmuar në organizimet e ndryshme të aktiviteteve studentore. Ishte një ndër organizatorët dhe në ballë të protestave studentore të 1 tetorit 1997. Studentet përveç pendës, librit dhe fuqisë intelektuale gjithmonë kanë qenë të gatshëm të punojnë dhe sakrifikojnë edhe fizikisht për idealin kombëtar – lirinë dhe pavarësinë. Këto tipare, vullnet dhe gatishmëri që të kontribuoj dhe sakrifikoj në këtë drejtim e kishte edhe absolventi i Fakultetit të Makinerisë, Zenel Mëziu.
Me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zenelit i kishte hyrë në gjak që të bëhej pjesëtarë i UÇK-së dhe gjithmonë thoshte: “Dua të behëm Ushtar i Kosovës, edhe unë dua të kap pushkën dhe luftoj për lirinë e popullit tim”. Në çdo takim me shokë, kolegë studentë dhe profesorë, gjithmonë e potenconte se njëherë duhet çliruar vendi, kurse të tjerat janë të dorës së dytë apo të tretë. Familja Mëziu, kushtrimit të luftës së armatosur çlirimtare i’u përgjigj masovikisht. Pas daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe zgjerimit të celulave të para të UÇK-së, Zeneli intensifikon aktivitetet në aspektin kombëtar dhe detyrohet ti ndërpresë studimet për t’iu përgjigjur kushtrimit të atdheut për liri. Kontaktet e para me UÇK-në, Zeneli i kishte me pjesëtarët e UÇK-së të fshatit të tij, që ishin: Rifat Mëziu, Hamit Gucati, Nazif Gucati, Ramadan Hoti, Sami Gucati, Hisni Gucati, Ali Kelmendi e shume të tjerë, ku me 2 shkurt te 1998, Zeneli ju bashkua këtyre luftëtarëve dhe njësitit Mali nën komandën e komandant, Ilaz Dergutit e Ahmet Zabelit, njësit ky që vepronte në kuadër të Zonës Operative të Drenicës dhe përfshinte luftëtarët nga fshatrat Rezallë, Marinë, Kryshec, Makermal e Polluzhë, të cilët nuk u gjunjëzuan kurrë para armikut me luftën e tyre heroike.
Stërvitjet e para taktike dhe ushtarake i bëri me shokë të njësitit Mali, ku shquhej në shenjëtari dhe çdo herë dilte me rezultate mbresëlënëse që tregonin se Zeneli do të ishte një ushtar që do të tregonte suksese përball forcave armike. Duke parë kapacitet e tij prej luftëtari komandant Ilaz Derguti e armatos me një pushkë gjysmë automatike që sot familja e mbanë me krenari. Zeneli ishte çdo herë aktiv, kishte merita shumë te mëdha në organizimin dhe mobilizimin e ushtarëve, ngritjen e istikameve, organizimin e rojeve, vëzhgimin e lëvizjeve te forcave armike dhe realizonte me sukses çdo detyrë që i caktohej. Çdo herë ishte i pari si vullnetar për tu përballuar me armikun dhe ishte i gatshëm të luftonte në çdo kohë dhe ku e kërkonte nevoja.
Ne pranverë të viti 1998 ai së bashku me Ali Kelmendin e disa shok te tjerë ndërmorën disa aksione kundër armikut, sulmuan punktin ne Llaushë ku i shkaktuan dëme armikut, pastaj ishte pjesë e shumë aksioneve të tjera ku çdo herë ishte në ballë të tyre. Pas kërkesës të Shtabit te Zonës Operative të Drenicës për të shkuar në ndihmë dhe për të konsoliduar radhët UÇK-se në fshatin Hade dhe në Bardh të Madh (ish Bellaqefc), pasi që forcat serbe po përgatitshin për një ofensivë në drejtim të këtyre fshatrave, Zeneli me shokët: Rifat Mëziun, Vesel Aruqin, Muhamet Mala dhe komandantin Ilaz Derguti shkojnë në ndihmë për t’u përballur me armikun. Me 29.6.1998 në mbrëmjen e kësaj dite morën instruksionet se në cilën pjesë te frontit do te përballen me armikun. Zeneli me shokë vendoset në vijën e frontit në Bardh të Madh ndërsa komandanti Ilaz Derguti me disa shok të tij në vijën e frontit në Hade. Me 30 Qershor 1998 forcat armike kishin filluar ofensivën në Hade dhe Bardh te Madhë (ish Bellaqevc) ku në ballë të frontit gjetën Zenel Mëziun siç do herë, sy pa trembur.
