leoni

Ahmet Qeriqi

A.Q. E drejta e tri komunave të Kosovës Lindore për t’ u bashkuar me Kosovën, është e drejtë e ligjshme, e natyrshme

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, nga ideja për korrigjimin e kufirit me Serbisë, doli hapur edhe me idenë e bashkimit të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me Kosovën. Po të ndodhte ky bashkim paqësor, pa ia bërë tapi Serbisë veriun, të cilin ajo e administron qe 19 vjet, me struktura paralele, kjo do  të ishte fitorja e tij më e madhe, në plan kombëtar. Ky bashkim nuk ndodhi  as me luftën e UÇPMB-së, as me gjakun e derdhur të dëshmorëve, sepse atë luftë, pikërisht kur ishte në konsolidim e sipër dhe kur kishte marrë nën kontroll shumicën e fshatrave shqiptare, në atë pjesë të Kosovës, e deformuan  dhe e tradhtuan, disa nga krerët e saj në bashkëpunim me politikanët e Kosovës së asaj kohe.

Në fund të fundit, ndërrimi  i tri komunave të veriut të Kosovës, me shumicë serbe, pa Mitrovicën e veriut, Trepçën  e Ujmanin, do të ishte në interes të madh në radhë të parë për shqiptarët e asaj pjese historike të Kosovës, të cilët deri tani kanë qenë humbësit më të mëdhenj dhe më të keqtrajtuarit, duke përjashtuar çamët. Bashkimi i Kosovës Lindore, me ëmën, do të ishte ngjarja më e madhe historike pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, sidomos nëse kjo bëhet në mënyrë paqësore, duke ruajtur pjesën kryesore të veriut.

Riaktualizimi i idesë për bashkimin e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës me Kosovën, është një temë e rikthyer sa e sa herë deri tani në mendjet e atdhetarëve, por edhe të politikanëve, të cilët këtë çështje fondamentale, kombëtare, e trajtojnë sipas kushteve dhe rrethanave, sipas pazareve të tyre politike, por asnjëherë deri sot nuk e kanë trajtuar me seriozitetin e duhur, asnjëherë nuk kanë qenë unikë në qëndrime e nuk janë as sot, madje nuk janë unikë as shqiptarët e asaj pjese integrale të Kosovës, të cilën Serbia e ndau për shkaqe demografike, qysh në vitin 1952, atëherë kur edhe Kosova ishte nën Serbi dhe për një ndarje të tillë nuk pyetej askush, përveç Beogradit të Titos e të Rankoviqit.

Pa hyrë thellë në historinë e kësaj pjese të Kosovës, sepse ajo është histori  unike e tragjedisë dhe humbjeve fatale shqiptare që nga vitit 1877, tri komunat shqiptare të mbetura ende nën Serbi, në kushte dhe rrethana të robërisë shekullore kanë arritur ta ruajnë identitetin kombëtar, por jo edhe të gjitha trojet, sepse në kushte dhe rrethana të caktuara,  shqiptarët e kësaj treve janë dyndur drejt Kosovës, sidomos në kohën e regjimit të Milosheviqit, kur edhe organizuan luftë të armatosur. Më së keqi ka pësuar territori i Medvegjës, me dhjetëra fshatra shqiptare. Në vitet 70 të shekullit të kaluar, shqiptarët përbënin edhe shumicën e qytetit, por sot gjithçka na ndryshuar.

Shqiptarët e kësaj pjese të Atdheut, të lënë në mëshirë të kohës, janë gjendur ashtu si kanë mundur.  Pjesa më e madhe janë dyndur drejt Kosovës dhe janë vendosur sidomos në qytetin e Fushë Kosovës dhe në rajonin e Gjilanit. Një pjesë e madhe prej tyre janë bërë pjesë e mërgatës shqiptare në shtetet e Evropës Perëndimore. Pjesa e mbetur në Medvegjë dhe fshatra përreth,  tashmë është reduktuar skajshëm, edhe pse nuk duket se ka ndalesa administrative nga Qeveria e  Serbisë për kthim, por kthimi në këto kushte dhe rrethana del të jetë i pamundur.

Gjendja aktuale në komunat dhe fshatrat e Bujanocit dhe të Preshevës është më ndryshe. Pavarësisht shpërnguljeve të pandërprera, këto dy komuna kanë ruajtur epërsinë shekullore etnike dhe kanë mbijetuar në radhë të parë falë dashurisë për vendlindjen, tokën, Atdheun, duke rezistuar me shpresë se një ditë do të bashkohen me Kosovën, ashtu sikur ne në Kosovë që na ka mbajtur shpresa se një ditë do të bashkohemi  me Shqipërinë.

Në kushte dhe rrethana të caktuara, Kosova as Shqipëria nuk kanë bërë as minimumin e asaj që është dashur të bëhet për ta ruajtur kompaktësinë etnike të këtyre trevave,  ashtu sikur e ka ruajtur Serbia në katër komunat e veriut të Kosovës, të cilat i ka mbajtur dhe i mbanë jashtëligjshëm, me struktura paralele, por edhe me përkrahje të faktorit ndërkombëtar.

Por shqiptarët e kësaj pjese të atdheut kanë dhënë maksimumin për ta ruajtur atë që ka mundur të ruhet në kushte të dhunës dhe represioni sistematik nga Serbia. Ata janë kalitur në dhunë dhe presion dhe kanë mbijetuar ashtu sikur kanë mbijetuar edhe shqiptarët përgjithësisht gjatë shekujve të rëndë të robërisë. Presheva, Bujanoci, Medvegja, janë tri Termopile shqiptare, të cilat mbijetuan në katrahurat e historisë së dhunës, spastrimit etnik dhe metodave fashiste të zhdukjes së qenies shqiptare. Ata madje, në vitin 1992 kanë mbajtur një Referendum për ribashkim me Kosovën.

Qeveritë në Kosovë dhe në Shqipëri kanë mundur të bëjnë shumë më tepër në ngritjen dhe stimulimin ekonomik të banorëve të kësaj pjese, ashtu sikur ka bërë dhe bën Serbia në Veri të vendit tonë.

Sot, detyrë mbi të gjitha detyrat e shqiptarëve liridashës, duhet të jetë Kosova Lindore. Përderisa po kuptohet fare mirë se në bisedime me Serbinë do të hapen të gjitha çështjet, në asnjë rrethanë nuk duhet të lëshohet rasti, me qëllim që këto troje të trajtohen me meritë, me të drejtën historike dhe etnike, me të drejtën për t’u bashkuar me Kosovën, pavarësisht se bashkohen apo jo tri komunat e veriut me Serbinë.

Mungesa e unitetit politik mes shqiptarëve të asaj pjese por edhe të shqiptarëve përgjithësisht, mund të degradojë me një zhgënjim të madh të popullatës shqiptare në Lindje. Këtë moment historik duhet ta shfrytëzojmë sa më shumë që të jetë e mundur, pavarësisht koniukturave politike dhe papërgjegjësisë së faktorit politik të përçarë skajshëm.

Shqiptarët liridashës duhet të organizohen rreth idesë së bashkimit mbi principin etnik dhe duhet ta përkrahin unanimisht këtë ide, pse jo edhe me protesta paqësore dhe me një presion të fuqishëm kundër të gjithë atyre shqipfolësve, që mendojnë se bashkimi i kësaj pjese me Kosovës “është një kullë prej rëre”, apo një gjë e pamundur. Ishin po këta shqipfolës që dikur kënaqeshim me një autonomi për Kosovën dhe autonomi kulturore për shqiptarët në Maqedoni, por rezistenca  dhe gjaku i derdhur  rrëke i shqiptarëve liridashës çoi në avancimin e çështjes shqiptare.

Tani e ka radhën Kosova Lindore, të mos quhet më Luginë, dhe të mos jetë më një  “Dolina” por të rikthehet si pjesë integrale, historike dhe gjeografike e Kosovës, ashtu sikur ka qenë gjatë shekujve, aq sa kemi arritur të ruajmë nga kafshimet e pandalshme të barbarisë dhe fqinjëve grabitqarë.

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …