leoni

RKL

RKL: Ekzibicione të rëndomta të Thaçit, apo akrobacione për të mbijetuar politikisht?

Deklaratat e papritura politike të kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi, vazhdimisht janë pritur me “këmbët e para”, në radhë të parë për karakterin sensacional të tyre, për qëndrime të luhatura, të pamatura, shpeshherë edhe skandaloze.

Edhe kësaj radhe, deklaratat e tij kontroverse lidhur me shkëmbimin e territoreve, apo “korrigjimin” e kufijve, pastaj me idenë për bashkimin e tri komunave të Kosovës Lindore me ëmën, tash për tash janë vetëm deklarata konfuze, të cilat janë komentuar gjerë e gjatë dhe duket se ky ka qenë edhe karremi i Thaçit, në një kohë kur e ka kuptuar mirëfilli se nuk mund t’ ia “lidhë kryet” dialogut me Serbinë,  pa e marrë paraprakisht pëlqimin e shumicës në vend, dhe jo vetëm të koalicionit qeveritar, i cili edhe e ka rikonfirmuar  në postin e kryetarit. Në deklarimet e fundit duket se Thaçi më shumë ka bërë ekzibicione politike, me qëllim  për ta parë reagimin e opinionit, sesa deklarata serioze, të cilat do të duhej të kishin një mbështetje të fortë, apo një qëndrim të peshuar.

I mësuar tashmë me atë thënien e Makiavelit se “deklarata e një politikani vlen deri në kumtimin e deklaratës vijuese”, Thaçi manovron për mrekulli me qasje e ide ndër më të ndryshmet dhe më kontroverset, duke mos marrë fare para sysh se ç’ ka thënë më parë po për të njëjtin problem apo çështje.

Të gjithëve u kujtohet se Thaçi ishte pozicionuar kundër gjashtë pikave të Ban Ki Moonit për Kosovën, përnjëherë pas Shpalljes së pavarësisë së Kosovës 10 vjet më parë. Fillimisht nuk kishte përkrahur marrjen e kompetencave të EULEX-it në veri të Kosovës, pastaj ishte pajtuar me EULEX-in dhe e kishte lavdëruar si mision të jashtëzakonshëm. Kishte kundërshtuar me forcë raportin antishqiptar të Dik Martit, madje kishte kërcënuar  se do të publikonte listën e dëshmitarëve të mbrojtur të Hagës, por ishte tërhequr nga të gjitha. Më vonë kishte marrë pozitë të fortë për votimin me çdo kusht, në Kuvend, të themelimit të Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, për ta kundërshtuar disa vite më vonë, madje duke shtuar se marrëveshja ishte bërë me një pazar politik, të cilin e kishte shpërfillë BE-ja.

Thaçi kishte kërkuar që shndërrimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës të bëhej me ligj paraprak, meqë serbët, duke u mbështetur në pakon e Ahtisarit kanë të drejtë ta stopojnë jo vetëm ligjin për krijimin e ushtrisë, por  edhe një numër të madh të ligjeve që i përkasin vendit. Pak më vonë u tërhoq nga propozimi dhe deklaroi publikisht se Ushtria do të bëhet vetëm me ndërrime të kushtetutës dhe në pajtim me serbët.

Jo vetëm kaq dhe jo vetëm këto kontroversa i ka shprehur, Hashim Thaçi gjatë karrierës së tij të derisotme në krye të Qeverisë dhe në krye të Shtetit. Janë të shumta dhe kësaj radhe nuk do t i numërojmë…

Nga këto kontroversa hetohet fare mirë se kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, është krejtësisht i varur nga diplomacia evropiane e Brukselit dhe ajo amerikane dhe kjo nuk është diçka e fshehtë, edhe pse Thaçi, gjithnjë me eufemizëm, këtë ndikim, apo arbitrim  e quan “bashkëpunim me partnerët”,  me të cilët “ai” paska krijuar edhe  Shtetin e Kosovës.

Deklaratat e fundit për bashkimin e Medvegjës, Bunajocit e Preshevës me Kosovën dhe për korrigjim të kufijve, pa përmendur se çka do të marrë Serbia në kompensim për këtë, janë deklarata të papërgjegjshme, sepse të gjithë e dinë se në pazarin politik me Thaçin, Serbia po përpiqet të marrë sa më shumë që është e mundur dhe mjerisht do të marrë me bisedime ato që i ka humbur gjatë luftës.