Në mëngjesin e kësaj dite në vijën e frontit afër fshatit Kuzmin, Zeneli me shokë dhe tre luftëtarë të këtyre fshatrave, filluan luftimet e para dhe nuk lejuan që të futet këtu armiku me këmbësori, ku pastaj armiku me tanke u drejtua drejt fshatit Hade. Trimëria dhe vendosmëria e Zenelit ishte aq e madhe në luftë kundër armiket sa që ishte i gatshëm të flijohej për çdo cep të Kosovës. Zeneli qëndroj për një javë ne ballë të frontit për ta penguar armikun që të depërtoj në pozicionet e UÇK-së krahas shumë heronjve që dhanë jetën për liri te këtij vendi që ishin pjesë e kësaj beteje si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Bekim Berisha, e shumë heronjë e bashkëluftëtarë tjerë të këtij vendi.
Nga beteja në betejë, Zenel Mëziu me luftëtaret e Njësitit Mali ishte çdo kund ku luftohej ballë për ballë forcave armike. Me 2 gusht të vitit 1998, forcat serbe fillojnë ofensivën në drejtim të pozicioneve të UÇK-së që ishin të vendosur përgjatë rrugës Skenderaj-Drenas. Ne ketë betejë Zeneli shquhet për trimëri dhe vendosmëri që mos të lejoj armiku që përmes fshatit Marinë të depërtojnë në Rezallë e pastaj në Likovc. Me 3 gusht 1998, herët në mëngjes Zeneli me 7 bashkëluftëtarë pozicionohet thellë në vijën e frontit ashtu që të përballet i pari me armikun. Atë ditë, priteshin sulme të forcave serbe, të cilët me forcatë shumta të motorizuara të përbëra prej shumë tankeve, autoblindave, pragave, pizgauerëve përplot ushtarë, policë e paramilitarë serbë të pajisur me arsenal dhe pajisje më të sofistikuara ushtarake, ishin nisur që përmes fshatit Marinë të depërtojnë ne Rezallë e pastaj ne Likovc. Luftëtarët trima te UÇK-së kishin zënë pozicionet e tyre dhe pritnin derisa forcat armike të afroheshin. Pasi forcat serbe arrijnë afër fshatit Marinë, nga një distancë shume e afërm, luftëtarët e UÇK-së të njësitit Mali, përballen me forcat shumë fish me të mëdha të armikut. Zeneli ishte betuar për së gjalli se nuk do t’i lejonte forcat armike të depërtonin nëpër Marinën e tij të dashur. Pas një qëndrese heroike te trimave te UÇK-se, ne luftime ballore me forcat armike, në një pozicion të hapur Zeneli plagoset rënd ne këmbë dhe krah.
Ne këto luftime plagosen edhe luftëtarët e UÇK-së: Besa Mëziu, Hamez Derguti, Muhamet Zabeli, Enver Deliu, Fazli Derguti dhe Muhamet Mala. Gjatë tërheqjes të Zenelit nga bashkëluftëtarët Naser Hoti dhe Ekrem Deliu, Zeneli merr plagën e tretë me të rëndë dhe zemra e tij pushoi së rrahuri. Këtu plagoset edhe luftëtari i UÇK-së Naser Hoti.
Betimin e tij e realizuan bashkëluftëtarët e tij të njësitit Mali dhe luftëtarët e tjerë UÇK-së qe atë ditë kishin ardhur në ndihmë duke zmbrapsur armikun dhe nuk e lejuan të depërtojnë në ketë pikë asnjëherë duke qëndruar heroikisht deri në përfundim të luftës.
Luftimet ishin të ashpërta, në një distancë shumë të afërt ku luftëtarët e UÇK-së, Vesel Oruqi dhe Besim Mala shkatërruan dy tanke. Në luftime ballë për ballë forcave serbe luftonin edhe trimat tjerë të Drenicës së Adem Jasharit, Rifat Mëziu, Rasim Kiçina, komandant Shkupi, Ahmet Zabeli, Sami Aruçi, Arben Ahmeti, Naser Hoti, Bedri Qarri, Malush Ahmeti, Jahir Demaku, Imer Xhemajli, Fadil Demaku, e shumë luftëtar të tjerë të UÇK-së duke i shkaktuar humbje të mëdha forcave serbo sllave, si në njerëz ashtu edhe në mjete luftarake dhe njëherë duke i detyruar të tërhiqen edhe nga pozicionet e tyre. Atë ditë, më 3 Gusht 1998, trupi i Zenel Mëziut tërhiqet nga vija e frontit nga shokët e Njësitit Mali dhe varroset në fshatin Rezallë të Skenderajt me nderime ushtarake.
Rënia heroike e Zenelit ishte një humbje e madhe, jo vetëm për familjen, bashkëluftëtaret por edhe për gjithë UÇK-në. Zeneli me karakterin njerëzor, intelektual dhe kombëtar që kishte dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e moralit të ushtarëve në mbështetjen, rekrutimin e ushtarëve të rinj me qellim të përforcimit të radhëve të UÇK-së dhe mbulimit të vijave të frontit jo vetëm në fshatin Marinë por edhe me gjerë. Përveç Zenelit në altarin e lirisë nga fshati Marinë ranë edhe tre dëshmor, Rifat Mziu e Agim Mziu me 14 dhjetor të vitit 1998 në vendin e quajtur Likenet e Hasit, në Gorozhup të Pashtrikut në grupin e Mujë Krasniqit, dhe Rrustem Hoti ne betejën e Qyqavicës, 1998. Fshati Marinë përveç katër dëshmorëve dha edhe 40 martir që u vranë nga forcat serbo sllave, ku vetëm familja e Zenel Mëziut, Kosovës ja dha edhe katër martirë. Me 2.4.1999 po në Marinë pak tutje nga vendi ku u vra Zeneli nga forcat çetnike u vra Ajeti, vëllai i dytë i Zenelit dhe Neziri axha i Zenelit. Babi i Zenelit, Tahiri dhe vëllai i vogël Xhevdeti konsiderohen të zhdukur që nga 19 prilli 1999, ku bashkë me 29 civil nga Skenderaj dhe Mitrovica, kishin rënë në pritë të forcave serbe, dhe prej atëherë nuk dihet për fatin e tyre.
Rivarrimi i Dëshmorit Zenel Mëziu u bë pas çlirimit në vitin 2001 në Kompleksin e Dëshmorëve në fshatin Polac. Pastaj me datë 25 Qershor 2018, Heroi i Kombit Zenel Mëziu, nga Polaci rivarroset në Kompleksin Memorial të Lirisë, të ndërtuar në fshatin Marinë ku edhe tani qëndroni lartësuar pranë Monumentit të Lirisë, për krahë heronjve si Mujë Krasniqi, Ilaz Kodra, Rifat Mëziu, Agim Mëziu, e shumë luftëtarëve te tjerë. Zeneli me bashkëluftëtarët e tij të fshatit në vijën e frontit kishin vendosur që ushtari i parë që do te bie në altarin e lirisë, emri i tij do t’i vendosej shkollës së fshatit. Pas lufte shokët e tij e dërguan ketë betim në vend dhe sot në shenjë respekti për luftën heroike të Heroit Zenel Mëziu, shkolla fillore dhe rruga kryesore e fshatit Marinë e mbajnë me krenari emrin e tij.
Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të Internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për kontributin dhe sakrificën e dhënë nga Dëshmori Zenel T. Mëziu, në Brigadën 113 “Mujë Krasniqi” të Zonës Operative e Drenicës, i jepet titulli i Statusit të Dëshmorit. Po ashtu, në shenjë mirënjohje dhe respekti për kontributin, meritat e veçanta dhe veprat e trimërisë dhe sakrificës në luftën e UÇK-së, sipas vendimit: Nr. 07/2017 te datës 07.03.2017, Presidenti i Republikës se Kosovës, Z. Hashim Thaçi, dëshmorin Zenel Mëziu e ka dekoruar me Urdhrin “Hero i Kosovës”.
Sot, në familjen e ngushte të Dëshmorit Zenel Mëziu, jeton me nder dhe krenari Nëna e Zenelit, Nailja, vëllai i Zenelit, Besimi me bashkëshorten dhe dy fëmijë, dy motrat e martuara si dhe familja e xhaxhait të tij, Nezirit.
(Tekstin e përpiluan bashkëluftëtari Muhamet Mala dhe shoku i studimeve Skënder Xani).