Në mesin e trimave dhe të trimëreshave që Gjakova i fali Kosovës për t’u çliruar nga okupatori serb, ishte edhe Permet Vula. Permeti u lind në Gjakovë më 8 prill të vitit 1978. Rrjedh prej një familje me traditë atdhetarie. Shkollën fillore e mbaron në vendlindje. Gjimnazin e kryen, po ashtu në Gjakovë.
Përmeti, qysh i ri e ndin mbi supet e njoma peshën e rubërisë. Policët serbë për çdo ditë arrestonin dhe torturonin shqiptarë liridashës. Ata ushtrojnë presion me tërë mekanizmin e tyre shtetëror.
Jehona e krismave të lirisë në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, reflektoi fuqishëm në mendjet dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve liridashës, e sidomos të rinisë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përveç në Drenicë, tashmë kishte hapur fronte lufte edhe në Dukagjin e në Anadrin.
Në prill të vitit 1998, përveç në Gllogjanin e qëndresës ishin krijuar edhe zona të tjera të lira të UÇK-së, si në Junik, në Dushkajë e gjetkë.
Më 18 prill të po atij viti, Permet Vula, së bashku me të riun nga Gjakova, Ilir Zherka e me disa vullnetarë të tjerë të lirisë, shkon në Gllogjan për t’u mobilizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fillimisht sistemohet në radhët e njësitit Komando, të Zonës Operative të Dukagjinit. Që prej momentit të mobilizimit në UÇK, ai dëshmon zell në përdorimin e armëve dhe vendosmëri të paepur për të luftuar në vijat e para të frontit. Edhe pse i ri, ai fiton simpatinë e eprorëve me angazhimin, disiplinën dhe përkushtimin e tij atdhetar.
Kohë pas kohe, Permetin në e viziton babai, Iliri, i cili e kishte edukuar në frymën e lirisë dhe të sakrificës për atdhe. Ishte i pandashëm nga shokët, e veçanërisht ishte i afërt me bashkëluftëtarin, Elton Xherka.
Në kohën e intensifikimit të luftimeve në frontin e Junikut, në gusht të vitit 1998, Iliri sistemohet në vijat e para të frontit. Në vijat e këtij fronti komandonte njëri ndër komandantët më të shquar të I Jshtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bekim Berisha, i njohur me emrin e luftës ABEJA, i cili kishte bërë karrierë ushtarake në disa luftëra çlirimtare të vendeve të rajonit, sidomos në Kroaci. Përkrah tij po luftonin edhe dy trimat zemërzjarrtë të UÇK-së, Përmet Vula dhe Elton Xherka.
Më 10 gusht të vitit 1998, forcat serbe, mësyjnë me arsenal të madh ushtarak, drejt pozicioneve të UÇK-së në Junik. Mirëpo, ato ndeshin në zjarrin e pandërprerë të çlirimtarëve. Zona e çliruar e Junikut duhej të ruhej me çdo kusht, sepse ajo përbënte arterien më të fortë të furnizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me armatim nga Shqipëria. Prandaj, gjokset e luftëtarëve të lirisë bëhen bedene të pathyeshme. Në mesditën e 10 gushtit intensifikohet sulmi armik, por edhe kundërsulmi i çlirimtarëve bëhet më i ashpër. Djemtë e UÇK-së arrijnë t’u afrohen pozicioneve të armikut deri në afërsi të tankeve. Në këtë moment, disa prej forcave serbe largohen në gjendje panike, duke braktisur edhe tanket e tyre. Njësitit tanksit i shkatërrohen tri tanke. Njërin prej tankeve përpiqet ta marrë luftëtari Bedri Shala. Mirëpo, në atë çast, ai goditet rëndë nga armë snajperike. Po në ato çaste, Bekim Berisha, Permet Vula, Elton Xherka e loftëtarë të tjerë i shkojnë në ndihmë Bedriut i cili kishte mbetur rrethuar dhe i plagosur në tanks. Ndërkohë, forcat armike, pasi kishin identifikuar paraprakisht vendpozicionin e luftëtarëve të UÇK-së, intensifikojnë zjarrin e armëve, me ç’rast bie në altarin e atdheut Permet Vula. Atë ditë në frontin e Junikut bijnë edhe komandanti Bekim Berisha – Abeja, Bedri Shala dhe Elton Xherka, ndërsa plagoset bashkëluftëtari I tyre, Stilian Hoda.
Trupin e dëshmorit Përmet Vula dhe të tre dëshmorëve të tjerë, bashkëluftëtarët e varrosin në Junik. Pas çlirimit të Kosovës nga kolonizatori serb, trupi i tij rivarroset në Varrezat e Dëshmorëve në Gjakovë.
Prindërit e Permetit, Iliri e Luljeta, birin e tyre e kishin rritur dhe edukuar me përkushtim të lartë prindor. I pajisur me temperament e shpirti energjik, te ai u shqua ndjenja e lartë e sakrificës, të cilën e dëshmoi me aktin sublim të flijimit në themelet e lirisë së Kosovës. Përmeti ka lënë vëllain, Ermirin dhe motrën, Kosovaren. (N. M.)