Thaçi nga ideja për korrigjimin, doli hapur edhe me idenë e bashkimit të këtyre tri komunave me Kosovë. Po të ndodhte ky bashkim paqësor, pa ia bërë tapi Serbisë veriun, të cilin ajo e administron qe 19 vjet, me struktura paralele, kjo do  të ishte fitorja e tij më e madhe, por edhe fitore në plan kombëtar. Mjerisht, Thaçi e di fare mirë se kjo nuk do të ndodh, sepse kjo nuk ndodhi as me luftën e UÇPMB-së, me gjakun e derdhur të dëshmorëve, të cilin e deformuan  dhe e tradhtuan krerët e saj në bashkëpunim me politikanët e Kosovës së asaj kohe.

Në fund të fundit, ndërrimi  i tri komunave të veriut të Kosovës, me shumicë serbe, pa Mitrovicën e veriut, Trepçën  e Ujmanin, do të ishte në interes të madh në radhë të parë për shqiptarët e asaj pjese historike të Kosovës, të cilët deri tani kanë qenë humbësit më të mëdhenj dhe më të keqtrajtuarit, duke përjashtuar çamët. Bashkimi i Kosovës Lindore, me ëmën, të ishte ngjarja më e madhe historike pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, sidomos nëse kjo bëhet në mënyrë paqësore, duke ruajtur pjesën kryesore të veriut.

Por kjo nuk besoj se do të ndodh edhe për faktin se në rastin tonë, në shkizmën tonë politike aplikohet maksima reaksionare, “për inati të resë me vdektë djali”.  Urrejtja që shpreh Thaçi për kundërshtarët politikë nuk aspak më e butë se urrejtja që shprehin kundërshtarët kundër tij. Shumë syresh edhe po të besojnë se një ndërrim i tillë i territoreve mund të ndodh nuk do ta përkrahin  për inat të Thaçit.

Akrobacionet politike të kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi, natyrisht se nuk prodhojnë seriozitet të duhur të nivelit institucional dhe mbase pikërisht për këtë, deklaratat e tij, në të shumtën e rasteve kontroverse, inatçore, mujshare e krekosëse nuk merren me seriozitet nga diplomatët e huaj, të cilët janë mësuar me “Yes-Ok-ejet” e tij dhe nuk iu bëjnë përshtypje. Ajo që ata duan dhe kërkojnë nga Thaçi është firmosja e vendimeve të BE-së, dhe në këtë firmosje Thaçi ka treguar vetëm fleksibilitet e partneritet të vazhdueshëm dhe të pandërprerë.

Deklaratat e tjera i ka bërë dhe i bën për konsum ditor, për hulumtim të opinionit, mbase edhe për argëtim. Thaçi ende është i ri dhe ka nevojë për të gjitha. Kundërshtarët, të cilët nuk janë treguar të aftë, as unikë që t’ ia tregojnë vendin dhe në këtë drejtim, nuk kanë pse ankohen, sepse kanë qenë të barabartë në lojë, por nuk kanë arritur ta mundin, pavarësisht se “loja” ka qenë fer apo mashtrim. Por, po ashtu  shumë nga kundërshtarët e tij, përveç nga radhët e Vetëvendosjes, kanë vepruar sipas asaj maksimës së njohur serbe: Nëse nuk arrin ta mundësh kundërshtarin, atëherë bashkohu me të! (Ako ne mozes da ga pobedjujes, onda mu se pridruzi).

Thaçi ka treguar sukses në ngritjen politike të tij, në radhë të parë sepse ka pasur përkrahjen e faktorit ndërkombëtarë dhe kjo nuk ka si mohohet, por  po kështu nuk mund të mohohet edhe fakti se ai ka sens dhe inteligjencë për vënien në jetë të  asaj thënies latine: “përçaj dhe sundo”! (Divide et impera!)   Po tekefundit, cili është ai të cilin e ka joshur politika deri në verbëri dhe nuk është shërbyer, apo nuk shërbehet me këtë porosi të kësaj maksime latine.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …